Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Përkthimi politik i mesazhit të Yuri Kim: O konsensus, o “vdisni” politikisht

Përkthimi politik i mesazhit të Yuri Kim: O konsensus, o

Qëndrimi politik i ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, një ditë para 30 korrikut nuk duket se le shumë hapësirë për një manovrim nga forcat politike.

Ajo e bën të qartë se ka kërkuar qartë e prerë të miratohet në Kuvend dhe të zbatohet marrëveshja e 5 qershorit, për të cilën u investua personalisht, ndërkaq nga ana tjetër i lë një shteg të lirë opozitës parlamentare për të miratuar atë që ajo ka pasur kauzë politike që në fillim të hyrjes në Kuvend, kur shefat e saj politik të asaj kohe vendosën për tu larguar nga Parlamenti dhe institucionet.

Dhe këtë ambasadorja e SHBA e thotë më shumë se troç. “Edhe pse ata të cilët ‘dogjën mandatet e tyre’, bazuar në përkufizimin e kësaj, kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament, nuk mund të injorohet fakti se ata, gjithsesi, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të votuesve shqiptarë. Për këto arsye, ne e kemi lavdëruar marrëveshjen e 5 qershorit, të arritur nëpërmjet bisedimeve ndër-partiake; përshëndetëm miratimin në Parlament në 23 korrik të kodifikimit të marrëveshjes së 5 qershorit; dhe nënvizuam gjithë përfshirjen dhe transparencën me të cilat partitë arritën marrëveshjen e 5 qershorit duhet të jenë norma në marrjen e veprimeve të rëndësishme kombëtare”.

Një deklaratë që i jep Lulzim Bashës një legjitimitet politik të rëndësishëm, por jo “carta biancha”.

Që do të thotë se opozita jashtë parlamentare duhet të ketë peshë vetoje në negociatat për çdo ndryshim kushtetues dhe zgjedhor, por nuk mundet që ta përdorë këtë “pushtet” të dhënë nga ndërkombëtarët për të bllokuar procese siç ka ndodhur në të shkuarën.

“Drejtuesit përkatës kanë deklaruar se çdo veprim i Parlamentit nesër nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Të gjitha partitë duhet të vazhdojnë të përfshihen, në mënyrë që ligjet të cilat do të miratohen në fund, të jenë rezultat i një procesi transparent dhe përfshirës, në interes të të gjithë popullit shqiptar, dhe që e çojnë vendin përpara në rrugën demokratike – ky është një detyrim që udhëheqësit shqiptarë e kanë përpara popullit shqiptar”.

Shkurt e troç, ambasadorja Kim, i ka dhënë një hapësirë të madhe Lulzim Bashës që të ketë prioritet në negociatat me qeverinë për garancitë që opozita jashtëparlamentare që kërkon për zgjedhje, i ka hapur një shteg opozitës së Hajdarit e Murrizit për të realizuar kauzën politike të listave të hapura, por i ka dhënë një paralajmërim mazhorancës së Edi Ramës, se nuk duhet të luajë me pozitën e shumicës në Kuvend që të miratojë amendamente kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, që opozita e Lulzim Bashës nuk i pranon.

Me një fjalë, logjika e SHBA është e qartë: o konsensus, o “vdisni” politikisht se nuk jeni për këtë punë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore