Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Boronica boy!

Boronica boy!

Lajmi i aventurës më të re të djalit të ish-kryeministrit, Sali Berisha-Shkëlzenit, në fushën e tregtisë së frutave të pyllit, ka ngjallur mjaft interes në opinionin publik.

I diplomuar për drejtësi, që në fillimin e viteve 2000, djali i njeriut që ka qëndruar më jetëgjatë në pushtet pas rrëzimit të komunizmit, edhe pse një moshë 44 vjeçare, ende nuk ka gjetur karar me një profesion, apo karrierën e tij në jetë.

Pikërisht zikzaget e çuditshme të aventurave profesionale të Zenit në gjithë këto vite, janë kthyer në elemente kurioziteti për opinionin publik shqiptar.

Kjo pasi, djali i Berishës, ëndrrat e synimet i ka pasur një çikë të pastabilizuara.

Ndërsa jetën e tij ubane pak si i “llastuar” e ka nisur si një play-boy në rrugët e Tiranës në fund të viteve 90, në vitin 2005 kur i ati u bë kryeministër, Zeni u duk se pati  një “stabilizim” të objektivave të tij.

Qëndronte në prapaskenë të zyrës së kryeministrit dhe këshillonte e propozonte njerëz për kontrata e biznes me shtetin. Siç e ka thënë edhe vet shpesh, ka qenë një lloj “konsulenti”.

Veçse këshilla e tij çonte përfitime dhe sukses te partnerët e tij. Gjatë kësaj rruge, pati edhe ëndrra të shkurtëra për lokale nate, apo veprimtari artistike. Ëndrra që shuheshin shpejt si ato të netëve të verës.

Por padyshim që “ëndrra më shpërthyese” e Shkëlzen Berishës ishte natyrisht punishtja e demontimit të municioneve në Gërdec.

Ku, Zeni kishte punësuar edhe burrin e tezes së tij, siç e tha më vonë, pa i thënë të atit-kryeministër.

Biznesi i demontimit të municioneve, që si pronarë kishte më shumë se një person, dihet që u hodh në erë më 15 mars 2008, bashkë me jetën e 26 vetave të pafajshëm.

Pas një “reflektimi” të gjatë, pa një një punë fikse, djali i ish-Presidentit të Republikës dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, duket zbuloi tek vetja një pasion për të menaxhuar media audiovizive.

E nisi me një portal për të ardhur tek një televizion, ku investimet janë të pakursyera, por që ende nuk po e gjen e s’po e gjen suksesin për të bërë “bam”(jo buuum) në jetë.

E siç duket, priti e priti, por që në fund një dritë po duket në fund të “tunelit” të mbikalimit të Vorës.

Një objekt, një magazinë, një hangar, i marrë me një çmim të kripur, i ka ofruar mirazhin e një profesioni të ri, i cili ndoshta e nxjerr në selametin e pritur prej shumë e shumë vitesh.

Grumbullimi i frutave të pyllit, më saktë boronicave, e cila bashkë me gështenjën, përbën një nga krenaritë e florës së vendit të origjinës së babait të Shkëlzen Berishës-Tropojës, po rezulton pasioni më i ri i tij.

Boronica, një frut shumë i kërkuar sot edhe falë vetive të saj kurative e antioksidante, ka gjasa të jetë karari i ish-play boy-t të Tiranës.

E, nëse këtë radhë mund të marrë edhe titullin Boronica Boy, nëse ka sukses, madje të themelojë edhe një Trust. Tek drama e Brecht-it, “Arturo Ui”, djali i Chicagos, suksesin e gjeti tek një perime-lulelakra…

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore