Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Premtimet e Bashës: Rikthim te skema “Berisha”, bamirësi pa fund, por jo një plan ekonomik

Premtimet e Bashës: Rikthim te skema “Berisha”, bamirësi

Një pjesë të premtimeve i kishte bërë publike Lulzim Basha, siç është ajo e rritjes së pagave dhe pensioneve. Kur e pyesnin gazetarët se cilat janë premtimet e tjera, deklaroi se do t’i bënte publike së shpejti.

Sot kur shpalli programin ekonomik të PD-së për zgjedhjet e 25 prillit, Lulzim Basha megjithatë tha se ka akoma për të thënë, duke lënë sërish gjëra misterioze.

Megjithatë mund të thuhet se pjesa më e madhe “thesit” të PD-së për premtimet e 25 prillit u hap.

E nga ky “thes” mund të dalin këto përfundime: kishte shumë premtime bamirësie, pra sikur kryeministri i ardhshëm do të hapë thesin e buxhetit e do të shpërndajë para majtas e djathtas, por asnjë vizion politik se ku do të shkojë ekonomia shqiptare e goditur nga dy zhvillime të rënda: tërmeti i 2019 dhe pandemia e Covid-19.

Edhe pse sipas organizatave botërore ekonomia shqiptare ka rënë në më shumë se 6%, dhe natyrisht arka e shtetit do të jetë disa fish më e varfër Lulzim Basha premton se do të gjejë lekë dhe do t’u japë disa shtresave shoqërore.

Po në fakt, kjo është punë e Bashës, media ka të drejtën të japë opinionet e veta e në fund janë qytetarët që do të vlerësojnë nëse do t’i besojnë apo jo.

Megjithatë, edhe në “thesin” e premtimeve kishte disa gjëra të qarta, por edhe disa të paqarta e natyrisht që nuk shpjegoheshin të paktën në vija të trasha, por dukeshin se ishin hartuar me shpejtësi nga disa ekspertë marketing.

Të qarta ishin premtimet në lidhje me logjikën fiskale: PD premton rikthimin te taksa e sheshtë e Berishës dhe Ridvan Bodes për të ardhurat personale. Kush fiton 10 e kush fiton 100 do t’i japin tatimeve 9% të rrogës. Për tatim-fitimin Basha tha se do të jetë 9% e kjo është ajo që në fakt është më e rëndësishmja, pasi është taksa që prek atë që ka biznes. Kjo është e qartë. E qartë tjetër ishte rikthimi i skemës së qeverisë “Berisha” për energjinë. Pasi do të rikthehet ulja e çmimit të energjisë për ata familjarë që shpenzojnë më pak se 300 kilovat orë në muaj.

Me një fjalë të rikthehet skema e komplikuar me dy çmime. Për këtë ka diskutime e polemika të shumta, por megjithatë ja vlen një debat mes ekspertësh.

Ajo që ishte e paqartë në premtimet e sotme të PD ishte se ata që kanë rroga mbi 60 mijë lekë në muaj do të përfitojnë nga ulja e taksave sa gjysma e pagës pra 30 mijë lekë. Kjo duket si spekulim përderisa nuk pati një shpjegim shterues, pasi nuk ka mundësi që me një lëvizje fiskale të fitohet gjysma e rrogës. Edhe Rama që e përdori në 2013 taksën progresive për punonjësit e administratës si “karrem elektoral” ua shpjegoi me shifra konkrete. Dhe shifra më e madhe ishte 4 mijë lekë në muaj.

Kurse dy nga premtimet më të bujshme ishte 30 mijë lekëshi në muaj për çdo familje që lind fëmijën, por nuk shpjegohen se sa muaj do të zgjaste dhe ajo e kredive të shtëpive.

Pra qeveria do të marrë përsipër që të paguajë interesat bankare të kredive që një familje do të marrë për blerjen e shtëpive. Ky është një premtim i bujshëm, por natyrisht është një premtim i çuditshëm.

Nëse një familje merr një kredi 30 mijë euro për 25 vite, në fund paguan afërsisht 40-42 mijë euro. Nëse qeveria paguan 12 mijë euroshin e interesit do të ishte një lajm i bujshëm e që realisht përbën një shpikje botërore.

Problemin e strehimit, përgjithësisht qeveritë e zgjidhin ose duke ndërtuar banesa e duke ua falur qytetarëve, ose duke dhënë para ‘cash’ për të mbuluar 100% ose pjesërisht blerjen e tyre.

Në Europën Perëndimore kjo është zgjidhur dhe të gjithë emigrantët tanë që jetojnë në Britani, Gjermani, Francë, Belgjikë etj, e dinë hollësisht programin e strehimit që është përgjithësisht nismë e pushteteve vendore. Ideja e pagesës së përqindjeve, ka shumë gjasa të nxisë “kompanitë piramidale”, pasi ngjan si skenat e Gjallicës apo VEFA-s që merrnin para dhe i kthenin me përqindje më të mëdha.

Megjithatë, për të gjitha këto premtime, përgjegjësia është e PD-së dhe ekspertëve që i ka përgatitur, të cilët deri më 25 prill do t’i shpjegojnë në publik. E rëndësishme është se tashmë përmbajtja, argument, është kthyer në bazën e politikës së PD-së. e kjo realisht është një zhvillim i rëndësishëm.

Pastaj “lirimi i dorës” së premtimeve nuk se përbën një fenomen të ri, thjesht do të jetë një material i bollshëm për Portokallinë./ Gazeta Shqip

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore