Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Guri, eja se do na rrahin!

Guri, eja se do na rrahin!

Pasi po kalonin sekondat e para të çudisë që transmetonin kanalet televizive, duke parë Presidentin e Republikës së Shqipërisë teksa ulërinte me tërsëllëmë, duke kërcënuar me burg, duke treguar (anti) vlerat si një çun i “fortë” lagje, gati për t`u rrahur me kë t`i dilte përpara, pyeta veten: Çfarë i kanë bërë Presidentit tim?

Çudia dhe hutimi im shtohej kur shihja që ngjarja zhvillohej në katin bosh të një ndërtese çfarëdo në mes të Tiranës, Presidenti im i rrethuar jo nga Garda e Republikës por nga ca burra dhe djem me xhupa, të qethur shkurt, të gjithë që shkumëzonin dhe hipnin e zbrisnin nëpër shkallë duke sharë rëndshëm.

Situata sureale në hamendësimet e mia u përmirësua në çastin kur në mes të turmës së sherrxhinjve u shfaq një burrë ezmer, me jelek dhe kravatë, si një ogur i mirë për pozicionin e Presidentit tim aty. Në edicionet e lajmeve kryesore mësova se ky burri është një politikan, që dikur paska qenë edhe deputet dhe që drejtoka një parti. Emrin ja mësova, e ka Sali Shehu.

Nga emisionet e darkës, dedikuar ekskluzivisht ngjarjes së çuditshme, kuptova që Politikani Sali paska pas një hesap të hapur me Bashkinë e Tiranës, në lidhje me ligjshmërinë e përdorimit të zyrave për partinë e tij në ambientet e ndërtesës, pronë e Bashkisë, dhe për pasojë duhej t`i lironte ato menjëherë.

Në këto kushte, Politikani Sali e pa veten keq! Në vend që t`i drejtohej Gjykatës Administrative për pezullim të Aktit të Bashkisë apo institucioneve të tjera shtetërore për të zgjidhur problemin, ai çuditërisht thirri Presidentin e Republikës. Dhe mua m`u kujtua batuta e famshme “Guri, eja se do na rrahin” në filmin “Mëngjese Lufte”.

Dhe në fakt Guri (Presidenti) nuk ja përtoi dhe për pak minuta mësyu me çunat e tij në korridoret bosh të ndërtesës ku gjendeshin zyrat e Politikanit Sali, duke ju hakërryer dy policëve bashkiakë në prag pensioni që ruanin ndërtesën, “hajdeni po jua mbajti, se në burg e keni vendin!”.

Presidenti im u shndërrua në Gur! Është ky një lajm i mirë apo i keq për shqiptarët? Unë nuk besoj që është lajm i mirë.

Së pari, në qoftë se Presidenti ka vendosur të jetë një Gur, ka pasur shumë herë shansin ta bëjë këtë, në mbrojtje të kauzave shumë më të ndjeshme, me impakt të drejtpërdrejtë në të mirë të popullit që ai drejton, se sa për një zyrë të Politikanit Sali.

Së dyti, çfarë do të ndodhte, në qoftë se të gjithë hallexhinjtë, që janë jo të pakët dhe jo me statusin e Politikanit Sali, do t`i kërkonin Gurit tonë të zbriste në terren dhe të tregonte muskujt e tij, ndërkohë që të gjithë presin që ai të tregojë ligjshmëritë e tij?

Së fundmi, Presidenti i Republikës nuk mund të jetë një Gur duke u rrahur korridoreve te institucioneve.

Guri, eja se do na rrahin!

Raimond Cimbi - Producent “Hipokrati” në Top Channel

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore