Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Si ka mundësi që nuk i heton njeri krimet e Sali Berishës?!

Si ka mundësi që nuk i heton njeri krimet e Sali Berishës?!

Gjithmonë kam qenë i bindur se kujtesa është një nga bazat e zhvillimit të një populli. Çdo vend përmirësohet vetëm nëse kujton të shkuarën e tij. Për shembull, fshehja e tmerreve të kryera nga komunizmi, siç është bërë prej vitesh në Shqipëri pas rënies së regjimit, nuk ka ndihmuar brezat e rinj të kuptojnë kushtet në të cilat jetuan gjyshërit dhe prindërit dhe ndodh, edhe për këtë arsye, që fantazmat e të shkuarës të shfaqen edhe në sjellje të ditëve të sotme. Kur kujtesa ka rëndësi të madhe për një epokë historike, bëhet jetike kur bëhet fjalë për sjelljet e politikanëve, sidomos të atyre që janë ende në skenën publike.

Këto ditë gazetari ynë investigativ, Adriatik Doçi, po përcjell përmes dokumentave të arkivit krimet e kryera nga Sali Berisha dhe nga njerëzit e tij në vitin 1997, kur Shqipëria për shkak të tij dhe të qeverisë së tij u zhyt në një krizë ekonomike dhe sociale që u kushtoi jetën mbi 3000 qytetarëve shqiptarë.

Askush nuk ka paguar për ato vdekje. Askush nuk ka paguar as për dhunën e viteve të mëparshme, mes 1993 dhe 1996, kush SHIK-u i Bashkim Gazidedes dhe sampistët e Agim Shehut duke iu bindur urdhrave të presidentit Sali Berisha e kishin trasformuar demokracinë e sapolindur shqiptare, në një Shtet policor, ku shtypi i lirë persekutohej, opozitarët futeshin në burg ose rriheshin në shesh dhe zgjedhjet vidheshin.

Askush nuk ka paguar as për grushtin e shtetit që Sali Berisha organizoi me 14 shtator 1998 duke pasur në krah në atë marshim të dhunshëm në Tiranë (i dështuar vetëm falë ndërhyrjes së ambasadës amerikane) shumë nga burrat që edhe sot e kësaj dite janë në krah të tij duke folur për demokraci dhe ligjshmëri.

Nuk ka ndodhur në asnjë vend normal që fajtorët e një “diktature demokratike” si ajo e krijuar nga PD deri në 1996, e një krize të përgjakshme si ajo e 1997 dhe e një grushti shteti të falimentuar si ai i vitit 1998, të rikthehen në qeverisje të vendit vetëm pak vite më pas, siç Sali Berisha arriti të bëjë në vitin 2005. I garantoi të gjithë se kishte ndryshuar, por edhe këtë herë gënjente. I vetmi ndryshim ishte se metodat e zhurmshme të sampistëve të pajisur me shkopinj gome, i zëvendësoi me rrjetën e merimangës mafioze të korrupsionit dhe të kërcënimeve, që e lejoi të qeveriste i pashqetësuar për 8 vite të tjera duke penguar emancipimin e vendit dhe duke e vjedhur me babëzi.

Kujtesa shërben të risjellim në mendje se kush ishte Sali Berisha deri në 1998, por edhe çfarë u bë ai pas vitit 2005. Duke rilexuar sot dosjet e skandaleve të vjetra por të njohura në fakt vetëm në sipërfaqje, si spekullimet e Porto Romanos (në 2007), tragjedia e Gërdecit (në 2008), privatizimi i pabesueshëm i ish-kompleksit Partizani (në 2009), masakra e 21 janarit në bulevardin Dëshmorët e Kombit (në 2011), tenderat e pafund të manipuluar në ato tetë vite qeverisje pa gjykata ose dokumentat që ekzistojnë mbi lumin e parave të arkëtuara nga fëmijët e Berishës falë vendimeve publike të marra nga i ati në cilësinë e kryeministrit (deri në 2013), jo vetëm që sjellin në dritë prova flagrante abuzimesh dhe korrupsioni të cilat në kohën që kanë ndodhur nuk mund të shiheshin, por tregojnë edhe mënyrën me të cilën Berisha konceptonte (dhe koncepton) administrimin e pushtetit post-dikaturë. Githçka e bazuar mbi nepotizimin klanor, mbi urretje ndaj kundërshtarëve, mbi urinë e pangopshme për pushtet dhe nga një shpërfillje totale ndaj ligjeve dhe Shtetit.

Nuk ka ndodhur në asnjë vend normal që një politikan i tillë, me të shkuarën e Sali Berishës, jo vetëm të mos hetohet asnjëherë nga asnjë prokuror, por edhe të vazhdojë të kushtëzojë pafundësisht (edhe sot) linjën dhe vendimet e partisë kryesore të opozitës dhe të pretendojë të japë leksione publike drejtësie, ndershmërie dhe morali. Ja pse kujtesa merr rëndësi akoma më të madhe, pikërisht tani që Shqipëria shkon drejt zgjedhjeve të reja politike, me Sali Berishën dhe njerëzit e tij ende në fushë.

Sigurisht, të risillet në mendje kush ishte dhe çfarë kanë bërë Sali Berisha, familja e tij dhe klani i tij politik, që ka mbetur në pjesën më të madhe akoma në drejtim të partisë, nuk është një metër për të gjykuar punën e Edi Ramës dhe të qeverisë së tij. Të kujtojmë se si dhe ku gaboi Sali Berisha nuk mund të shërbejë në asnjë mënyrë të justifikojmë se si dhe mbi çfarë gabon Edi Rama.

Por këtu është në lojë e ardhmja e vendit dhe, nëse fajet e një pale politike nuk mund të bëhen kurrë alibija për të fshirë fajet e kundërshtarëve, nuk është e pranueshme as pretendimi i përhapur sidomos mes analistëve të të djathtës, që kush është në opozitë nuk duhet të gjykohet më për të shkuarën e vet. Amnezia nuk mund të trasformohet në një amnisti politike. Vitin e ardhshëm do të përballen para zgjedhësve qeveritarët e sotëm me qeveritarët e djeshëm. Asnjëri nuk është i virgjër, asnjëri nuk është pa faj. Vetëm duke e ditur çfarë po ndodh sot por edhe çfarë ka ndodhur në të kaluarën, gjykimi i zgjedhësve mund të jetë i qetë dhe vetëm duke e pasur të qartë peshoren e përgjegjësive të secilit, mund të vendosë me të vërtetë se kush meriton një tjetër shans.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore