Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Enigmat e rritjes së pragut elektoral, partitë e vogla rrezikojnë eliminimin: A do të preket LSI-ja?

Enigmat e rritjes së pragut elektoral, partitë e vogla rrezikojnë

Një nga kleçkat më të frikshme për një pjesë të partive politike në vend, kryesisht ato të voglat është çështja e pragut elektoral.

Edhe pse opozita parlamentare tentoi ta vendosë atë në Kushtetutë deri në 5% për subjektet, dikur ky kufi ishte vetëm për koalicionet, çështja e pragut u vendos që të pasqyrohej në Kodin Zgjedhor, duke e shtuar engimwn pwr nw shtator.

Kjo rritje e frikshme alarmoi të vegjlit që madje dhe njw pjesw e tyre nw Parlament nxituan tw votonin kundër ndryshimeve kushtetuese, pavarësisht se pragu 5% u hoq dhe u la për një kohë të dytë.

Pragu u hoq nga PS, pasi ishte një lëvizje, që e kalonte nismën nga partitë e vogla që janë të interesuara, tek “padronët” e Këshillit Politik: përkatësisht PS e PD.

Kur negociatat do të ristartojnë në shtator, çështja e pragut të jetë natyrisht në dorën e partive të mëdha. Me ndryshimet kushtetuese që u realizuan për koalicionet, partitë do të jenë të detyruara të futen në rreshtin e organizuar nga dy krerët për listën vertikale që do të hartojnë dy partitë kryesore.

Kushdo forcë politike, apo koalicion që do të garojë në vete, jashtë dy blloqeve kryesore, do ta ketë të vështirë, madje edhe të pamundur për të marrë mandate. Ka pasur disa shembuj në zgjedhjet e shkuara, ku edhe forca politike që kanë grumbulluar një sasi të konsiderueshme votash nuk kanë arritur të marrin mandate.

Mjafton të përmendim Aleancën Kuqezi të Kreshnik Spahiut, apo edhe Frymën Demokratike të Bamir Topit, që kanë shkuar fare pranë pragut, por nuk kanë arritur të marrin deputetin. Në 2017-n, kjo fatkeqësi goditi PDIU-në e Shpëtim Idrizit, që për një grusht votash humbi deputetin në Tiranë, madje kërkoi rinumërim.

Sistemi rajonal, nuk favorizon partitë e vogla, për arsye se vota dezintegrohet në 12 qarqe, por, nëse do të ketë një prag të caktuar, atëherë, lufta do të bëhet më konkrete. Opozita parlamentare kërkoi 5%-shin si prag, çka si shifër do të merrte vlerë të ndryshme sipas qarqeve: më i madh në Tiranë e më i vogël në qarqe ku popullsia është më e vogël si Kukësi, Dibra, Berati apo edhe Gjirokastra.

Pas vitit 2008, apo më mirë të thuhet në kohën kur u hoq tërësisht mazhoritari si sistem zgjedhor, ka një përfaqësim mjaft më të polarizuar politik në vend. Ndërkohë që nga viti 1991 apo 1992, në Parlament përveç PD-së, PS-së kishte mjaft parti të tjera si PSD e Gjinushit, PDS e Milos që më pas pati shizmat e saj si PDS që u përfaqësua disa herë në Kuvend, Partia Agrare, Partia Demokristiane, PDr e Pollos, PBDNJ-ja e cila dikur ka pasur edhe 10 deputetë, Legaliteti, Balli, E djathta e Bashkuar, deri kur doli LSI-ja si shizma e parë e PS-së; pra ka pasur një përfaqësim më shumëngjyrësh.

Madje u vu re që majat prej politikanëve që nuk gjenin hapësirë në partitë e mëdha, kërkonin “strehë” te aleatët e vegjël.

Myslim Murrizi, për shembull ka qenë deputet edhe nga partitë e djathta aleate në Kuvend, që më pas u imponua PD-së nëpërmjet numrit të votave që merr. Por aktualisht situata për çdo forcë që del e re është thuajse e pamundur të çajë në Kuvend. E ka provuar Bamir Topi, Kreshnik Spahiu, Gjergj Bojaxhiu etj.

Në vitin 2009, partitë e djathta të vogla madje bënë një pol të vetin për të paksimuar votat siç ishte ai i Polit të Qendrës me Ndokën e Shehin, po sërish nuk ja doli të hyjë në Kuvend.

Në nenin 162, të  Kodit aktual, për zgjedhjet për Kuvendin, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike që konkurrojnë më vete dhe që kanë marrë më pak se 3 për qind dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5 për qind të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse. Nuk dihet nëse pragu elektoral do të rritet apo do të mbesë i njëjtë, por se rritja mund të prekë edhe LSI-në e cila jo në të gjitha qarqet e ka peshën e njëjtë elektorale.

E në fakt, nëse i mbledh janë qindra e mijëra vota të dhëna nga qytetarët: po ku shkojnë këto? Në thesin e madh, duke na dhuruar sistemin dy partiak në Parlament.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore