Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

“Hajduti që ruan hajdutin”,  pse dosja “339” mund të ripërsëritet sërish në zgjedhjet e majit

“Hajduti që ruan hajdutin”,  pse dosja “339”

Arrestimet e sotme të 22 komisionerëve të dosjes 339 patën si gjithmonë deklaratat e të gjithë protagonistëve të politikës, që  “kanë ngritur duart” si për të thënë se ata nuk i kanë pasur gjymtyrët në byrekun e manipulimit të votave.

Këto arrestime, disa të ndodhura herë pas here në vite, por edhe denoncime e investigime të ndryshme, tregojnë se të gjitha manipulimet e kryera në zgjedhjet shqiptare nuk janë gjë tjetër vetëm produkt partive politike.

Kjo sepse zgjedhjet në Shqipëri janë i vetmi vend ballkanik që partitë administrojnë zgjedhjet, duke ndjekur parimin se “hajduti ruan hajdutin”. Por që fakt është dhe ka ndodhur gjithmonë se hajduti jo vetëm mund të bjerë dakord me hajdutin, por edhe mund ta eliminojë e korruptojë, pasi kemi të bëjmë thjesht me hajdutë, të cilët janë më pragmatistë sesa politikanët.

Në të gjithë shembujt që kanë ndodhur në Shqipëri, administrimi me militant, nuk është gjë tjetër veçse një mundësi për kontroll të procesit të numërimit e administrimit të votave nga “horrat” e PS-së dhe PD-së, të cilët nga zgjedhja në zgjedhje, janë kthyer në “profesionistë” të proceseve zgjedhore, duke mësuar hilet, zonat e influencave, ku duhet ndërhyrë dhe me sa lekë, apo me çfarë kërcënimi.

Dosjet 339 dhe 184, nuk janë gjë tjetër veçse dëshmia e përdorimit të “çunave problematikë” nga ana e politikës.

Por në vend që kjo eksperiencë të kishte mbaruar, edhe sot PS e PD kanë rënë dakord që të mbajnw sistemin e militantëve komisionerë. Kjo pasi, sipas të gjitha gjasave të dy partitë e kanë të qartë se bjerrja popullore është e konsiderueshme në elektorat dhe mund të shkaktojë deficit. Kjo si në shifra pjesëmarrjeje, por edhe votime.

Ndaj “çunat problematikë” në komisione, bëjnë  “rregullimet e nevojshme” si në procesverbalet e votimit, ashtu edhe në ato të numërimit të votave. Në fund, KQZ e sinjalizuar nga partitë, pasi edhe ajo kontrollohet nga PS-PD nuk pranon rinumërim apo rishqyrtim të dokumenteve, që pastaj digjen në Lundër. Siç ka ndodhur gjithmonë.

Në Maqedoninë e Veriut, vendin fqinj që sapo u zhvilluan votime, komisionerët nuk janë njerëz të partive. Por zyrtarë të shtetit, që zgjidhen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Mësues,nëpunës vendorë etj. Partitë kanë vetëm vëzhgues, të cilët ndjekin procesin me imtësi e vetëm mbajnë shënime, nuk ndërhyjnë.

Edhe atje ka kontestime, por kurrë nuk janë partitë që i përgjigjen, por KSHZ, i cili i jep procesverbal çdo subjekti elektoral dhe i jep të drejtë të ankimojnë.

Në Greqi ka noterë e avokatë, të cilët janë të betuar për të zbatuar ligjin dhe të shtrënguar që të mos e shkelin.

Komisionerët partiakë kanë qenë gjithnjë problemi i zgjedhjeve. Shembulli më përfaqësues është ai i zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës në 2011. Kur rezultati ishte i përafërt dhe komisionerët u kthyen në njerëzit që “nxorën rezultatin” aty ku ai nuk ishte, rrëzuan një vullnet që e kanë dhënë zgjedhësit. Në fillim duke liruar e shtrënguar numërimin, më pas duke kërkuar ribërjen e rregullave e kështu me radhë. Në të gjitha raportet e OSBE-ODIHR është i vetmi refren për zgjedhjet shqiptare: duhet depolitizim të administratës zgjedhore. Ndryshe do të kemi përsëritje të së njëjtës panoramë. Që sipas gjasave do ta shohim edhe pas disa muajsh.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore