Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Arti

Kutjesa e një qyteti!

Kutjesa e një qyteti!

Aktorja e njohur Roza Xhuxha Anagnosti mbush sot 77 vjeçe. E mirënjohura e skenës shqiptare është në memorien e e shqiptarëve për dhjetëra e dhjetëra role në filmat shqiptarë. Teatri Migjeni në nderim dhe vlerësim të figurës së saj ka publikuar një shkrim të shkrimtarit Xhahid Bushati. Më poshtë artikulli i plotë.

"Kam vendosur të flas sot për bukurinë dhe kuptimin e dorëshkrimeve, sepse në ditët tona ende nuk ka një përfytyrim të qartë as për kuptimin, as për bukurinë e këtyre thesareve të fshehura",- Stefan Cvajg

Aktorja-ikonë e skenës teatrore dhe e kinematografisë Roza Anagnosti (Xhuxha), sot në moshë mbi 75-tat, ecën ashtu ngadalë, e menduar, me buzëqeshje të fisme, pakëz melankolike, me një bukuri të pashoqe, e përmalluar, e rrethuar nga plot kujtime…

Ngjit shkallët e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. E ndjekin pas dhe e rrethojnë lulet e bahçeve shkodrane. Aroma, këto, që gjenden veç në Shkodër! Dhe janë për ty, Rozë!

Ashtu thjeshtë, pa bujë, dinjitetshëm e gjithë fisnikëri, kjo Zonjë nuk ka ardhur si herë të tjera në qytetin e saj. Ka ardhur ndryshe… Ka ardhur me një mision. I përveçëm ky akt. Shkodrës, ku kaloi një pjesë të jetës së saj edhe artistike, me dashurinë e zemrës, ka vendosur që aktivitetin e saj magjik teatror shkodran, t’ia dhurojë.

T’ia dhurojë me qytetarinë e saj që e karakterizon. Mbase duke shlyer një peng. Mbase duke lënë një amanet. Fotografitë i ka mbledhur me kujdes nëpër vite. Pa u lodhur e pa u mërzitur. Siç janë nënat shkodrane. I ka vënë secilës fotografi një diçiturë. Më saktë i ka qëndisur me fjalë shpirti. Teatrit të qytetit të fëmijërisë e të rinisë po i lë edhe shkrimin e saj plot mall, që ka vlera të pazëvendsueshme.

Arkivi mban emrin e nderuar: Roza Anagnosti. Aty fle dhe zgjohet një pjesë e jetës së saj të çmueshme. Aty flenë dhe zgjohen fëmijëria, adoleshenca, babai, nëna, motra, vëllai, familja e gjyshit nga nëna, kushërinjtë e farë e fisi, mësuesit, shokët e shoqet, regjisorët, kolegët, miqtë, shkodranët…

Aty flenë e zgjohen ëndrrat, të cilat nëpër vite çelën, disa u vyshkën, të tjerat çelën përsëri siç çelin trëndafilat. Malli, kujtimet, buzëqeshjet, ëndrrat, bota e një vajze të bukur!.. Bota me një qiell ëndrrash!..

Kutjesa e një qyteti!

Arkivi, tashmë ka zënë vend në dhomën-arkivë të teatrit “Migjeni”. Në heshtje lëviz malli. Përmes mallit aktorja (Xhuxha) Anagnosti shuan mallin për Shkodrën. E përqafon. E puth. Fisnikëria dhe sharmi i Rozës i fali qytetit me mirësi një pjesë të kujtesës së saj. Tashmë, kujtesa e Rozës ka zënë vend në hapësirat e kujtesës teatrore e më gjerë të këtij qyteti, të cilin e dashuroi deri në dhimbje.

Ndoshta edhe përtej saj. Dhe e ka një arsye. Po i referohem shkrimtarit Stefan Cvajg, që thotë: “…, që të kuptohet rëndësia e thellë, e fshehur, e këtyre thesareve…[1] (nënkupto: Arkivin e Artistes Roza (Xhuxha) Anagnosti, - shënimi im Xh. B.). … Që t’i kuptosh dorëshkrimet (nënkupto: Arkivin e Artistes Roza (Xhuxha) Anagnosti, - shënimi im Xh. B.) dhe pasi t’i kuptosh, t’i duash, që të mrekullohesh prej tyre, të emocionohesh dhe të entuziazmohesh, për këtë duhet, së pari, të mësohesh t’i duash njerëzit, tiparet jetësore të të cilëve janë ngulitur në to përjetësisht.”[2]

Arkivin e dhuruar nga Roza e krahasova me një kurorë. Është e kuptueshme. Roli i saj i parë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës ishte ai i Nurijes në dramën “Kunora e Nurijes” e Kolë Jakovës (1959). Roza, kur e interpretoi, nuk ishte më shumë se 15 vjeçe. Sigurisht, që Roza e ka të shënjuar në jetën e saj si një pikënisje, si një dashuri, si një ...

Veprimi dhurues i Artistes Roza Anagnosti, më kujton një tekst të lexuar shumë e shumë vite më parë, ku në mes të tjerave, shkruhej: “Kujtimet dhe historia janë të lidhura pazgjidhshmërisht, dhe i takojnë një realiteti të caktuar jete e jetese. Kujtimet janë gjithnjë në vetën e parë. Kujtimet janë një peshë e ngrohtë. Janë shumëçka nga ajo që jemi dhe kemi. Kur lexojmë kujtime është si të shëtisësh në një qytet tradicional. Kujtimet janë një botë mes ëndrrave dhe të së shkuarës. Kujtimet janë zëri tjetër, që nuk dëgjohet nga të tjerët; janë dobësia jonë e pushtetshme”. M

’u kujtuan këto pasazhe për kujtimet, teksa shfletoja me kujdes arkivin e Rozës. Fotografitë “flisnin” e komunikonin… Botë e magjishme! Shkrimi “fliste” dhe zëri i tij nuk shuhej. Eh, sa mall!.. Edhe fletët fëshfërinin si kujtime kohe. “Jeton një botë, një botë flet…” - i thashë vetes. Flet zëri i Artistes së Madhe Roza (Xhuxha) Anagnosti.

Kutjesa e një qyteti!

Zëri i fëmijërisë dhe vitet e rritjes…

Roza Xhuxha – Anagnosti ka lindur, më 27.10.1943, në Tiranë. I ati qe oficer karriere, ndërsa e ëma shtëpiake. Pas vitit 1944, familja Xhuxha vjen të jetojë në Shkodër. Në këtë qytet jetonte familja e gjyshit nga nëna. Në Shkodër, Roza përfundoi shkollën fillore, më pas të mesmen.

Që e vogël shquhej si këngëtare dhe balerinë, të cilat do të rrezatonin në vitet që do të vinin. Ajo është mirënjohëse për jetë mësuesve të palodhur, si: Leonard Deda, Hilë Shahini, Tonin Harapi (në Shtëpinë e Pionierit); kompozitorit Prenkë Jakova (në Shtëpinë e Kulturës). Në kujtimet e saj, Roza shkruan: “… më cilësuan si një vajzë me talent në të ardhmen, ndonëse, më pas ëndrrat nuk i pata të lehta”.

Dënimi i të atit, përjashtimi nga Liceu do të ishin tragjike për jetën e Rozës, e cila donte të bëhej artiste dhe kishte plot ëndrra. Mbi të, nënën dhe motrën do të rëndonin varfëria dhe pasojat e luftës së klasave. Roza vazhdoi gjimnazin “29 Nëntori”. Në të njëjtën kohë jepte dhe provimet me korrespondencë në Liceun Artistik (dega e artit dramatik). Në vitin 1965 diplomohet.

Një rreze drite e ftoi për të vazhduar rrugën e bukur të artit. Bëhej fjalë për vitin 1958, kur ishte nxënëse në shkollën e mesme. E ftojnë në premierën e parë të teatrit të estradës. Më pas edhe në teatrin dramatik, në pjesën “Kunora e Nurijes” e dramaturgut Kolë Jakova, me regji të Lec Shllakut. Në kujtimet e saj Roza rrëfen: “Suksesi që arrita me interpretimin tim në këtë dramë, startoi jetën time në fushën e artit. U emërova aktore në trupën e Teatrit “Migjeni. Tashmë rruga ime ishte hapur.

Do të isha protagoniste në mjaft role e në shumë spektakle të tjera, duke mbërritur tek personazhi i Norës në dramën “Nora” të Andrea Skanjetit, që ishte dhe regjisor i saj. Me këtë rol fitova çmimin “Si interpretuesja më e mirë ndër aktoret femra në Festivalin e dytë Kombëtar të Teatrove Profesioniste të Shqipërisë”.

Në vitin 1961 babai i Rozës lirohet nga burgu. Artistja Xhuxha (Anagnosti) përveç skenës teatrore, pushton dhe ekranin. Ajo interpretoi plot role që shkëlqejnë në panteonin e teatrit dhe filmit shqiptar, por rrugëtimin e saj artistik që e nisi në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, nuk do ta harrojë… Dhe mirënjohjen Roza nuk e harroi. Pas shumë e shumë vitesh ajo erdhi për të lënë “dëshminë” e saj përmes arkivit të pasur e lavdiplotë.

Kutjesa e një qyteti!

Duke kujtuar filmin, Roza rrëfen përsëri: “Bashkëpunimi im i parë me regjisorin Hysen Hakani është në filmin ‘Toka jonë”. Ai mbetet në kujtesën time shumë i veçantë. Në këtë film Dhimitri ishte operator. Në këtë film ne u njohëm dhe në fund të tij u fejuam me Dhimitrin. Më pas krijuam dhe familjen tonë. Është një film që ka shumë poezi në të gjithë drejtimet. Për mua ai ishte një rol shumë i bukur. Më pëlqente shumë.

Regjisori Hysen Hakani kishte shumë humor, ishte kërkues, kishte mënyrën e tij të punës. Në ato vite kishim shumë pak regjisorë. Në fillim kam xhiruar filmin “Detyrë e posaçme” me regjisorin Kristaq Dhamo. Më pas kam xhiruar me regjisorin Hysen Hakani, për të vijuar me xhirime me Viktorin dhe Dhimitrin, e në vijim filma të tjerë. … Po kujtoj një rol tjetër, atë të Files. Roli i Files ishte një karakter shumë i veçantë dhe, unë, pasi bëra kinoprovën, fitova. Në këtë film interpretonte ajka e aktorëve shqiptarë.

Përmend këtu aktoren Tinka Kurti që ishte fantastike dhe unë e ëndërroja në atë kohë. Në kohën kur u xhirua filmi isha vetëm 19 vjeçe. … Në atë vit, kur unë kam bashkëpunuar me regjisorin Hysen Hakani isha aktore në teatrin e qytetit të Shkodrës. Ai më kishte parë në teatër dhe më ftoi të bëja një kinoprovë… Filmi “Ndërgjegjja” ishte i këndshëm. Në këtë film isha në rolin e një mësueseje të re.

Në film kishte skena dashurie të kohës së atëhershme, kishte romantizëm. Përderisa regjisori Hysen Hakani më mori sërish të interpretoja, besoj se kishte mbetur i kënaqur nga unë në këtë film.”

Rolet…

Roza (Xhuxha) Anagnosti vazhdon të ngjit shkallët e teatrit “Migjeni”. Kalon korridorin dhe i afrohet skenës…, skenës së njohur. Si një imazh, që papritur bëhet real e përmallues, nga arkivi që ka pranë vetes “zgjohen” personazhet që interpretoi… Roza “dorëzohet”… dhe kujton interpretimet në vite, si te: “Dy binjakët Venecianë” (11.01.1959, në rolin e Kolombinës –dublante), “Kunora e Nurijes” (15.03.1959, në rolin e Nurijes. Roza këtë rol e ka luajtur 63 herë.), “Trumpetjerja” (15.07.1959, roli: Zoja Paramanova), “Maskat” (02.07.1960, në rolin e Martës), “Nora” (28.12.1960, në rolin e Norës), “Histori irkutase” (05.04.1961, Zinka), “Gjuetarët e ujqërve” (21.06.1961, Barbulla), “Këneta” (06.11.1961, R. Mushi), “Mësuesja” (07.03.1962, Mësuesja), “Bileta e llotarisë” (09.05.1963, Burbuqja), “Përtej pragut” (27.05.1964, Fata).

Kutjesa e një qyteti!

Dhe pas këtyre shënimeve të çdo fotografije të bërë me aq kujdes nga aktorja e mirënjohur Anagnosti, dua, përsëri, t’i referohem Cvajgut, i cili thotë: “Dorëshkrimet kanë, përveç të tjerash, edhe një rëndësi të jashtëzakonshme morale, sepse ata madhështisht na kujtojnë që veprat, të cilat na magjepsin në formën e tyre të përsosur, janë jo vetëm prej dhuntisë së gjeniut, por edhe fryt i një pune sfilitëse, vetëmohuese.

Ato na tregojnë fushën e betejës, ku shpirti njerëzor lufton me materien, luftën e përjetshme tëJakovit me engjëllin; ato na shpien në thellësi të mbretërisë së krijimit dhe na detyrojnë dyfish ta duam dhe nderojmë njeriun tek artisti, për hir të veprës së tij të shenjtë.”[3]

Arkivi dhe fotografitë që “flasin” përmes shënimeve të Rozës…

Roza me Dhimitrin. Roza me Mbretëreshën e skenës së Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Tinka Kurti. Roza me dy vajzat e shtrenjta, Junën dhe Erën. Roza - gjyshe. Roza - nënë për herë të parë. Roza gjatë xhirimit të filmit “Toka jonë”.

-Foto vajzërije e bërë nga Foto Marubi. -Gjatë Spartakiadës në Tiranë me shoqet e gjimnazit. -Me shoqet e gjimnazit në një ditë me borë.

-Në Shtëpinë e Kulturës, me kompozitorin Prenkë Jakova dhe balet maestrin Filip Gjergji.

Kutjesa e një qyteti!

-Në Shtëpinë e Pionierit, me mësuesen e baletit Leonora Dragusha. –Shfaqja “Kufitarët” (melodramë, muzika: Tonin Harapi, regjisor: Andrea Skanjeti). -Shkolla “Ndoc Mazi”, drejtuese kori Lajde Banushi (Koja), mësuesit e muzikës Kol Gjinaj dhe Leonard Deda. –Shfaqja “Mësimi i pyllit” (përrallë muzikore, muzika: Tonin Harapi, libreti: Gjovalin Çarkaxhija, regjisor: Andrea Skanjeti. Fituese e çmimit të parë në Takimin Kombëtar të pionierëve në Tiranë. Roza me rolin e lejlekut fitoi çmim).

-Fëmijëria. Roza 3-4 vjeçe. -Nxënëse në Shkollën “Ndoc Mazi”. -Me mësuese Verën dhe aktoren dhe këngëtaren Klea Shantoja.

-Në turne: Theth, Malësi e Madhe.

-Pjesëmarrja në estradë: -Me grupin e estradës, me aktorët Hasan Smaja dhe Paulin Preka, me këngëtarin Ndrekë Gjergji, regjisorin Paulin Sekuj, etj.

-Filmi “Toka jonë” (sipas motiveve të dramës me të njëjtin emër të Kolë Jakovës. Skenari: Peçi Dado, regjisor: Hysen Hakani, kamera: Dhimitër Anagnosti. Koha kur Roza ishte ende aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës).

-Drama “Kunora e Nurijes”. Roli i parë si protagoniste në teatër i Rozës. -Me kostumin e Nurijes para Teatrit “Migjeni”. Roza është me rrobaqepësen e këtij teatri Zina Ashta. -Me aktorët: Klotilda Shantoja, Preng Lëkunda, Vitore Nino.

-Pjesa ruse “Mësuesja”, autori: Kallbakian, regjisor: E. Oktrova. Roza me piktorin dhe skenografin Lec Vuksani. -Roza me aktorin Pistol Soja. -Pas shfaqjes: me Lec Bushatin, Esat Oktrovën, Paulin Lacaj.

-Drama “Këneta”. Roza – Rina, Paulin Preka – Stavri Shkurti. Para shfaqjes, në kabinë, me aktoren Tinka Kurti.,

-Komedia “Bileta e llotarisë”. Roza me aktorin Paulin Preka.

-Drama “Nora”. Roza – Nora. Roza me aktorët: Bep Shiroka (Veli), Ndoc Sheldia, Paulin Lacaj, Lec Vuksani, Jonuz Dini, Vitore Nino, Lec Bushati, Lec Ndreka, Rrok Dajçi. – Mbas shfaqjes me kolegë e teknikë: Hasan Smaja, Mici (Marija), Lec Vuksani, Teufik Duka, Osoja, etj., etj.

Prova e parë e përgjithshme e dramës “Nora” u dha më 26.12.1960. Teatri “Migjeni” i Shkodrës korri sukses me pjesën “Nora”, dramë në 3 akte, me dy tablo e Andrea Skanjetit, vënë në skenë nga vetë autori. Drama “Nora” u dha premierë më 28.12.1960.

Kutjesa e një qyteti!

Interpretuan: Roza Xhuxha (Nora), Lec Bushati, Vitore Nino, Preng Lëkunda, Ndrekë Prela, Tinka Kurti, Paulin Lacaj, Violeta Sekuj, Antoneta Fishta, Bep Shiroka, Paulin Preka, Jonuz Dini, Fejzi Spahia, Lec Ndreka, Pistol Soja, Rrok Dajçi, Rrok Sheldia. Asistent regjisor, Artisti i Merituar Adem Kastrati. Piktor: Lec Fishta. Muzika nga Prenkë Jakova. Inspektor skene: Çesk Vuksani. Sufler: Leo Prela. Dritat: Teufik Duka e Shaban Prizreni. Marangozë: Lec Prendi e Ndoc Karma. Punëtorë skene: Maliq Sejdini, Osman Gruda, Fehmi Gokovi, Isuf Këltyra. Rekuizitë: Marije Curani. Roza Xhuxha në kujtimet e dramaturgut e regjisorit Andrea Skanjeti

“Drama u shfaq në Shkodër 37 herë dhe disa herë në Tiranë. Do të qëndronte edhe më gjatë në skenë, po të mos shkëputej nga teatri “Migjeni” Roza Xhuxha, e cila u martua në Tiranë me një djalosh me përspektivë të artit tonë skenik. Megjithë kërkimet e bëra nga regjisori për ta zëvendësuar, drejtoria nuk mori bezdinë të lodhej në këtë drejtim.

Rolin kryesor të dramës “Nora” e luajti me sukses të madh aktorja 15-vjeçare Roza Xhuxha, e cila kishte deputuar në rolin kryesor të dramës së Kolë Jakovës, duke qënë jo më shumë se 15 vjeçe. U morën edhe shumë fotografi edhe me sipar të hapur që u shfrytëzuan nga shtypi ndër botime gazetash, revistash të vendit e të huaja, në gjuhë të huaja, si dhe në ekspozita të rastit. …

Kutjesa e një qyteti!

Dhe aktorja e re Roza Xhuxha “Nora” e Këlmendit… tregoi: “Një ditë para se të dilja në skenë për Norën e ndjeja veten të shqetësuar. Rashë në shtrat shumë herët, por gjumi nuk më zuri veç në orët e vona. Pa gdhirë mirë isha zgjuar.

-Po tani si e ndjeni veten? – e pyetën fill pas mbarimit të shfaqjes.

Aktorja, veshur akoma me kostumin e nuses së Këlmendit e që merrte frymë me të shpejtë nga lodhja e lojës dhe nga emocioni, i qeshi tërë fytyra. “Tani! … Faleminderit shumë spektatorëve që duartrokitën dramën tonë Roza…

Artistja e Madhe Roza (Xhuxha) Anagnosti zbret shkallët e teatrit, ngadalë-ngadalë. Si një ikonë. Kthen kokën pas..., si për t’i thënë, përsëri, diçka teatrit… Teatri “Migjeni” shfaqet me madhështinë e tij. Trëndafila të rinj kanë çelur dhe janë shumuar para syve të saj. Aroma e luleve shkodrane si një porosi gjysheje e shoqëron dhe e përcjellë ëmbëlsisht në çdo hap që hedh.

Trëndafilat lëvizin ngadalë petalet si krahë fluturash dhe e ngjatjetojnë si një urim i bukur Roza (Xhuxhën) Anagnosti. Kështu ndodh në jetë, prej së vërteti… Si ky çast i papërsëritshëm. Magjia e Rozës i bën “të flasë” edhe trëndafilat, sepse “Dorëshkrimet zotërojnë një forcë magjike…”./Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore