Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Carlo Bollino paralajmëron ndryshime në qeveri

Carlo Bollino paralajmëron ndryshime në qeveri

Edhe pse kanë mbetur akoma 10 muaj nga zgjedhjet e ardhshme politike, fushata zgjedhore ka nisur. Ish-qeveritarët e Partisë Demokratike, më në fund të vendosur për të marrë pjesë në zgjedhje, pasi kuptuan se arma e bojkotimit është e kotë dhe e dëmshme, janë hedhur në “fushë betejë” edhe pse pa shumë ide të re në mëndje, përveç shpresës statistikore që rregulli i rotacionit politik çdo tetë vite, të përsëritet edhe në 2021, siç ndodhi me saktësi në 1997 e tutje. Një “traditë” që Edi Rama ëndërron nga ana e tij ta thyejë, jo për gjë, veç të tregojë se është i ndryshëm edhe në këtë.

Braktisja e parlamentit nga ana e opozitës, protesta e dhunshme, zgjedhjet e qershorit të sabotuara nga opozita dhe të fituara pa konkurrencë, lufta me presidentin e Republikës, tërmeti dhe tani edhe pandemia po konfirmojnë “mallkimin e mandatit të dytë”, tjetër traditë politike që është shoqëruar deri tani me rotacionin me datë skadimi fiks. Edhe për këtë, dhe për t’ju përgjigjur vlerës që Edi Rama fshehurazi i vesh shenjave të fatit, është e dobishme që Partia Socialiste të zbatojë në terren një strategji të fortë që të jetë e aftë të mundë parashikimet, dhe mbi të gjitha, të fitojë zgjedhjet. Një strategji që do të duhej të kalonte nga një ndryshim i rëndësishëm brenda qeverisë dhe të realizohet sa më shpejt, ndoshta në shtator.

Ne fakt me krijimin e këtij ekzekutivi, të përbërë nga shumë ministra “teknikë”, Edi Rama ka humbur “kolonelë” në fushë që i garantonin kontaktet me bazën socialiste, sidomos nëpër rrethe, aty ku marrëdhëniet personale përkthehen në konsensus dhe vota. Eshtë e vërtetë që janë koordinatorët rajonalë, por motivimi i tyre (dhe pushteti i tyre) mund të jetë i pamjaftueshëm duke mos mbajtur asnjë rol kyç në administrata apo ne qeveri. Ndryshe nga zgjedhjet e 2017, shumë nga ministrat aktualë janë të panjohur për zgjedhësit socialistë, dhe në këtë mënyrë kontributi i tyre në zgjedhjet e ardhshme do të jetë praktikisht inekzistent. Ja përse një nga strategjitë që Rama do të duhej të ndiqte në prag të 2021 , është një ndryshim radikal i qeverisë, edhe për t’i dhënë energji e vitalitet një ekzekutivi që deri tani ka luajtur mbi të gjitha në mbrojtje.

Le të radhisim se kush janë ministrat në rrezik dhe cilët jo.

Besa Shahini .  Zgjedhja për të emëruar një ministre të re nga Kosova nuk dha rezultatet e shpresuara. Edhe pse teknikisht e përgatitur, Besa Shahini nuk ka qenë në gjendje të fitojë deri më tani as zemrat e studentëve, as zemrat e mësuesve. Duket një “mësuese” e përgatitur, por pa emocione. Pastaj nga këndvështrimi zgjedhor është totalisht e padobishme. Vota si ministre: 5 / Dobishmëria për fushatën: 0

Genti Cakaj. Edhe për aspirantin Ministër të Jashtëm vlen i njëjti gjykim si për Ministren e Arsimit. Vetëm studiues. Si i “pari i klasës” por pa shokë, gjë që nuk është ideale për një diplomat, as që mendohet për një politikan. Nga këndvështrimi zgjedhor edhe ai absolutisht i panevojshëm. Vota si ministër: 3 / Dobishmëria për fushatën zgjedhore: 0

Ogerta Manastirliu. Edhe ministrja e Shëndetit duket politikisht e dobët dhe jo vetëm për administrimin skandaloz pas emergjencës Covid, me virusin që tashmë është jashtë kontrolli ndërsa në shumë vende të tjera beteja është fituar. Ogerta Manastirliu është pak e pëlqyer jo vetëm mes mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, por edhe në elektorat, dhe, edhe pse i pëlqen Ramës, tani vlen gjykimi i popullit. A do të jetë i gatshëm kryeministri të rrezikojë vota për të mbrojtur këtë “studente” studiuese? Vota si ministre: 5 / Dobishmëria për fushatën: 4

Olta Xhacka – Ministrja e Mbrojtjes tregoi në zgjedhjet e 2017 se kishte kontakte me bazën, duke marrë për zonën në qarkun e Tiranës rezultatin më të mirë të Partisë Socialiste. Kjo duket garancia më e mirë e saj për të qëndruar në qeveri duke dhene kontribut të fortë edhe për fushatën. Vota si ministre: 7 / Dobishmëria për zgjedhjet: 8

Sander Lleshaj – Një tjetër teknik, madje gjeneral, që kryeministri e dëshiroi fort në qeveri duke pranuar për të edhe një konflikt me Presidentin e Republikës. Problemi i parë për Lleshajn është se të udhëheqë një Ministri të Brendshme plot me policë dhe fantazma të së shkuarës, është shumë më e vështirë se të fitojë një luftë me tanke. Problemi i dytë është se nuk ka kontakte me bazën dhe kështu është i padobishëm për fushatën zgjedhore. Në favor të tij mund të luaj fakti se duke u parë si teknik, duket më neutral në fazën delikate të zgjedhjeve në krahasim me një ministër të Brendshëm qartësisht politik. Vota si ministër: 6+ / Dobishmëria për fushatën: pa vota

Anila Denaj – Edhe ajo është teknike dhe profesionalisht kompetente, edhe pse makina burokratike e ministrisë gjigande që drejton, shpesh fiton mbi vendosmërinë e saj. Do të ishte gjithësesi e parekomanduar të ndryshohej ministrja e financave në këtë fazë të rëndë financiare. Një rol dhe situatë që vetëm në rast të ndonjë të papriture, është në mbrojtje nga ndryshimet. Vota si ministre: 7 / Dobishmëria për fushatën: 5

Erjon Brace. Një politikan autentik race, i paprekshëm në të gjithë këndvështrimet, edhe në se në pozicionin e zëvendëskryeministrit ka pasur më shumë hapsirë të bëjë opozitorin e brendshëm sesa ministrin. Vota si ministër: 6+ / Dobishmëria për fushatën zgjedhore: 10

Belinda Baluku Ministrja e Transporteve dhe Energjisë ka energji me shumicë për fushatën zgjedhore. Edhe pse nuk është “politikane partie” ka treguar se di të përshtatet mirë në funksionin e vështirë të qeverisë (ministria e saj është një ciklop plot me të papritura) dhe kështu mund të jetë shumë e dobishme edhe në fushatë zgjedhore. Vota si ministre: 7 / Dobishmëria për fushatën: 7

Etilda Gionaj. Ministrja e Drejtësisë është pak e dukshme brenda qeverisë, pavarësisht dikasterit të rëndësishëm që drejton, imagjinoni se si do të ishte në fushatën zgjedhore. Vota si ministre: 5 /Dobishmëria për fushatën zgjedhore: 3

Elva Margariti. Një tjetër “e para e klasës”, qytetare dhe e kulturuar, por që gjithësesi nuk ka marrë notën mjaftueshëm as si ministre. Për fushatën zgjedhore duhet tjetër energji. Vota si ministre: 5+ / Dobishmëria për fushatën: 3

Eduard Shalsi -Mund të konsiderohet një “rilindas” tipik, por i vështirë të gjykohet si ministër falë vizibilitetit të pakët. Me të ngjarë mund të jetë më i dobishëm në fushatën zgjedhore sesa në qeveri. Vota si ministër: 5 / Dobishmëria për fushatën: 6

Pandeli Majko– Historia e tij brenda Partisë Socialiste e bën një ministër totalisht politik. Edhe pse është parë pak duke punuar, perspektiva e një vote shtrirë edhe emigrantëve e bën një kartë të çmuar në strategjinë e fushatës zgjedhore. Vota si ministër: 6 / Dobishmëria për fushatën: 8

Elisa Spiropalli – Një tjetër ministre dhe politikane “rilindase” 100%, kështu burim i nevojshëm për fushatën zgjedhore.  Vota si ministre: 6- / Dobishmëria për fushatën: 7

Arben Ahmetaj – Ish ministri i ekonomisë dhe më pas ish ministër i financave, është përsëri ministër në qeverinë Rama, edhe pse pak vetë e kanë vënë re. Eshtë e vështirë të gjykohet kontributi i tij si ministër për rindërtimin, funksionet e të cilit nuk janë shumë të qarta, ndërsa kontributi i tij në fushatën e fundit zgjedhore të 2017 ishin në qendër të një analize të gjatë pasi zona e tij, në kufi me Durrësin, ishte e vetmja ku PS humbi vota. E vetmja njollë blu në një det me vota mavì. Megjithatë, meqë sapo ka hyrë në kabinet, është e mundur të rri aty ku është.  Vota si ministër: 4 / Dobishmëria për fushatë zgjedhore: 3

Blendi Klosi – Edhe për Klosin vlen përkufizimi i ministrit politik, dhe me eksperiencë të gjatë në shumë zgjedhje. Covidi19 nuk po e ndihmon në misionin e tij primar të promovimit të turizmit dhe administrimi i plazheve që i është besuar në këtë fillim sezoni duket skandaloz. Nga këndvështrimi zgjedhor, është më mirë që të qëndrojë. Vota si ministër: 5 / Dobishmëria për fushatën: 7+

Tani i takon Edi Ramës të vendosë nëse duhet të përballojë fushatën vendimtare elektorale të 2021 duke shfrytëzuar vetëm energjitë e veta, apo të shpërndajë forcat dhe përgjegjshmërinë edhe në ”oficerët” e tij të lartë por që nuk mund të nisen në betejë të “paarmatosur”. Zgjedhja është në duart e tij.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore