Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Inceneratorë dhe COVID, fushata e varfër politike e Lulzim Bashës!

Inceneratorë dhe COVID, fushata e varfër politike e Lulzim

Debati i ashpër që po zhvillohet këto ditë ndërmjet Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për çështjen e Covid 19 dhe menaxhimin e pandemisë, ka rikthyer çështjen e qasjes politike të opozitës mbi zhvillimet në vend.

Partia Demokratike, si alternativa kryesore për të marrë në dorë qeverisjen e vendit nëse fiton zgjedhjet e 25 prillit, do të duhet të ishte sot 5 muaj para zgjedhjeve, me një “armaturë të rëndë” programore dhe ekspertize në lidhje me problemet dhe sfidat që përballet vendi.

Ajo që bie në sy në diskursin e opozitës së Bashës, që artikulohet personalisht nga kreu i PD-së, është një bombardim paniku për pandeminë dhe çështja e inceneratorëve. Madje disa herë i lidh këto të dyja, duke e konsideruar fondin për impiantet e mbeturinave si të vetmen mundësi për të rritur financimin e shtetit në buxhetin e shëndetësisë.

Realisht, shtrimi i çështjes së menaxhimit të plehrave dhe bërja e pandemisë si pjesë e debatit publik, është një zhvillim pozitiv i një force politike. Por ky diskurs nuk duhet të kthehet në politizimin e pandemisë.

Ky politizim ndodhi në SHBA dhe u pa që zgjedhësit u polarizuan; në një krah me Biden që i besonte shkencës dhe zgjidhjeve të saj për Covid-19 dhe Trump që ushqente teoritë konspirative për të përfituar politikisht nga injoranca.

Ndërsa në rastin e Bashës, po vëmë re një “alarmizëm” të rrezikshëm në trajtimin e një çështjeje, e cila në thelb ka një logjikë. Masat apo strategjia e luftës ndaj Covid 19, drejtohet apo menaxhohet nga një ekip ekspertësh, të cilët janë autoritete të shkencës. Nëse kreu i PD-së do të duhet të bëjë oponencën me ekspertët, këtë nuk duhet ta bëjë ai, por do të duhet të flasë shkenca, njerëzit që e njohin me thellësi këtë çështje dhe të jenë të nivelit të lartë.

Ndërsa në lidhje me menaxhimin e saj, ka natyrisht mundësi për të diskutuar, por sërish kërkon një qasje konstruktive, që nuk mbjell panik tek publiku që është i terrorizuar nga shtimi i infektimeve me koronavirus, që faktikisht nuk po ndodh vetëm në Shqipëri me shifra të larta, por edhe në rajon, gjithë Europën, por edhe mbarë botën.

Takimi i Bashës me mjekët e familjes, mbështetës të PD-së, u kthye në një sulm ndaj ekipit të ekspertëve për protokollin që mjekët e familjes kërkojnë apo duhet të operojnë. Një qasje që solli mjaft tension në terren, kur qasja mund të sillet jo me butësi, largqoftë, pasi opozita duhet të jetë fortësisht kritike, por me sa më pak panik që të mos terrorizohen njerëzit.

Gazeta SHQIP ka qenë thuajse e vetmja nga mediat që e ka përshëndetur diskursin politik të Lulzim Bashën mbi pandeminë, duke e konsideruar si një dobi që i bëhet debatit publik. Por siç thotë populli “gjella me kripë dhe kripa me karar”.

Nga mungesa e gjatë e këtij diskursi, ka kaluar në një kakofoni, ku çdo ditë përsëritet vetja, pasi nuk ka një studim të thelluar për këtë çështje, pasi në fakt kjo nuk është gjë e lehtë.

Janë ekspertët më të mirë në botë që punojnë intensivisht për të gjetur zgjidhje adekuate dhe ende nuk po e bëjnë.

Ndaj monopolizimi i debatit publik vetëm me panikun për koronavirusin dhe inceneratorët, e kanë bërë gjuhën e opozitës jo më të pasur, por realisht më të varfër politikisht, ngase do të duhet që një opozitë, të prezantojë një diapazon sa më të gjerë në lidhje me alternativat e saj për çështjet fiskale, arsimin, burimet natyrore, diplomacinë, marrëdhëniet me Kosovën e trojet shqiptare, punësimin, rritjen e pagave, administratën publike etj etj.

E këtu gjuha e opozitës është ende jo aty ku duhet, duke nisur nga taksat ku PD i ka mbetur ora te 9% i taksës së sheshtë, kur duhet të zbërthehet në detaje vizioni fiskal i opozitës për tatimin e të ardhurave, tatimin e fitimit, taksat e posaçme për produkte apo subjekte, mbledhja e tvsh-së etj etj, por në radhë të parë miradministrimi, heqja e burokracisë dhe natyrisht transparenca sa më e madhe në mbledhjen dhe shpenzimin e të ardhurave buxhetore.

E kjo nuk bëhet vetëm, por me një ekip, ku dihen ekspertët apo “qeveria hije” në çdo fushë përkatëse.

Kurse kjo mënyrë që po aplikohet nga Basha, përveçse kaos nuk jep edhe një qartësi për atë se çdo të bëjë opozita për tu përballur me sfidat; që nga rindërtimi i shtëpive të rrëzuar nga tërmeti apo atyre të dëmtuara etj.

Opozita nuk është vetëm për të prezantuar frustrimin apo pakënaqësinë e publikut, kjo është detyra e medias apo dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë.

Opozita, si institucion i kanalizon dhe i shtron për zgjidhje të gjitha pakënaqësitë që vijnë nga dëgjimi i publikut...

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore