Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Politika pas dëbimit të Novak Gjokoviç

Politika pas dëbimit të Novak Gjokoviç

Çfarëdo zgjedhje që të kishte bërë me Novak Gjokoviç, qeveria australiane nuk do të dilte kurrë mirë, ashtu siç nuk doli me vendimin për ta dëbuar sportistin. Qeveria u ngrit e gjitha në këmbë që kur Novak Gjokoviç njoftoi se do të udhëtonte për të mbrojtur titullin e tij në Australian Open.

Vendimi për të anuluar vizën e Gjokoviçit, pasi një gjykatë më parë vendosi në favor të tij, ka të bëjë më shumë me ruajtjen e imazhit përballë qytetarëve dhe votuesve australianë në një vit zgjedhor. Për ta arritur këtë, qeveria është e përgatitur të durojë çdo pasojë diplomatike, siklet ndërkombëtar dhe zemërimin e mbështetësve të Gjokoviçit.

Gjatë dy javëve të fundit, qeveria federale ka qenë e vendosur të theksojë vetëm në një pikë: askush nuk është mbi rregullat. As numri një në botë për meshkuj në tenis. Një parim i thjeshtë, i drejtpërdrejtë. Por mënyra se si u trajtua ka qenë një tjetër gjë.

Përpara se të mbërrinte Gjokoviç, kryeministri Scott Morrison tha se lojtari "do të ishte në aeroplanin tjetër për në shtëpi" nëse dokumentet e tij nuk ishin të rregullta me mbërritjen në Melburn. "Rregullat janë rregulla," përsëriti Morrison kur viza e Gjokoviçit iu hoq të nesërmen, më 6 janar.

Kur Gjokoviç kundërshtoi vendimin, Morrison tha se ishte në dorën e gjykatës për të vendosur. Por, papritmas pozicioni i qeverisë filloi të lëkundej. Qeveria e Morrison u përball me një shqyrtim të hollësishëm në gjykatë mbi arsyet se pse nuk e kishte ndaluar Gjokoviç që pa hipur në avion.

E gjithë kjo mund të kishte përfunduar kur gjyqtari Anthony Kelly vendosi në favor të Gjokoviçit duke përmendur një shkelje proceduriale në procesimin e vizës së tij në Aeroportin e Melburnit dhe urdhëroi qeverinë të rivendoste t’ja rivendoste dhe lironte nga paraburgimi.

Por, kjo nuk ndodhi. Ministri i Emigracionit, Alex Hawke kishte mundësinë të përdorte fuqitë e tij ekzekutive për të anuluar vizën dhe për të dëbuar Gjokoviçin dhe ishte pikërisht kjo që bëri. Është thënë shumë për motivimin pas kësaj kryesisht se është një vendim politik dhe i tillë ështe. Është e pamundur t'i shpëtosh politikës në këtë rast.

Ka dy gjëra për t'u marrë parasysh nga fronti qeveritar.

Së pari, sikleti i thellë që i ka shkaktuar ky rast administratës së Morrison. Për australianët dhe në të vërtetë për gjithë botën, politikanët duken sikur po vendosin e zbatojnë rregulla që as ata vetë nuk i kuptojnë, ose janë të paqarta.

Një pjesë e qeverisë, shteti i Viktorias po merrte vendime për të organizuar Australian Open, në një kohë që ishte në izolim. Zyrtarët federalë deklaronin të kundërtën, ndërsa organizatorët e turneut u ankuan se ishin zënë mes dy qëndrimeve të kundërta.

E dyta ka të bëjë më shumë me Covid-in dhe më pak me tenisin. Australianët janë të tronditur, të lodhur dhe të tërbuar nga masat shtrënguese ekstreme. Dy shtetet më të populluara të Australisë, New South Wales dhe Victoria kanë raportuar dhjetëra mijëra raste për javë me radhë.

Klinikat e testimit janë ende në vështirësi dhe numri i vdekjeve po rritet gjithashtu. Megjithëse nuk është në shkallën, të themi të Europës apo SHBA. Por, kjo është Australia, një vend që imponoi disa nga rregullat më të rrepta Covid në botë. Një vend ku, ndonjëherë, një rast i vetëm mund të shtyjë një qytet ose shtet të tërë në mbyllje.

Australianët tani ndihen të braktisur. Ata ndihen sikur gjërat u janë kthyer shumë për keq dhe kaq shpejt. Shumë thonë se kanë bërë gjithçka që u është kërkuar nga Qeveria. Ata u vaksinuan dhe tani po marrin përforcuesit e tyre, por prapëseprapë, varianti Omicron është i shfrenuar rreth tyre duke bërë që shumë njerëz të pyesin se çfarë mund të ishte bërë më mirë.

Tani krahasojeni atë foto kundër një ylli tenisi që tha publikisht se e kundërshtoi vaksinën dhe që pranoi se kishte thyer rregullat e izolimit, ndërsa ishte pozitiv me Covid dhe se kishte dhënë informacion të rremë në formularin e deklaratës së tij të udhëtimit.

Gjokoviç tha në deklaratën e tij atë javë se e mësoi më 17 dhjetor që ishte pozitiv. Por deklarata e betuar që ai paraqiti në gjykatë thoshte se testi pozitiv u konfirmua një ditë më parë, më 16 dhjetor. Nëse do të ishte një tjetër, përpos një i famshëm a do të kishte ndonjë mundësi që të hynte në Australi? Përgjigja e thjeshtë është jo.

Nuk ka dyshim se qeveria e Scott Morrison ka dalë e humbur nga kjo histori. Përplasja politike midis qeverive të shteteve dhe asaj federale; prishja e komunikimit; paqartësia e rregullave që zbatohen dhe për kë zbatohen dhe në mes të gjithë kësaj një sportist i famshëm i pavaksinuar që ka thyer rregullat e Covid. Gjithçka krijon një pamje të rrëmujshme që politikanët janë përpjekur të sqarojnë.

Duke pasur parasysh gjithçka që dihet deri më tani, Qeveria e Morrison do të kishte pasur shumë më tepër telashe për të shpjeguar nëse nuk do t'ia anulonte vizën Novak Gjokoviçit.

Marrë nga BBC - Përktheu Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore