Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Inflacioni luftohet duke luftuar korporatat

Inflacioni luftohet duke luftuar korporatat

Nga Meg Jacobs - Që prej administratës së Presidentit Carter, politika monetare ka qenë gjithmonë mjeti kryesor që Presidentët amerikanë kanë përdorur për të ulur inflacionin, që muajt e fundit po njeh një rritje të fortë. Indeksi i çmimeve të konsumit në SHBA u rrit me 6.8 për qind vetëm në nëntor, shifra më e lartë që prej viti 1982.

Kreu i rezervës federale, Jerome Powell paralajmëroi përforcim të politikave monetare duke njoftuar planet për ndërhyrje të bankës qendrore përmes blerjes së bonove dhe rritjes së normave të interesit në fillim të vitit tjetër.

Sërish, inflacioni nuk rritet e ulet thjesht prej politikave monetare. Përgjithësisht ai është rezultat i zgjedhjeve që bëjnë bizneset dhe historia ka treguar se Presidentët kanë pushtetin që të kontrollojnë inflacionin nëse zgjedhin t’u kundërvihen korporatave.

Ndërsa Franklin Roosevelt është i njohur për ekspansionin ekonomik dhe sigurisë sociale të shoqërisë nën planin “New Deal”, ai gjithashtu mbrojti amerikanët kundër inflacionit të shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërorë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, zyra e tij e caktimit të çmimeve vendosi çmime reference për tre milionë biznese dhe më shumë se 8 milionë produkte.

U vendos gjithashtu ndalimi i rritjes së qirave për 14 milionë ndërtesa me 45 milionë banorë dhe orientuan tregun e të mirave me racione, si në rastin e mishit për të menaxhuar më mirë zinxhirin e furnizimit. Më shumë se tre të katërtat e amerikanëve në atë kohë mbështetën që këto politika të vijonin edhe pas luftës.

Kur Harry Truman humbi në përpjekjen para Kongresit për të bërë të njëjtën gjë, pati pasojë. Me ardhjen e paqes, amerikanët ishin të paduruar për të shpenzuar kursimet e ngelura gjatë viteve të luftës. Kjo shkaktoi një bum të konsumit dhe probleme në zinxhirin e furnizimit, ndërsa prodhuesit kërkonin ende kohë për të konvertuar fabrikat e tyre për qëllime civile.

Në verën e vitit 1946, pas lufte dhe pa kontrolle të çmimeve, kostoja e jetesës u rrit fort. Në korrik, çmimi i mishit u dyfishua dhe në zgjedhjet e nëntorit të atij viti, demokratët humbën kontrollin e Kongresit për herë të parë që prej vitit 1932.

Në vitin 1948, me inflacionin që arrinte në 7.7 për qind, Truman fajësoi republikanët që ishin kundër ndërhyrjeve në treg dhe që rritjen e çmimeve e argumentonin me rritjen e fortë ekonomike dhe të standardeve të jetesës për amerikanët. Në fushatën për t’u rizgjedhur në atë vit, Truman premtoi se do ta zgjerojë “New Deal” dhe do të godasë fort korporatat.

“Republikanët nuk duan kontrollin e çmimeve për një arsye të thjeshtë: sa më të larta çmimet, aq më të mëdha përfitimet për korporatat”, tha ai atë vit.

Gjatë një ndalese fushate në Kentucky, në tetor të 1948-s, Truman shënjestroi shoqatën kombëtare të prodhuesve të automjeteve, që po lobonte kundër kontrollit të çmimeve, se po konspironin kundër konsumatorëve amerikanë. Ai kishte thirrur Kongresin në një sesion special në verën e atij viti për të vendosur kontrollin e çmimeve, por propozimi i Presidentit u rrëzua.

Pas kësaj deklarate, demokratët rritën kuotat në sondazhe. Punonjësit e sektorit të prodhimit të automjeteve votuan në 89 për qind të tyre për Truman, duke e ndihmuar që të siguronte rizgjedhjen në një garë të ngushtë. Çelësi i suksesit të tij ishte edhe gjuha e ashpër kundër inflacionit dhe mbështetja e programeve liberale për rritjen e standardeve të jetesës për amerikanët e zakonshëm.

Nga Presidenca e Truman te Lyndon Johnson demokratët i qëndruan këtij programi. Ashtu si Truman, që urdhëroi marrjen nën kontroll nga shteti të fabrikave të prodhimit të çelikut kur ato njoftonin rritje të çmimeve, John Kennedy dhe Johnson publikisht sulmuan drejtuesit dhe kompanitë e mëdha të prodhimit të çelikut për rritjen e çmimeve.

Ata folën publikisht kundër përpjekjeve të William McChesney Martin, kreu i Federal Reserve për të rritur normat e interesit. Martin nuk u ndikua nga deklaratat e presidentëve dhe vendosi të rrisë këto norma interesi, duke thënë se kjo ishte detyra e Federal Reserve. Truman e quajti tradhtar.

Kur inflacioni u rrit në vitet ’70, Richard Nixon i kuptoi pritshmëritë e zyrës së çmimeve të ngritur nga Roosevelt gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si një ish-inspektor i kësaj agjencie, Nixon ishte tmerruar nga mendimi që burokratët në zyra të vendosin çmimet për bizneset private dhe u dorëhoq nga detyra e inspektorit. Sërish, në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk hezitoi që të flasë kundër kontrollit të çmimeve kur u rritën kostot e prodhimit të biftekut dhe gazit.

Milton Friedman, ekonomisti i tregut të lirë dhe konservatorët e tjerë denoncuan përgjigjen e Nixon si të rëndë dhe pasaardhësi i tij, Gerald Ford e mori mësimin. Në vend të kontrollit të çmimeve, Ford zgjodhi një rrugë tjetër, atë të kursimit buxhetor.

Mënyra e të menduarit në ekonominë amerikane po hynte ngadalë në influencën e Friedman dhe mjeti i përdorur nga Roosevelt dhe Truman humbi peshë. Me inflacionin që arriti numrat dyshifrorë në vitin 1979, Presidenti Jimmy Carter emëroi Paul Volcker në krye të Rezervës Federale për të përdorur politikat monetare kundër inflacionit. Kur Ronald Reagan erdhi në zyrë, ai mbështeti politikat dhe lëvizjet e Volcker për rritjen e normave të interesit dhe për të shtyrë ekonominë në recesion për të luftuar inflacionin. Presidentët e tjerë më vonë u kanë qëndruar këtyre politikave.

Mes pandemisë, presidenti Biden nuk ka dëshmuar vullnet për të goditur korporatat amerikane dhe për të përqafuar një politikë të ngjashme me “New Deal” për të zbutur presionet inflacioniste. Përmes task forcës së ngritur për zinxhirin e furnizimit ai po punon që të zgjerojë prodhimin dhe lehtësojë portet që të përpunojnë mallrat. Plani i tij në infrastrukturë do të injektojë miliarda në projekte madhore.

Biden ka paralajmëruar katër prodhuesit e përpunuesit e mëdhenj të mishit për praktikat antikonkurruese, që me gjasë kontribuojnë në rritjen e çmimeve. Administrata e tij është zotuar për një qasje më afresive ndaj rritjes fiktive të çmimeve dhe monopoleve.

Megjithatë, me përjashtim të paralajmërimeve dhe ngritjes së task forcës e udhëzimit të agjencive për kontrolle më të forta, shpeshta e ashpra ndaj korporatave asnjëra prej tyre nuk është bërë shembull deri më tani. Prandaj, nëse retorika e Biden është e ngjashme me atë të Truman, atij deri më tani i mungojnë shembujt.

New York Times - Përktheu Gazeta Shqip

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore