Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Shqipëria, i vetmi vend në Ballkan që diskuton rregullat e zgjedhjeve edhe pas 3 dekadash

Shqipëria, i vetmi vend në Ballkan që diskuton rregullat e

Jemi shtatë muaj përpara zgjedhjeve parlamentare dhe ende politika shqiptare diskuton rregullat e lojës, listat, aspektet ligjore, por ende nuk është ngritur KQZ e indrastruktura e administrimit të zgjedhjeve.

Prej vitit 1996, politika shqiptare, përkatësisht dy forcat që kanë monopolizuar jetën në vend, PS e PD, kanë ndryshuar disa herë sistemet e zgjedhjes dhe administrimit, sa e kanë kthyer këtë çështje në një rreth vicioz që vetëm i kanë bërë dëm vendin dhe e kanë futur në një ngërç, duke i dhënë imazhin e një shteti që ka problem të bëjë zgjedhjet.

Asnjë vend në rajon, duke marrë shembull edhe Bosnjën me probleme, Kosovën si shtet i ri, Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi, nuk e kanë problem thelbësor politik çështjen e mënyrës se si do të zgjidhet.

Në këto vende mbahen zgjedhje periodikisht, por asgjë nuk fut në panik politikën përsa i përket administrimit dhe infrastrukturës. Institucionet si KQZ nuk ndryshojnë, por vijojnë punën duke krijuar një stabilitet e traditë.

Ndryshe nga ne që pas çdo zgjedhjeje, çdo gjë nis nga zeroja.

Por ajo që është më dramatike, është se politika shqiptare, duket se qëllimisht nuk merret me përmbajtjen e propozimit politik, programin, logjikën politike që ata paraqesin përpara zgjedhësve, por acarojnë opinionin publik vetëm me çështjen e rregullave, të cilat sa herë ngrihen prishen sërish, duke mos lejuar që një institucion administrimi zgjedhor të vijojë traditën e konsolidimit dhe krijimit të përvojës, përzgjedhjen e stafit që fiton eksperiencën e duhur dhe kështu krijohet tradita e menaxhimit të proceseve elektorale.

Le të shohim debatin publik në politikë e media që nga 5 qershori kur ambasada amerikane dhe ajo e BE-së ndërmjetësoi një pakt ndërmjet pozitës dhe opozitës në mënyrë që PD të rifutet në sistem, pasi doli në shkurtin e vitit 2019, kur dhe dogji mandatet e saj të përfaqësimit në Parlament.

Ky ishte edhe akti i fundit që duhej dhe mund ta bënin ndërkombëtarët për tu vënë si arbitër, në një seri procesesh pa fund në këto 30 vjet ku kanë ndërhyrë për të përgatitur rregullat e shqiptarëve.

Në një situatë kur vendi vetëm në dy vitet e fundit ka kaluar dy situata traumatike siç është tërmeti e pandemia, e ekonomia si pasojë e të dyjave është tronditur edhe më shumë, politika do të duhej ta përqendronte njohurinë dhe energjinë në studimin dhe gjetjen e ideve dhe programeve për të propozuar një prosperitet; në ekonomi, arsim, punësim etj.

Denoncon opozita ikjen e shqiptarëve; ok, le të flitet si ata që kanë ikur mund të kthehen, rrugët e një mundësie zhvillimi, diskutime për përmbajtje, shifra, sondazhe, ide e programe.

Siç ndodh në çdo vend të rajonit, ku partitë përplasen mbi përmbajtjet e propozimit politik, mbi atë që ata propozojnë të qeverisin.

Kurse tek ne vijon ky debat shterpë e luftë nervash për të mos rënë dakord se kush do të administrojë zgjedhjet e si do të zgjidhen deputetët. Duke e kthyer llogarinë e pragut dhe sistemit, në hesap personal se sa vota marrin.

Mali i Zi sapo bëri zgjedhje dy javë më parë: i zgjodhi rezultatet 2 orë pas mbylljes së votimeve. Maqedonia, dy muaj më parë gjithashtu, Serbia në qershor e njëjta gjë.

Vetëm në Shqipëri, natën e parë të dyja partitë shpallin fitoren, militantët dalin e festojnë nga të dy palët. Pastaj dy javë nga frëngjitë e partive jepen kërcënimet për të trembur komisionerët. E pas një muaji loja shkon në KQZ me ankimime e gjyqe. Derisa njerëzit lodhen dhe nuk i intereson më se kush fitoi...

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore