Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Dilemat e pakta të zgjedhjeve të Kosovës

Dilemat e pakta të zgjedhjeve të Kosovës

Kosova ka hyrë në javën e fundit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që mbahen këtë të diel. Jo vetëm për shkak të pandemisë, pasi masat parandaluese nuk po respektohen fare, fushata ka qenë përgjithësisht e qetë.

Njeriu protagonist i këtyre zgjedhjeve, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, po mban një fushatë 100% pozitive vetëm me premtime të forta dhe pa asnjë sulm personal ndaj liderëve të tjerë.

Interesant është fakti se edhe nga krahu tjetër, edhe pse ka replika aty-këtu, tonet e polemikës edhe nëse kanë qenë kritike, nuk kanë prekur nivele të larta të polarizimit. Ky zhvillim pozitiv, duket se shkakun kryesor e ka edhe tek mungesa e të panjohura apo dilemave mbi rezultatin e zgjedhjeve.

Sipas të gjitha gjasave, Vetëvendosje do të arrijë jo vetëm të dalë parti e parë, por të marrë një numër votash që i japin asaj mundësinë për të krijuar vetëm qeverinë e re.

Në të gjitha sondazhet e publikuara deri më sot, partia e Albin Kurtit shkon nga 44 deri në 50 deputetë në Kuvendin e ri. Mazhoranca e nevojshme për qeverinë e re është 61 vota, nga ku 20 i kanë pakicat. Dhjetë minoritetet jo serbe dhe 10 serbët, ku përgjithësisht të gjitha i merr Lista Serbe.

E nëse mund të quhen llogaritje, palët në betejën elektorale, kryesisht rivalët e Vetëvendosjes, po luftojnë që të kenë sa më pak firo nga njëra anë dhe nga ana tjetër të godasin partitë e ashtuquajtura “të vogla”.

Në pozitën më jo të mirë është LDK-ja, jo thjesht pasi ajo mban qeverinë aktuale e mund të pësojë edhe kostot në zgjedhje, por edhe për arsye se një pjesë e saj, ka kaluar me Vjosa Osmanin.

Presidentja në detyrë, së bashku me disa përkrahës të saj janë rreshtuar në listat elektorale të Vetëvendosjes, dhe sipas të gjitha gjasave do të ketë bjerrje nga ana e “partisë mëmë”.

Testi më i fundit në Podujeve e tregoi këtë: në një bastion të palëkundur të LDK-së prej 20 vitesh fitoi Vetëvendosja edhe nga kalimi i një pjese të elektoratit të partisë së Isa Mustafës.

Ndërkaq, Vetëvendosje ka sulmuar edhe elektoratin tradicional të PDK-së, meqë si forcë politike ka qenë gjithmonë mbështetëse e UÇK-së. Në Drenicë, bastion i fuqishëm i PDK-së, Albin Kurti ka afruar drejt vetes edhe Bekim Jasharin, nipin e heroit Adem Jashari dhe djalin e heroit Hamzë Jashari, i cili është dhe kryetari i komunës së Skënderajt, që përfshinë Drenicën.

Mundësia që influence e Jasharit të ndikojë në rritjen e Vetëvendosjes në Drenicë nuk është e vogël, por kësaj mundësie PDK ju përgjigj ashpër. Dega e Drenicës e PD-së që drejtohet nga ish-komandanti i UÇK-së Sami Lushtaku, i cili ka qenë edhe kryetar i komunës, u tregua agresive ndaj Albin Kurtit, pasi e qëlloi me gurë, gjatë një takimi në Skënderaj.

Ndërkaq, PDK-ja, nga ana e saj, që ka vendosur në listë të deputetëve mjaft emra të njohur të luftës që i ka pasur mënjanuar më parë, po synon një mobilizim të elektoratit pro luftës së Kosovës. Me emrin e Hashim Thaçit e Kadri veselit, PDK synon të mbajë kompakt elektoratin e saj që është përgjithësisht  tek 20-23%, por nga ana tjetër po sulmon si AAK-në e Haradinajt, ashtu edhe Nismën e Fatmir Limajt.

Kreu i PDK-së për Rrafshin e Dukagjinit, një politikan me eksperiencë, Xhavit Haliti, po publikon në faqen e tij mjaft eksponentë të AAK-së që i janë bashkuar partisë së Hashim Thaçit. Para pak ditësh Ramush Haradinaj, deklaroi se “PDK po e ngucte” partinë e tij, por shtoi se në respekt të Thaçit e Veselit që janë në burg ai nuk do të bënte polemika.

Ndërkaq, në disa raste të tjera edhe Vetëvendosja po synon eksponentë të AAK-së gjithashtu në Rrafshin e Dukagjinit. Albin Kurti, nga ana tjetër ka ndalur retorikën e fortë, për të krijuar një imazh të një lideri të qetë, duke synuar kështu një votë të elektoratit gri. Që të mos e frikësojë atë me “zhurmën e kataklizmës”, e natyrisht duke synuar të marrë sa më shumë vota nga partitë e tjera, si efekt i ortekut që sjell fitorja e pashmangshme e Vetëvendosjes.

Dilema që duket për këtë fitore, është a do ta marrë Albin Kurti shumicën absolute për të qeverisur apo do të nisë ripeshkimin e të tjerëve për koalicion? E pikërisht numri i deputetëve që do të marrë Albini do të jetë decizive për të ardhmen politike pas 14 shkurtit.

Vetëvendosjes nuk i vejnë më pak se 45 deputetë, të paktën, por i duhen më shumë. Deri tani partia e Albin Kurtit ka marrë deri në 30 parlamentarë.

Megjithatë, edhe sikur të jetë në gjendje të formojë e vetme qeverinë, tashmë sipas të gjitha gjasave AAK në fillim por edhe PDK-ja mund të jenë aleatët e ardhshëm të Vetëvendosjes. Si nga Albini ashtu edhe nga të tjerët kanë rënë të ashtuquajturat “vija të kuqe”. E në këto 7 ditë, përplasja politike pritet të rritet paksa: nga Vetëvendosje për të kapur të paktën 45 deputetë e nga të tjerët për ta ndaluar këtë./ Gazeta Shqip

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore