Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Rritja e çmimeve po prek të varfërit

Rritja e çmimeve po prek të varfërit

JAYATI GHOSH - Inflacioni i çmimeve të ushqimeve ka shkaqe më komplekse se rritja e çmimeve të produkteve të tjera dhe adresimi efektiv i tyre kërkon një set strategjish të ndryshme. Por, qeveritë e vendeve të pasura nuk po e diskutojnë mjaftueshëm këtë problem dhe si rezultat po e vuajnë vendet e varfra.

Pyetja se cila është rruga më e mirë për të kontrolluar rritjen e çmimeve është rikthyer sërish në axhendën e politikave ekonomike dhe opinioni është i ndarë. Rryma kryesore është ajo që bën thirrje për politika monetare më të ashpra dhe rritje të normave të interesit, reduktim të likuiditetit dhe parave që qarkullojnë në treg, edhe sikur kjo të pengojë rimëkëmbjen ekonomike që ka nisur në shumë vende. Të tjerë argumentojnë se ky nivel i inflacionit është i përkohshëm për shkak të çoroditjes së zinxhirit të furnizimit e tregut të punës dhe shpejt do të vetëkorrigjohet.

Në vendet e pasura, politikat ende bazohen te mjetet makroekonomike për të luftuar inflacionin. Por, rritja e çmimeve të një grupi produktesh ndryshon nga një grup tjetër; ushqimet. Ky fenomen jo vetëm që ka një ndikim më të madh te jeta e përditshme e njerëzve, sidomos në ekonomitë në zhvillim, por edhe reflekton shkaqe komplekse dhe adresimi i këtij problemi në mënyrë efikase kërkon nëj sset strategjish të ndryshme.

Por, fatkeqësisht qeveritë nuk po e diskutojnë këtë problem mjaftueshëm. Ky neglizhim është shqetësues. Në fund të 2021, indeksi i çmimeve të ushqimeve sipas, FAO, organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Agrikulturën ishte më i larti në një dekadë dhe shumë pranë rekordit të qershorit të 2011-s, ku shumë paralajmëruan për një krizë globale ushqimi. Rritjet e çmimeve vitin e kaluar ishin të menjëhershme. Nga 2015 deri në 2020, çmimet e ushqimeve kanë qenë stabël dhe relativisht të ulta. Por, në 2021 ato u rritën me një mesatare prej 28 për qind. Rritjen më të madhe e pësuan drithërat dhe mielli, më pas perimet, sheqeri, mishi e kështu me radhë.

Aktualisht, inflacioni i ushqimeve është më i lartë se indeksi i përgjithshëm i inflacionit dhe ky është një alarm domethënës nisur nga fakti që në 2021 u raportua një ulje e pagave të punonjësve për shkak të pandemisë, sidomos me vendet me të ardhura të vogla, ose të mesme. Ky kombinim vdekjeprurës po ushqen një katastrofë urie dhe kequshqyerje në shkallë globale.

Ka shumë arsye për rritjen e çmimeve të ushqimeve. Disa lidhen me problemet në zinxhirin e furnizimit, sidomos transporti. Çmimi i energjisë gjithashtu është një faktor përcaktues i kostos së prodhimit dhe transportit të ushqimeve. Rritja e fortë e çmimeve të karburanteve dhe energjisë në 2021 preku edhe çmimet e ushqimeve.

Këtyre faktorëve u shtohen edhe ndryshimet klimatike dhe moti ekstrem, që po prek gjithnjë e më shumë prodhimin. Në mars të 2021, FAO paralajmëroi se katastrofat natyrore të lidhura me ndryshimet klimatike, si përmbytjet dhe thatësirat po kërcënonin furnizimin me prodhimet e agrikulturës. Në vitet e ardhshme ndryshimet klimatike do të ndikojnë edhe më shumë në këtë drejtim, sidomos në Afrikë dhe Azi. Ky kërcënim kërkon një qasje globale më agresive në drejtim të ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale. Ky bashkëpunim duket i pamundur.

Faktorë të tjerë që kontribuojnë në rritjen e çmimeve të ushqimeve janë edhe politikat dhe ligjet e vendeve të caktuara. Kjo përfshin politikat e vendeve të zhvilluara për të mbushur depozitat me ushqime, nga frika e pandemisë dhe e çoroditjes së zinxhirit të furnizimit.

FAO parashikoi në nëntor se për 2021 fatura e qarkullimit të mallrave ushqimore ishte më e madhja në të gjitha kohërat, plot 1.75 trilionë dollarë, ose me një rritje me 14 për qind në krahasim me 2020. Arsyeja tjetër është spekulimi i tregjeve dhe abuzimi me çmimet.

Përktheu nga Project Syndicate Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore