Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Opozita e Bashës: “Misterioze”,  si dhurata e babagjyshit poshtë pemës

Opozita e Bashës: “Misterioze”,  si dhurata e babagjyshit

Mënyra sesi një lider operon në mesazhin që përcjell, përveç vizionit sjell edhe një pjesë të psikologjisë dhe karakterit personal. Edi Rama, si në mandatet e kryebashkiakut të Tiranës, ashtu edhe në atë të kryeministrit, solli jo thjesht idetë e tij, por edhe pjesë të psikologjisë së tij si njeri.

E në këtë suazë, edhe kreu i opozitës Lulzim Basha, në gjithë diskursin e tij në këto vite, e kryesisht në këto ditë të fushatës, po risjell pjesë të logjikës së tij, përgjithësisht i dyzuar dhe pa një koncept të prerë. Vizioni politik i Lulzim Bashës për të ardhur në pushtet më 25 prill, duket se është gjithnjë e më shumë nostalgjik.

Përveç nostalgjisë për të sistemuar Sali Berishën në karrigen e duhur të deputetit, edhe pse kryemonitoruesi Genc Ruli i këshilloi pensionin politik, Basha këtë sentiment e ka edhe me elementët e tjerë. Që nga slogani “Koha për ndryshim”, e deri tek logjika që shpërndau sot në një takim me studentë të Universitetit të Kamzës, se “ishte gabim zgjedhja që u bë në 2013-n”.

Pikërisht atëherë kur PD me Berishën kryeministër kërkoi mandatin e tretë. “Përsëritja e të njëjtit gabim me të njëjtin rezultat është marrëzi. Gabimi nisi në vitin 2013-të. Erdhi me premtime të mëdha me 300 mijë vende pune, me reformën e sistemit të arsimit. Vazhdoi në 2017-ën me tepsi e me timon. Tani nuk ka më kohë. Mjaft është mjaft. Tani është koha për ndryshim. Mos ndryshimi do të kishte pasoja fatale”, tha Basha para studentëve të Universitetit Bujqësor.

E pikërisht ndërsa quan 2013 një gabim, pra rotacionin politik, ai kërkon sot një ndryshim, ngaqë e konsideron si të domosdoshëm. Po përveç dyzimit botëkuptimor, opozita e Lulzim Bashës, vijon të ketë më shumë se dyzim në logjikën e organizimit apo konfiguracionit të saj në zgjedhje.

Basha edhe fizikisht nuk është parë me Monika Kryemadhin, apo edhe me krerët e tjerë të partive të vogla që kërkojnë me ngulm nëpërmjet mediave që të mbyllin formën dhe përmbajtjen e opozitës si formacion elektoral.

Kryedemokrati, edhe mund ta ketë menduar se kërkon ta bëjë surprizë “super idenë” e tij, por marrja përsipër e drejtimit të vendit nuk është emisioni “Big Brother”, ku vendimet për eliminimet jepen me tingëllima dhe atmosferë suspance.

Pasi, duhet përgatitur sa më shpejt programi, forma,  ekipi dhe logjika e ndryshimit që deri në zgjedhje në këtë vend të bëhet një debat politik sa më i hapur dhe i qartë sesi të votojnë shqiptarët. Sa lista do të ketë opozita? Kush do t’i drejtojë? Kush e drejton opozitën?  Basha, Berisha, Meta, kush do të jenë ministrat e ardhshëm? Këta janë disa nga pyetjet që në opinion diskutohen  prej kohësh, por si kreu  opozitës, ashtu edhe përkrahësit e tij në panele, nuk i rreken, por thjesht përplasen e sherrosen nëpër studio.

Opozita nuk është një dhuratë babagjyshi poshtë pemës, edhe pse për dikë brenda opozitës, qenia në krye ka qenë vërtetë një dhuratë poshtë pemës, por nga një babagjysh që kishte më shumë se elfë e drerë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore