Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Vettingu politik i PD, shumë zhurmë për asgjë

Vettingu politik i PD, shumë zhurmë për asgjë

Nisma e Partisë Demokratike për vetting të politikës, sado e bukur që mund të tingëllojë ngjason më shumë me një përpjekje për të tërhequr vëmendjen dhe empatinë e qytetarëve e të prodhojë zero rezultate dhe kjo, jo vetëm se kundër një nisme të ngjashme në 2018-n doli Komisioni i Venecias.

Pse? PD propozon një vetting identik si ai i reformës në drejtësi, ku këtë herë subjekte nuk do të jenë gjyqtarët dhe prokurorët, por politikanët. Vettingu i drejtësisë ka tri shtylla; kontrolli i pasurisë; integriteti i gjyqtarit, prokurorit, apo punonjësit të drejtësisë, pra nuk duhet të ketë lidhje të dyshimta me krimin dhe në fund profesionalizmi.

Sa për kontrollin e pasurisë, politikanët sot janë të detyruar të deklarojnë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të gjitha asetet e tyre. Ligji për funksionimin e këtij institucion nuk e përcakton atë vetëm si institucion pasiv, pra që pret, firmos e vulos deklaratat e politikanëve, por edhe verifikues e kontrollues.

Kjo do të thotë se për kontrollin e pasurive të politikanëve Shqipëria e ka një ligj dhe e ka një strukturë që paguhet për zbatimin e këtij ligji, ndaj me vettingun në politikë PD nuk mund të pretendojë se “po shpik rrotën”. Ajo aty ka qenë, thjesht nuk është rrotulluar gjithë këto vite.

Sa i takon integritetit të figurës, edhe këtu ka një ligj, madje më i ashpri në Europë dhe i propozuar po nga Partia Demokratike. Bëhet fjalë për ligjin e dekriminalizimit. Parashikimet e këtij ligji janë vlerësuar nga ekspertët në kufijtë e shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, asaj për t’u emëruar dhe për t’u zgjedhur e për të zgjedhur

Vettingu i propozuar nga PD me parashikimet e përjashtimit nga emërimi nga Kuvendi, apo zgjedhja janë të ngjashme me parashikimet e këtij ligji. Pra, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me dublim ligjesh e kompetencash për të arritur te i njëjti objektiv.

Sa i takon shtyllës së tretë, që ka të bëjë me profesionalizimin, ajo mund të zbatohet vetëm pjesërisht, por edhe këtu e dubluar me ligjet e rregulloret e tjera që janë në fuqi. Pse? PD propozon që vettingun politik ta realizojë SPAK. Por, as SPAK nuk mund t’i mohojë të drejtën për t’u zgjedhur një personi që në gjykimin e tij mund të quhet i paaftë, apo jo profesional. Kjo do të ishte shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës.

Për pjesën e politikanëve që emërohen nga Kuvendi mund të hajë debat. Si shembull, këta emra mund të kalohen në filtër në lidhje me profesionalizmin. Por, ky proces realizohet prej vitesh, tjetër gjë pastaj që kriteret e vlerësimit të profesionalizmit janë interpretuar politikisht sipas situatave.

Si përfundim, vettingu i propozuar nga Partia Demokratike duke dubluar legjislacionin në fuqi dhe institucionet zbatuese të këtij legjislacioni ngjason si “shumë zhurmë për asgjë” se sa si zgjidhje për të pastruar politikën.

Që politika shqiptare ka nevojë për pastrim kjo dihet, por ky proces nuk mund të realizohet me nisma të tilla, por mjafton vullneti politik për të zbatuar me përpikmëri legjislacionin në fuqi. A ekziston ky vullnet? E sigurtë që ky vullnet mungon edhe në radhët e PD-së, pavarësisht “fshehjes” nën nismën e vettingut./Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore