Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Shanset dhe rreziqet e partive të dala nga PD

Shanset dhe rreziqet e partive të dala nga PD

Bën përshtypje se energjia më madhe që ka harxhuar së fundmi nga ana e Partisë Demokratike dhe grupet e tyre mbështetës është anatemimi i partive të reja të krijuar nga eksponentë të lartë të kësaj partie.

Propaganda e Bashës është se këto parti ndihmojnë Edi Ramën, nëpërmjet votave që ata do të marrin nga elektorati që mund të votojë PD-në.

Partia e Astrit Patozit, partia e Jozefina Topallit, Partia e Myslym Murrizit, partia e Rudina Hajdarit, partia e Bamir Topit, duke hequr grupimet aleate të PD-së si Mediu, Ndoka, Shehi, Idrizi, etj; të gjithë janë pjesë që synojnë elektoratin e djathtës në vend. Atë elektorat që ka votuar kundër Partisë Socialiste, dhe ka zgjedhur PD-në në zgjedhjet parlamentare dhe lokale në vend.

Në historinë e skizmave politike të ndodhur në Shqipëri, të nisur që me Aleancën Demokratike që ishte ndarja e parë e PD-së së 1992-shit e më tej, këto krijesa politike kanë pasur sukses atëherë kur janë sjellë si lëvizje për të ndryshuar politikën, por që janë goditur pikërisht kur janë futur në lojën pragmatiste dhe pazaret e pushtetit.

PAD, që kishte në gjirin e saj intelektualë të sërës së parë e që arriti u kthye në frymë politike kundër autoritarizmit të Sali Berishës në PD dhe në shteti, shënoi fundin e saj politik kur Neritan Ceka, Gramoz Pashko e Arben Imami, u rikthyen si djem plangprishës në PD, ku njëri u bë shef kabineti e më pas ministër i Berishës e tjetri, këshilltar i doktorit. E gjithë beteja e tyre për një model ndryshe kundër “njëshit” në PD u sfumua si mekanizma për ta forcuar edhe më “njëshin”.

Lëvizja e dytë e dalë brenda PD-së ishte Partia Demokratike e Djathtë e Abdi Baletës dhe Petrit Kalakulës, një grupim i djathtë që kundërshtonte devijimin “majtist” të PD-së. Kjo parti qëndroi si doktrinare dhe nuk u afrua më me Berishën, pati jetë të shkurtër deri nga 1997.

Grupimi tjetër i krijuar nga PD, ishte një forcë që krijoi Genc Ruli, Dash Shehi, Artan Hoxha e të tjerë që krijuan Lëvizjen për Demokraci, por që më pas u dezintegrua dhe Dashamir Shehi qw krijoi Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar.

E pikërisht Shehi, në krye të LZHK-së krijoi një profil individual ku  përveçse alternativë e PS-së, kritikoi ashpër Sali Berishën, duke arritur kështu të krijojë një individualitet brenda së djathtës, që i dha Shehit një numër të rëndësishëm votash, kryesisht në Tiranë, që e ktheu në faktor politik, kryesisht në garat për kreun e bashkisë së Tiranës.

Por me kalimin e kohës forca e Shehit ra, sidomos kur ai u bë pjesë e establishmentit të PD-së zyrtare, kryesisht me Lulzim Bashën. Aktualisht forca reale e LZHK-së nuk dihet ngaqë prej vitit 2013, Dash Shehi ka garuar vetëm si pjesë përbërëse e PD-së pa qenë de jure brenda saj. Ai në udhëheqjen Basha ka qenë një element i enturazhit të kreut të PD-së dhe jo një frymë politike e pavarur e së djathtës.

PDr e Genc Pollos, doli në 2001 si një linjë politike që rivalizoi Sali Berishën dhe politikën e tij zyrtare, duke kërkuar që të mblidhnin rreth vetes ata zyrtarë të PD-së që nuk e shikonin Sali Berishën si një zgjidhje politike. Në këtë parti përveç Genc Pollos si emra të tjerë ishin Tritan Shehu, Nard Ndoka, Ferdinand Xhaferi, etj që arritën t’i japin 7 deputetë në zgjedhjet e 2001.

Katër vjet më pas Berisha i rimori në parti për të siguruar fitoren në 2005 dhe ky grup pranoi të ishte pjesë e qeverisjes së PD-së, duke e braktisur kauzën e krijimit.

Në vitin 2012, Bamir Topi, formoi Frymën e Re Demokratike kur mbylli mandatin e Presidentit, pati një rritje fillestare kur Topi ishte faktor kritik i fortë i Sali Berishës, por më pas kjo fuqi ra dhe sot ajo është një parti më shumë e padukshme.

Sot ne kemi 4 partitë e reja, të cilat mbijetesën do ta sigurojnë pikërisht nga votat që do të marrin me 25 prill.

Vota që nuk është sekret që duan t’i marrin më shumë nga të pakënaqurit e Lulzim Bashës sesa ata të Edi Ramës.

Këtë atmosferë e ka lehtësuar edhe vetë Basha, i cili në pamundësinë për të dezintegruar politikisht PS-në e Ramës, si pasojë e luftës së egër ndaj tij dhe mos rinovimit real të PD-së, që si gogol nga ana tjetër ka rrezikun e “kthimit të Berishës dhe Metës në pushtet, u ka dhënë një “armë” ish-drejtuesve të PD-së se ata nëse nuk do të largoheshin, partia që drejton sot Basha do të ishte më e prirur drejt fitores së zgjedhjeve.

Moda e krijimit të partive të “ish-ëve” në Shqipëri nuk ndalet, ngaqë pushteti i kryetarëve është forca kryesore që e shtyn këtë fenomen.

Por, realisht si kryetarët, ashtu dhe ish-pushtetarët që tentojnë të garojnë me partitë e tyre “të reja”, janë realisht grupime të elitës ekzistuese të vendit.

Ata që kanë qeverisur me Sali Berishën nga 2005-2013, e jo vetëm që nuk e kundërshtuan, mendojnë se ajo ishte një periudhë e “lavdishme”, por gjithçka u prish sipas tyre kur u nda keq “gara për fronin” pas largimit të “mbretit”-pra Sali Berishës.

Të larguarit nga PD duan një garë tjetër për trashëgiminë e PD-së pasi e quajnë të manipuluar betejën “Olldashi-Basha”. Por këtë trashëgimi, Sali Berisha ka refuzuar ta shpërndajë ndaj edhe ndikoi në garën Olldashi-Basha, duke preferuar kryetarin aktual të PD-së.

Por a do të japë “izmën” doktori nëse Basha nuk do të arrijë të bëhet kryeministër, që të thërrasë ish-bashkëpunëtorët e tij për t’i dhënë çelësat e selisë blu?! Ka shumë pak gjasa të ndodhë kjo. Nëse Basha bëhet kryeministër gjithçka zerohet dhe natyrisht nuk do të flitet më për parti e për përçarje ngaqë pushteti i “shëron” të gjitha.

Por nëse nuk ndodh kjo, ka shumë mundësi që PD-ja të marrë një derivë më ‘revolucionare”, një forcë edhe më radikale se ç’është aktualisht, një parti që brenda të ketë grupin e Berishës dhe Metës, drejt një “frankeshtajni” populisto-djathtist.

Një model i njëjtë si “rrënja” e kësaj partie që sot funksionon në dukje si institucion mediatik, por që vetëm e tillë nuk është. Madje ka luksin që nëse i dështon apo përzënë një të ftuar VIP e zëvendësojnë shpejt e shpejt me kreun e shtetit.  

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore