Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Përse hesht Basha për koncensionet e shëndetësisë, që do të paguhen në buxhetin e 2021?!

Përse hesht Basha për koncensionet e shëndetësisë,

Qeveria miratoi dje draftin draftin për buxhetin e shtetit 2021. Ligj që kur të miratohet nga Kuvendi ai bëhet edhe “Kushtetuta” reale e një vendi pasi tregon se sa lekë i merr qeveria qytetarëve nëpërmjet tatimeve dhe taksave e sa i jep nëpërmjet pagave, subvencioneve apo investimeve etj etj.

Në çdo vend të botës, miratimi i një buxheti sjell edhe debatin më të rëndësishëm të vitit; politika bën përballjen, sqarimin dhe alternativat e saj, ndërsa mediat udhëheqin një debat të gjerë në opinionin publik në lidhje me faktet se sa fryhen e sa “shpohen” xhepat e njerëzve.

Por tek ne, si edhe në aspekte të tjera, gjërat shkojnë përmbys. Askush nuk flet për buxhetin, e në radhë të parë opozita që është dhe kandidatja për të marrë në dorë zhvillimin e vendit.

Shikoni partitë e opozitës, e në veçanti kreun e PD-së Lulzim Basha. Ka disa ditë që del ditë për ditë në konferencë me gazetarët, madje përdor edhe slajde e skema nëpërmjet ekranit, por asgjë në lidhje me hapjen e debatit për buxhetin, oponencën reale e të detajuar, por edhe alternativën sesi do ta bënte më mirë PD-ja.

Në draftin e buxhetit, qeveria ka planifikuar të paguajë 14.46  miliardë lekë ose 120 mln për pagesat për 13 kontrata koncesionare që janë aktive dhe për këto asnjë fjalë nuk thuhet nga Lulzim Basha.

Në ligjin e buxhetit, ndryshe nga ky vit ku si pasojë e tërmetit dhe pandemisë u pezulluan disa nga PPP-të e bujshme me një vlerë prej 7.9 miliardë lekë, por sipas buxhetit 2021, të gjitha këto do të rinisin vitin e ardhshëm.

Pagesat për koncesionet në vitin 2021 qeveria i ka parashikuar në buxhet sa gati 16% të totalit të shpenzimeve kapitale të planifikuara. Dhe as për këto Lulzim Basha nuk flet asnjë fjalë.

Në buxhetin e ri janë pasqyruar bollshëm katër koncesionet e shëndetësisë: check-up, sterilizimi, dializa dhe ai i laboratorëve që së bashku do paguhen me  4.6 miliardë lekë, ose 37 milionë euro, sa një e treta e gjithë pagesave për koncesionet në 2021. Por askush nuk e ka dëgjuar Bashën, që të flasë gjysëm fjale për to.

Më i shtrenjti ndër to është sterilizimi, për të cilin në buxhet janë parashikuar 1.7 miliardë lekë. Kurse koncesioni i laboratorëve do të marrë 1.28 miliardë lekë  në 2021. Check up dhe Dializa do të marrin përkatësisht  876 milionë lekë dhe 779 milionë lekë.

Qeveria ka planifikuar që të nisë punimet edhe për rrugën Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat me respektivisht 65 milionë lekë dhe 394 milionë lekë. Të dy koncensione mjaft të debatuara dhe të cilësuara si “jo urgjente”. Po as për këtë opozita e Basha nuk kanë thënë sërish asgjë deri tani.

Koncensioni i skanimit në dogana do të “hajë” edhe këtë vit 1.58 miliardë lekë, nga 1.14 miliardë që mori për 2020-n. Edhe për këtë konçension, i cili i gllabëron shqiptarëve miliarda çdo vit që nga 2012-a, Lulzim basha nuk ka thënë asnjë fjalë.

Duke mos qenë në Parlament, nuk është mundësia për të paraqitur amendamente që të sfidojë qeverinë dhëmb për dhëmb, por gjithsesi, logjika e parashtrimit në publik do të sillte një qartësim më të madh për opinionin që më 25 prill do të votojë për qeverisjen e 4 viteve të ardhshme.

Rënia e kavallit me një vrimë, siç është odiseja tashmë e përditshme e çështjes së impianteve të përpunimit të mbetjeve, duket e pakuptueshme pasi PD i ka konsumuar si opozitë mjetet e saj politike. Vijimi i përditshëm, duket si një logjikë adoleshentësh e një përplasje pa fund me mazhorancën se kujt “do ti dalë e saj”.

Realisht Rama kërkon pikërisht këtë, që të bëjë luftë dhëmb për dhëmb me rivalët e tij për një çështje, duke e kthyer këtë betejë në epike dhe me lajle e lule, apo shovv, që ai di ta bëjë mirë.

E në vend që të bëhet debati apo beteja mbi problemet reale që shqetësojnë qytetarët, kthehet në në një “maratonë plehrash” që nuk përmbush shqetësimet e njerëzve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në daljet e tij publike, ku ka sulmuar shpesh Lulzim Bashën ka deklaruar se kreu i PD-së braktisi betejën që nisi për tarifën e rrugës së Kombit, betejën e Astirit, apo për vilat e Lalzit, të Dhërmiut etj etj.

E në fakt, diapazoni i këtij diskursi, mund të zgjerohet edhe me koncensionet në shëndetësi, që janë shtruar shpesh nga ana e PD-së por tani duket janë harruar, çështja e kontratës së qeverisë për rrugën e Unazës së Re, ku edhe u nisën hetime dhe u pezulluan disa herë kontratat për fituesit e tenderave etj.

Batarenë e madhe e akuzave ndaj qeverisë, PD e harxhoi për një kauzë të humbur siç ishte “revolucioni i 2019”-s, por që tani, të gjitha këto çështje duken si të “epokës së neolitit”, duke i shkaktuar mungesë materiali për fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore