Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Perëndimi është më i përçarë me SHBA në zgjidhjen e problemeve të Ballkanit

Perëndimi është më i përçarë me SHBA

Kur Bota Perëndimore dhe organizatat e saj shumëpalëshe si Bashkimi Europian dhe NATO përcaktojnë politikën e tyre të jashtme, gjithmonë shtrohet pyetja se çfarë dominon, vlerat ose interesat? Vlerat e parimet kanë qenë baza e NATO-s dhe BE-së. Karta e Atlantikut dhe Traktati i Atlantikut të Veriut u referohen shprehimisht parimeve themeluese.

BE-ja ka një katalog më të detajuar vlerash, të rrënjosura në Kartën e të Drejtave Themelore, si sundimi i ligjit, liria individuale duke përfshirë lirinë e shprehjes dhe fesë, të drejtat e pakicave, të drejtat seksuale, etj. Të mos harrojmë se sfondi themelimit të saj dhe NATO-s ishte Lufta e Tmerrshme Botërore 2, e cila qe rezultat i shkeljeve ekstreme të të drejtave themelore të njeriut dhe të nacionalizmit ekstrem. Organizatat perëndimore duhet t`i kapërcejnë këto tendenca katastrofike të së kaluarës dhe të ndërtojnë një Europë të re.

Por shtetet e organizatat kombëtare, të ngritura prej tyre, nuk po i neglizhojnë interesat politike dhe ekonomike. Sa më shumë të lëkundura të jenë këto organizata, aq më shumë interesa kombëtarë do të mbijetojnë nën sipërfaqe dhe do të ndikojnë në vendimmarrjen e saj. Kjo ka të bëjë veçanërisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Debatet e vazhdueshme brenda Bashkimit Evropian po demonstrojnë procesin e vështirë të gjetjes së politikave të përbashkëta, pasi ato janë rezultat i kompromiseve midis aspiratave të ndryshme kombëtare. Vënia në jetë e vizionit për një Union më të bashkuar, është ndërprerë.  Në mënyrë paradoksale, interesat kombëtare u forcuan paralelisht me procesin e integrimit. Kombet dhe politikanët kryesorë, të ngulitur në mënyrë të sigurt brenda BE-së, mund t`ia lejojnë vetes që të ecin vetëm nëse mendojnë se kjo u sjell dobi.

Vendi dominues i Botës Perëndimore, SHBA-ja, kanë pasur një pozicion të veçantë. Ai ka qenë historikisht krenar për krijimin e tij të orientuar drejt vlerave në luftën kundër shtypjes nga padroni kolonial. Nga ana tjetër ishte - si një fuqi e fortë ushtarake e rrethuar nga deti – gjithmonë i etur  për t`i bërë të qarta interesat e veta politikë dhe ekonomikë.

Nga doktrina Monroe e deri tek roli i tyre në dy luftërat e fundit botërore, Shtetet e Bashkuara u përpoqën të vendosen si fuqia kryesore rajonale dhe më vonë botërore. E madje luajtën policin e botës. Me Presidentin Trump dhe "Bëni Amerikën përsëri të madhe" vlerat u zëvendësuan edhe më shumë nga politikat e motivuara haptazi nga interesi. Kjo dobësoi gjithashtu efektivitetin dhe atraktivitetin e NATO-s.

Fuqitë "Lindore"

Duke e parë nga perspektiva perëndimore vendet si Rusia dhe Kina, por në një farë mase edhe Turqia, janë kryesisht të nxitura nga interesi. Ato refuzojnë shtrirjen e Perëndimit dhe sistemin e tyre të vlerave dhe duan të vendosin - në rastin e Turqisë mund të thuash të rivendosësh - ndikimin e vet, veçanërisht në rajone që nuk janë "përfundimisht" të orientuara drejt Perëndimit.

Ballkani është një shembull i qartë i një fushe konkurrence midis "Perëndimit" dhe "Lindjes". Ndërsa BE po heziton t`i përfshijë vendet e tij – edhe sepse i druhet një dobësimi të mëtejshëm të orientimit të saj drejt vlerës nga një pranim i parakohshëm - fuqitë "Lindore" filluan të luftojnë për simpatitë e shteteve ballkanike.

Sigurisht, ka dallime midis vendeve "Lindore". Rusia u referohet disa vlerave tradicionale, të krishtera ortodokse, të cilat i vë në kundërshtim me vlerat liberale, të cilat, sipas mendimit të saj, shkatërrojnë vlerat familjare dhe po i largojnë njerëzit nga origjina e vet. Kina ofron përfitime në thelb ekonomike, por megjithatë pret mbështetje kundër kritikave perëndimore për shkeljen e saj të të drejtave të njeriut.

Dhe Presidenti Erdogan, me politikën e tij neo-Otomane, po promovon interpretimin e tij ortodoks të Islamit dhe lufton kundër ithtarëve të ish-aleatit të tij Fetullah Gylen. Interesat politike dhe ekonomike mbizotërojnë, por vlerat dhe ideologjitë përdoren për të mbështetur këto interesa.

Por edhe Perëndimi ndërkohë është më i përçarë me SHBA-në që përpiqet të “kapërcejë” BE-në në "zgjidhjen" e problemeve të Ballkanit. Në fakt, iniciativat e fundit "paqësore" në rajon - si dhe ato në Lindjen e Mesme - janë më të përcaktuara nga gatishmëria për të mbështetur qeverinë aktuale izraelite - dhe disa grupe votuesish në SHBA- dhe kanë vetëm efekte anësore mbi situatën. 

Vlerat në kuptimin e ngushtë të tyre, mbeten parime udhëzuese vetëm për Bashkimin Evropian. Megjithatë, do të ishte gabim të merrej si e mirëqenë që ato  janë gjithmonë faktorët e vetëm apo edhe kryesorë të cilët përcaktojnë politikën e jashtme të BE-së. Ishte presidentja e Komisionit të BE, Von der Leyen, që në fjalimin e parë të saj drejtuar bllokut nënvizoi domosdoshmërinë për t'iu përmbajtur vlerave në politikën e jashtme, veçanërisht ndaj Rusisë.

Por vlerat dhe interesat pragmatikë janë shumë të ndërlidhura. Dhe është dilema e politikës së jashtme të BE-së, që vlerat nga njëra anë mbështeten shumë edhe nga qytetarët e saj, por nga ana tjetër, ata nuk duan që ato të rriten dhe të promovohen duke neglizhuar interesin e tyre të menjëhershëm-ekonomikë.

Një dilemë shtesë për BE-në është fakti, që në disa shtete anëtare, vetë vlerat mbi të cilat bazohet Bashkimi Europian shkelen me qëllim. Kjo minon besueshmërinë e BE-së dhe forcon ata në Ballkanin Perëndimor, të cilët gjithashtu nuk dëshirojnë të shohin ato vlera të zbatuara në vendet e tyre.

Disa brenda BE madje kanë frikë se kritika ndaj shkeljes së vlerave themelore - për shembull liria e shprehjes dhe liria e medias - do t'i shtynte këto vende në kampin e fuqive "Lindore".

Kjo e bën të vështirë për BE dhe veçanërisht Komisionin e saj, si mbrojtës i parimeve dhe ligjit evropian, të ndjekin një politikë të rreptë të orientuar drejt vlerës. E kështu, na duhet të pranojmë se promovimi i vlerave "europiane" duhet të komprometohet me interesin për t'i mbajtur këto vende në rrugën e duhur drejt BE-së.

Është naive të presësh nga BE ose një politikë të orientuar drejt vlerave ose një politikë “alla Trump” në arritjen e marrëveshjeve të pastra politike ose ekonomike. Për disa vëzhgues, politika e BE-së duket se është një shembull i mirë i një politike "me të shtyra". Por në krahasim me politikën aktuale të "partnerit" të BE-së në Perëndim dhe politikave - herë joshëse dhe herë kërcënuese - të fuqive "Lindore", baza e vlerës së politikës së jashtme të BE, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, është qartazi e dukshme.

Sidoqoftë, një orientim më i fortë i vlerës së SHBA-së dhe e ajo që do të rridhte prej kësaj, një përzierje më tërheqëse e interesave dhe vlerave në një Perëndim më të bashkuar, do t'i bënte politikat perëndimore në Ballkanin Perëndimor më efektive dhe do t'u jepte një vizion të qartë forcave progresive dhe demokratike në këtë rajon. /Euractiv/ Përkthim i @Gazeta SHQIP

Swoboda ka qenë ish-deputet i Parlamentit Europian, njohës i mirë çështjes të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore