Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Vëmendja te Covid-19, sistemi publik shëndetësor po braktis të sëmurët e tjerë?

Vëmendja te Covid-19, sistemi publik shëndetësor po braktis

Shqipëria, sikurse të gjitha shtetet, është e përfshirë nga vala e dytë e qarkullimi të Covid-19, duke lënë në heshtje të sëmurët kronikë që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm shëndetësor.

Ndërsa e gjithë vëmendja e sistemit publik shëndetësor është përqëndruar tek ofrimi i trajtimit për pacientët me koronavirus, duke ofruar ambiente e shtretër jashtë spitalit infektiv, të tjerë pacientë kronikë, sic janë të sëmurët me tumor, diabet, hypertension po mbeten në harresë.

I vetmi shërbim që marrin sot janë mjekimi bazë që ofron mjeku specialist në poliklinikat e qendrat shëndetësore, ndërsa për rastet akute asgjë nuk dihet. E vetmja portë pritëse është sistemi privat, klinikat dhe spitalet por që kushtojnë aq shumë sa pacientët në gjendje të keqe ekonomike nuk kanë asnjë mundësi.

Të pyetur nga gazeta “Shqip”, drejtues të disa klinikave private në Tiranë u shprehën se në këtë periudhë pandemie, përvec testeve anticovid të shpejtë kanë pasur mjaft kërkesa nga pacientë për trajtimin e patologjive të ndryshme të shfaqura papritur.

Ndërsa pacientët kronikë që kanë nevojë për ekzaminime, detyrohen të paguajnë disa fish koston e tyre në spitalet private, po ashtu dhe analizat pasi spitalet janë të gjitha në gadishmëri për pacientët me koronavirus.
I njëjti shqetësim po ngrihet dhe në vende të tjera. Forumi ekonomik global ka thekuar se duke i dhënë përparësi parandalimit të përhapjes së COVID-19, ne kemi shpërfillur pa dashje njerëz që jetojnë me sëmundje të rralla, kancer dhe kushte të tjera shëndetësore akute dhe kronike.

“Gjatë pandemisë, kemi parë një rënie të konsiderueshme të diagnostikimeve dhe ekzaminimeve të reja të kancerit, ndërsa shumica e njerëzve që jetojnë me një sëmundje të rrallë, thanë se karantinat kanë shkaktuar ndërprerje në kujdesin klinik.

Kemi nevojë për zgjidhje krijuese për të siguruar që të gjithë mund të kenë akses ndaj kujdesit shëndetësor themelor, qoftë apo jo kohë krize”, shkruan forumi global ekonomik.

Gazeta “Shqip” u interesua pranë qendrës spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, si qendra më e madhe spitalore në vend për të pyetur për menaxhimin e shërbimeve shëndetësore në këtë periudhë por në pritje të përgjigjes po sjellim disa shifra si paraqitet situata sot në Evropë e botë.

Sipas Kolegjit Amerikan të Mjekëve të Urgjencës, 70% e njerëzve janë shumë ose disi të shqetësuar për të shkuar në një institucion shëndetësor nga frika e infektimit me COVID-19.

Ky rrezik i perceptuar, do të thotë se ka një numër shumë më të ulët të menaxhimit rutinor të sëmundjeve dhe ekzaminimeve parandaluese. Në sallat e urgjencës ka një rënie prej 50% të vizitave, që do të thotë se një numër i konsiderueshëm njerëzish janë duke pritur për të kërkuar trajtim, çka mund të çojë në dëme shëndetësore afatgjata apo edhe vdekje të parakohshme.

Shtrimet në spital për shkak të kushteve akute, vdekjeprurëse si ataku kardiak, goditjet në tru dhe apendiciti, janë gjithashtu në nivele të ulëta rekord, edhe pse niveli i këtyre sëmundjeve nuk ka të ngjarë të jetë ulur. Cigna, një shërbim për sigurimin e kujdesit shëndetësor në SHBA, zbuloi se shtrimet në spital kanë rënë me 35% për fibrilacionin atrial, 31% për atakun ishemik tranzitor, 28% për epilepsinë dhe konvulsionet dhe 24% për gjakderdhjet gastrointestinale, në krahasim me nivelet normale para bllokimit fillestar nga COVID-19 në SHBA.

Në Europë, 9 në 10 persona që jetojnë me një sëmundje të rrallë pësuan ndërprerje në kujdesin për sëmundjen e tyre, dhe 6 në 10 persona e kategorizuan këtë ndërprerje si “tepër të dëmshme” për shëndetin e tyre. Për më tepër, 3 në 10 persona e perceptuan ndërprerjen si “pa dyshim” ose “ndoshta” kërcënuese për jetën e tyre.

Më shumë se gjysma e personave që kishin nevojë për operacion të menjëhershëm ose transplant, qenë të detyruar ta anulonin ose ta shtynin operimin. Së fundmi, 7 në 10 personave me një sëmundje të rrallë vazhdojnë t’i anulohen takimet me mjekë ose specialistë të kujdesit parësor – dhe kjo prek 25 deri në 35 milioë njerëz në Europë që vuajnë nga një sëmundje e rrallë.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore