Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Pse nuk vaksinohen shqiptarët?

Pse nuk vaksinohen shqiptarët?

Ndërsa pandemia COVID-19 përparon, një ndarje gjithnjë në rritje mes Europës Perëndimore dhe asaj Lindore për sa i përket vaksinimit po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Por, çfarë e nxit këtë dallim? Shkalla e vaksinimit kundër COVID në Shqipëri ra me 40 për qind në tetor krahasuar me shtatorin dhe gushtin, teksa vendi përpiqet të arrijë 50 për qind të të vaksinuarve me të dyja dozat.

Normat e vaksinimit arritën kulmin në 7,500 në ditë në korrik dhe 8,800 në gusht dhe shtator. Gjatë kësaj kohe, qeveria mandatoi vaksinimet për studentët mbi 18 vjeç, punonjësit e kujdesit shëndetësor, mësuesit, policinë dhe administratën shtetërore. Por në vend që të nxisë rritjen e vaksinimit, ky vendim duket se ka pasur efektin e kundërt.

Aktualisht, 47 për qind e popullsisë mbi 18 vjeç kanë marrë një dozë të një vaksine, ndërsa vetëm 41.3 për qind i kanë marrë të dyja dozat. Personat mbi të 60-at janë më të vaksinuarit për sa i përket demografisë, por marrja e tyre mbetet e ulët tek brezi i ri.

Për normat e ngadalta të vaksinimit janë fajësuar dezinformimi dhe teoritë konspirative të qarkulluara. Drejtuesja e programit kombëtar të vaksinimit, Erida Nelaj, tha se njerëzit ngurrojnë që të dëgjojnë këshillat e mjekut, apo ato shkencore.

“Qarkullimi i miteve është shumë i dëmshëm në këtë situatë. Ndonjëherë njerëzit dëgjojnë atë që duan të dëgjojnë, ose ata dëgjojnë diçka të gabuar, por ju pëlqen dhe fokusohen tek ajo dhe e përdorin si një element për të mos u vaksinuar, kur duhet në të vërtetë që të dëgjojnë shkencën, të dëgjojnë mjekët”, tha ajo.

Shërbimi Informativ Shtetëror konstatoi në një raport se pandemia është shoqëruar me “fushatë dezinformuese agresive që ndikuan negativisht në reagimin dhe perceptimin e publikut për rrezikun real të pandemisë”.

Shifrat e ulta të vaksinimit minojnë objektivin e Qeverisë, për të vaksinuar mbi 70 për qind të popullsisë mbi 16 vjeç brenda muajit shkurt të vitit të ardhshëm.

Por, në këtë situatë nuk është vetëm Shqipëria. Bullgaria dhe Rumania gjithashtu po hasin vështirësi me vaksinimin. Bullgaria renditet e dyta në BE për vdekjet e lidhura me COVID-19 gjatë muajit të fundit dhe e fundit për sa i përket vaksinimit, me vetëm 21 për qind që i kanë marrë të dyja dozat. Midis personelit mjekësor, vetëm 70 për qind e mjekëve janë plotësisht të vaksinuar dhe disa madje përhapin teori konspirative, ose informacione jo të bazuara në shkencë.

EURACTIV Bullgaria raportoi se disa mjekë të përgjithshëm rekomanduan që njerëzit me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna të mos vaksinohen, e kundërta e asaj që ka sugjeruar komuniteti shkencor ndërkombëtar.

Në Rumani, situata është po aq e rëndë. Rastet dhe vdekjet me COVID-19 kanë arritur nivelet më të larta të të gjitha kohërave, ndërkohë që sistemi shëndetësor është afër kolapsit. Mjekët dhe politikanët kanë fajësuar dezinformimin dhe mosbesimin tek autoritetet për numrin e ulët të të vaksinuarve në popullatë.

Në Serbi, vetëm 43 për qind janë të vaksinuar, edhe pse Serbia ishte vendi i parë në rajon që filloi vaksinimin masiv. Numri është edhe më i ulët në Bosnje-Hercegovinë, ku vetëm 15 për qind i kanë marrë të dyja dozat. Histori të ngjashme mund të shihen në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.

Shifrat tregojnë se ka një kontrast të fortë me Europën Perëndimore që nuk lidhet me sasinë e vaksinave, apo pamundësinë për sigurimin e tyre. Në Spanjë, 79 për qind e popullsisë janë plotësisht të vaksinuar. Ndërkohë, Franca ka arritur në 69 për qind, Britania e Madhe 68 për qind, Italia 72 për qind, Malta 85 për qind.

Cili është problemi në Ballkan?

Bullgaria, Rumania, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Kroacia ishin nën sundimin komunist deri në vitin 1990. Gjatë këtyre periudhave, autoritetet sundonin me grusht të hekurt dhe vendimet dhe udhëzimet iu imponuan qytetarëve kundër vullnetit të tyre.

Demokracia në rajon është ende e brishtë dhe mosbesimi ndaj qeverive ushqehet gjithashtu nga korrupsioni i përhapur dhe mospërfillja e shtetit ligjor.

Një studim i vitit 2021 i London School of Economics zbuloi se vendet me të kaluarën komuniste ishin të lidhura me uljen e besimit te vaksinat. Ata zbuluan se sa më gjatë të ishte ekspozuar një person, apo shoqëri ndaj një regjimi komunist, aq më pak besim kishin te vaksinat.

Ka mosbesim dhe skepticizëm më të madh në rajon krahasuar me pjesën tjetër të Europës. Kjo mund të lidhet me dezinformimin e koordinuar, por edhe me një mungesë të konsiderueshme besimi në qeverisje, që buron pikërisht nga e shkuara komuniste e këtyre vendeve.

Si shembull në Shqipëri, skepticizmi publik në Shqipëri është përkeqësuar më tej nga mospërputhjet e dukshme në raportimin e vdekjeve dhe rasteve. Në janar 2021, INSTAT tha se vdekjet u rritën me 26 për qind në 2020-n krahasuar me një vit më parë.

Variabli primar midis 2019 dhe 2020 ishte pandemia COVID-19. Problemi është se qeveria regjistroi publikisht vetëm 1,315 vdekje nga COVID-19 gjatë vitit. Kjo lë rreth 4,700 "vdekje të tepërta".

Tendenca vazhdoi në vitin 2021. Gjatë tre muajve të parë të vitit, u raportuan 9,657 vdekje, një rritje prej 35 për qind krahasuar me numrin mesatar prej 6,414 vdekjesh në të njëjtën periudhë në katër vitet para pandemisë.

Qeveria raportoi 1,810 vdekje nga COVID-19, duke lënë 1,433 vdekje të tepërta. Një tjetër shqetësim është incidenca e testeve pozitive. Deri më tani, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se rreth 180,000 njerëz janë diagnostikuar me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë. Por në sondazhe zbulohet se 37.8 për qind e pjesëmarrësve raportuan se kishin pasur COVID-19, ose baraz me 830,000 qytetarë të Shqipërisë.

Burimi EurActiv - Përktheu Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore