Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Berisha është si Pinoçeti, kundërshtarët i linçon familjarisht kurse vetë pastron miliarda me valixhe!

Berisha është si Pinoçeti, kundërshtarët i

Pas 25 vitesh persekutimi gjatë të cilave Partia Demokratike më ka akuzuar herë pas here si poliagjent, trafikant (më parë për armë, pastaj për drogë), mafioz, kapo të Sacra Corona Unita, trafikant mbeturinash deri në vrasës, tani më në fund zbulon se jam thjesht nje gazetar sipërmarrës. Natyrisht sipas atyre fajtor, por këtë herë sepse kam punuar me fatura dhe jo me valixhe me para cash si Berisha dhe Basha me sa duket janë mësuar të përdorin zakonisht.

Faturat për të cilat flitet, janë bërë nga televizioni im dhe nga dega e tij IT ndaj shoqërisë së një inxhinieri të respektuar IT, të cilin prej vitesh e kam pasur furnizues dhe klient publicitar, tani dhe mik, ortak në një shoqëri e mbyllur për mosprodhim fitimesh, dhe që në fund më kalon një pjesë të punëve të tij IT për të realizuar. Të ardhura plotësisht të ligshme, të deklaruara në tatime dhe për të cilat janë paguar TVSH dhe tatim fitimi. “Skandali” i pretenduar mbyllet këtu: një marrëdhënie tregtare mes dy ndërmarrjeve private pronarët e të cilave nuk janë kriminelë apo trafikantë, as politikanë, nuk kanë qenë as ata as familjarët e tyre nëpunës publikë, nuk janë fëmijë kryeministrash dhe nuk kanë asnjë lloj konflikt interesi. Një marrëdhënie industriale legjitime në një treg të lirë. Pikë.

Por kjo marredhenie u etiketua si “skemë mafioze” nga selia e Partisë Demokratike nga një farë Endri Hasa që duket se ka qenë për disa vite deputet në parlament edhe pse ndërhyrja e tij e vetme ishte, për atë që mbahet mend, hedhja e vezës ndaj kryeministrit. I ashtuquajturi Hasa, sa për të përshkruar personazhin, në kohën që punonte në ministrinë e Lulzim Bashës si teknik IT, u shtir si emigrant për të përfituar një kredi si i pastrehë me vlerën 50 milionë lekë që nuk i takonte pasi ishte pronar i dy shtëpive. Kur Hasa u emërua drejtor i AKSHI-it i kaloi të njëjtës ndërmarrje të shokut të tij (financues i njohur i PD-së) 17 tendera nga një total prej 23. Si shërbëtor besnik i çiftit djallëzor Basha-Berisha kontribuoi në 2011 për të zhdukur nën hundën e FBI-së serverat e kryeministrisë që kishin regjistruar pamjet e masakrës së 21 janarit që do të ndihmonin të inkriminonin ministrin e brendshëm dhe kryeministrin për përgjegjësitë e tyre në atë tragjedi.

Ajo që ka rëndësi është se Endri Hasa u përdor nga PD për të inaugurar me mua mënyrën e re e të të bërit politikë me të cilën synon të vazhdojë në tetë muajt e ardhshëm fushatë zgjedhore dhe në vitet që vijnë. Një “evolucion” direkt i metodës “Babale”.

Duke spiunuar sistemin tatimor, PD ka nisur të përdorë informacionet financiare në dorë të Shtetit për të shantazhuar sipërmarrësit përmes kamikazësh partiakë dhe duke lënë gjurmët trashanike me keq se Babale. Në rastin tim, duke qenë një gazetar dhe botues, shantazhi është i thjeshtë: Meqë nuk resht së kritikuari opozitën, ne do të tregojmë strategjitë e tua sipërmarrëse dhe do të publikojmë faturat dhe dokumentet e tua financiare, duke orkestruar një fushatë shpifjesh publike. Mediat në dispozicion (që PD financon më valixhet me para cash) janë të shumta: për të kuptuar se kush janë, mjafton të shohësh se kush shpërndan shantazhet e tyre.

Mbi këtë pikë po këmbëgul sepse është çështje e rëndësishme: ky nuk është një investigim (qoftë edhe në shkelje të ligjit dhe e frymëzuar nga partia) i kryer nga një gazetar (si në rastin Babale), por është një spiunazh i organizuar personalisht nga Partia “demokratike”. Dhe kur një parti politike (që kandidohet të udhëheqë qeverinë e ardhshme) përdor të dhënat konfidenciale të Shtetit për të shantazhuar një gazetar “fajtor” vetëm se denoncon dhunën dhe abuzimet e tyre, si quhet: investigim apo kërcënim e linçim? Ky shantazh a nuk është dhe një sulm i vërtetë ndaj lirisë së shtypit, duke qenë se media duhet të jetë e lirë të kritikojë qeverinë, por edhe të kritikojë opozitën?

Problemi u përket të gjithëve dhe nëse ky shantazh bëhet sot duke qenë PD në opozitë, kur iu duhet të bëjnë spiunazh për të gjetur të dhënat konfidenciale, çfarë do të ndodhë me lirinë e shtypit kur kjo parti do të mund të ishte në qeveri dhe gjithë të dhënat do të mund t’i kishte të gatshme në kompjuterat e zyrave? Do të shantazhojë qytetarët edhe me kartelat e tyre klinike? Çfarë do të ndodhë në Shqipëri? Kjo është një pikëpyetje alarmuese që nuk duhet të shqetësojë vetëm opinionin publik vendas, por edhe botën e ambasadorëve dhe të organizatave ndërkombëtare që kur flasin për standarte dhe respektim të të drejtave njerëzore dhe të drejtave themelore, iu referohen të gjitha forcave politike, jo vetëm qeverisë. Domethënë, nuk mund të kalojë ideja që një parti, vetëm se është në opozitë, mund të ketë të drejtën të shkelë ligjin dhe të shantazhojë kundërshtarët.

Mënyra e re kiliane për të shantazhuar një qytetar privat me të dhëna private që Lulzim Basha po përdor me mua, Sali Berisha po e bën prej disa javësh edhe me Top Channel dhe drejtuesit e saj, me ndërhyrje të rënda në jetën e tyre private, pra me dy televizionet më kritike ndaj opozitës. Dhe nga ana tjetër është po PD që ka marrë në mbrojtje një tjetër botues të dënuar për trafik droge por në ndryshim nga unë, mbështet hapur opozitën. Mesazhi është i qartë: nëse je me opozitën mund të bësh edhe trafik droge dhe ne do të të mbrojmë, nëse je kundër opozitës nuk do të jesh i lirë as të punosh ndershmërisht sepse ne do të persekutojmë ty dhe familjen tënde. Kjo gjë ka ndodhur edhe në Kilin e Pinoçetit.

PD nuk ka për qëllim të kërcënojë me këtë metodë vetëm shtypin e lirë, por edhe sipërmarrësit të cilët i paralajmëron (edhe përmes telefonatave dhe pa zhurmë mediatike) duke kërkuar: ose financo fushatën tonë elektorale, ose tregojmë sekretet e tua fiskale. O kalo nga ana jonë, ose ua kalojmë konkurrentëve listën e furnizuesve të tu. Ose na mbështet, ose do të tregojmë borxhet që ke me tatimet. Ose bëhesh me ne, ose të linçojmë publikisht. Pastaj do të vijë radha e policëve, gjykatëve, drejtuesve, anëtarëve të komisioneve zgjedhore, politikanët dhe në fund radha e çdo qytetari jo militant i PD-së që mund të shantazhohet me të dhënat e tij private. Ky nuk është një skenar terrori mbi të ardhmen e Partisë Demokratike, kjo po ndodh sot, dhe unë jam një nga të shënjestruarit e parë. E megjithatë metoda e spiunimit të jetës private Partia Demokratike dhe aleatët e saj e kanë aplikuar dhe po e aplikojnë edhe ndaj ambasadorët e vendeve më të mëdha të pranishme në Tiranë, duke arritur t’i filmojnë edhe gjatë pushimeve për t’i përdorur më pas pamjet politikisht. Teknikë tipike alla Sigurimi.

Çështja është shumë serioze dhe nuk më përket vetëm mua. Përkundrazi, unë kam respektuar ligjin, me etikën dhe ndërgjegjen time dhe nëse do të mi kërkonin, do ua ofroja unë të njëjtat informacione tatimore sepse për mua, personalisht, nuk përbëjnë ndonjë sekret. Por a e mendojnë kështu të gjithë biznesmenët? Eshtë normale që një parti të përdorë të dhënat private të qytetarëve për qëllime politike? E vërteta është se pasi dhunuan jetën institucionale me dorëheqjen nga parlamenti, Partia Demokratike ka shkelur një tjetër vijë të kuqe: Tani dhunon jetë private, gjithnjë e më e dëshpëruar, gjithnjë e më ilegale, gjithnjë e më e vetme.

Në 2012, kur Sali Berisha ishte në krye të gjithçkaje, një oficer në shërbim më tregoi se një grup njerëzish të SHIU-t kishin ngritur një sistem spiunimesh të paligjshme që përgjonte kundërshtarët politikë, por edhe informonin hajdutë ordinerë të shtëpive mbi lëvizjet e sipërmarrësve dhe pasuritë që kishin në banesë. Nuk i besova atij rrëfimi dhe në fakt nuk e botova. Por sot shoh të njëjtët njerëz që vazhdojnë të bëjnë spiunime për qëllime të paligjshme dhe filloj të besoj se, ndoshta, ishte e vërtetë edhe ajo çfarë tregonte oficeri. Thjeshtë Berisha dhe Basha janë ata që nuk kanë ndryshuar dhe kurrë nuk do të ndryshojnë.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore