Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Mos i mbyllni derën Ballkanit Perëndimor!

Mos i mbyllni derën Ballkanit Perëndimor!

Bashkimi Europian po jep sinjale prapakthehu në politikën e vet të zgjerimit, siç sugjerojnë raportimet nga Brukseli, që thonë se udhëheqësit e BE as e mbështesin më, as e garantojnë dot një anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke ngurruar me Ballkanin, BE po u dërgon një ftesë atyre që nuk ndajnë të njëjta norma, vlera e parime në kufijtë e vet dhe brenda hapësirës së saj kulturore e gjeografike. Ky do të ishte një hap pas në zotimet e hershme dhe ku vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shpresuar. Do të ishte gjithashtu edhe një gabim strategjik.

Luftërat e përgjakshme në Ballkan në vitet ’90, që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë ishin një kujtesë e ashpër e pasojave të nacionalizimit dhe tribalizimi. Qindra-mijëra refugjatë, bashkë me imazhet e atyre që ranë në Sarajevë, shtëpia e lojërave olimpike dimërore të 1984-s, ndihmuan në galvanizimin politik në Europë, duke hapur rrugën e anëtarësimit për këto vende. SHBA ishte një partner i fortë në këto përpjekje.

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë, dera për integrimin historik të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore u hap. Në 2004 dhjetë vende u bënë anëtare të BE, përfshirë këtu edhe katër vendet e Vishegradit, Poloninë, Hungarinë, Çekinë dhe Sllovakinë, tre shtete Balltike, Estonia, Lituania dhe Letonia dhe Sllovenia. Tre vite më vonë këtyre iu bashkua Bullgaria, Rumania dhe në 2013 Kroacia.

Vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor, Serbisë, Bosnjes, Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu ofrua një perspektivë e qartë europiane, në të njëjtën kohë si Kroacia në vitin 2003. Tani procesi ka ngecur për këto vende dhe përçarjet po thellohen, pavarësisht se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë edhe anëtare të NATO-s.

Lodhja nga zgjerimi ka bërë të veten dhe sjellja e BE-së ka ndryshuar me kalimin e kohës. Kostot e krizës financiare të 2009 dhe borxhi grek tendosën nervat. Ballkani Perëndimor vetë ka treguar shpesh se ka potencial për t’i ofruar BE-së probleme të reja. Ndjesitë anti-emigracion, konservatorizmi fiskal, gjithashtu janë përforcuar nëpër mbarë Europën dhe Brexit ka minuar shpresat për një kontinent që ndan të njëjtin fat.

Këto nuk janë çështje që mund të injorohen, por as largimi nga premtimet e dhëna nuk mund të injorohet. Ishin premtime për paqe, siguri dhe garancia e një Europe më të madhe të bazuar në vlera dhe ideale e të mbështetur nga SHBA.

Nuk ka dyshim se sfidat e integrimit janë rritur me kalimin e viteve dhe si përgjigje kërkohet më shumë durim, besim, imagjinatë dhe energji. Pritshmëritë janë të larta, sepse alternativa e kësaj rruge është regresi dret një Europe më të përçarë, të rrethuar nga fuqi që nuk ndajnë me të as interesat, as vlerat dhe as idealet. Të lësh Ballkanin Perëndimor një zonë të përhershme përplasjesh të këtyre interesave do të ishte një humbje e madhe strategjike, por e shmangshme.

Ne që po shkruajmë i jemi përkushtuar në një pjesë të mirë të karrierave tona për suksesin e projektit europian, me theks të veçantë te integrimi i Ballkanit Perëndimor. Në këndvështrimin tonë, BE nuk duhet t’i kthejë shpinën rajonit. Përkundrazi, duhet të ritheksojë ofertën e bërë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, duke punuar ngushtë me SHBA për të shtyrë përpara reformat dhe progresin e nevojshëm. Administrata Biden duhet të jetë një partnere e fortë dhe të ndihmojë në realizimin e këtij objektivi.

Tani është koha që të tregojnë një vetëbesim të rinovuar për një Europë të fortë dhe promovojmë vlerat e demokracisë, që ende frymëzojnë kaq shumë në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë botën.

Letër nga Catherine Ashton, ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE për politikën e jashtme, Misha Glenny ish-korrespondente e BBC dhe eksperte për çështjet ballkanike, Mark Medish ish-këshilltar për sigurinë në administratën e Presidentit Clinton, Alexander Rondos ish-zyrtar në qeverinë greke nga 1998 deri në 2004 dhe Ivan Vejvoda, ish-drejtor ekzekutiv i “Balkan Trust for Democracy”.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore