Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Aktualiteti

Shqipëria nën “urdhrat” e NATO-s, ja çfarë duhet të bëjë ushtria deri në vitin 2023

Shqipëria nën “urdhrat” e NATO-s, ja çfarë

Zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm kanë nisur me debat, por pavarësisht nga kjo, thuajse gjysma e institucioneve ka prezantuar strategjitë trevjeçare. Të vetmit, që mund të konsiderohen rast përjashtimor janë Forcat e Armatosura dhe kjo për faktin se Shqipëria, duke qenë anëtare e NATO, nuk ka ndikim të madh politika mbi Ushtrinë, sikurse ndodh në pjesën tjetër të administratës publike.

Një prej pikave që bie në sy në publikimin e strategjisë së Forcave të Armatosura të firmosur nga Shefi i Shtabit Bajram Begaj është një qasje e re mbi rolin dhe kapacitetet e ushtrisë, mirëkuptim në marrëdhëniet civilo-ushtarake, besim e partneritet brenda Aleancës dhe midis vendeve, për tu përballur me mjedisin kompleks të sigurisë që përfshin sulmet terroriste, ekstremizmin, katastrofat natyrore, emergjencat civile, luftën kibernetike, kërcënimet hibride dhe konvencionale në lindje dhe jug të Aleancës, por edhe situatën e krijuar prej pandemisë globale COVID 19.

Ekspertë shqiptarë dhe amerikanë janë tashmë duke punuar për të ngritur një forcë efektive dhe të aftë për t’ju përgjigjur sfidave dhe kërcënimeve të së ardhmes, në përmbushje të misionit kushtetues dhe detyrimeve në interes të Aleancës.

Transformimi do të synojë që në vitin 2023, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë të mirë pajisura, të jenë të gatshme, të stërvitura, të dislokueshme, ndërvepruese, modulare dhe të mbështetura për të vepruar në mëvetësi.

Rishikimi i dokumenteve strategjike, përmirësimi i legjislacionit (drafti për ndryshim i ligjit për karrierën dhe rendin e gradave Ushtarake, ligji disiplinës); ndryshimi i tabelës se organizimit dhe pajisjeve do të jenë busull për të orientuar transformimin e Forcave të Armatosura në garantimin e sigurisë dhe përballimin e skenarëve të kërcënimeve. Transformimi i FA do të sigurojë që procesi i planifikimit të jetë në harmoni me atë të Aleancës dhe të reflektojë ndryshimet e mjedisit të sigurisë, rreziqet e kërcënimet.

Një tjetër pikë, ku është përqendruar e gjithë vëmendja lidhet me frenimin e largimit të ushtarakëve cilësorë nga radhët e Forcave të Armatosura. Procesi i rekrutimit do të përmirësojë cilësinë e oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve/detarëve dhe civilëve.

Nënoficerët do të përzgjidhen midis ushtarëve/detarëve më të mirë pas përgatitjes në institucionet përkatëse arsimore. Karriera e ushtarakut do të normëzohet me procedura dhe kritere strikte, te qarta, sakta dhe mirëpërcaktuara, bazuar në arsimimin, performancën dhe potencialin e lidershipit. Për rritjen e transparencës, vlerësimi i performancës dhe rregullorja e përparimit në gradë të ushtarakut do të rishikohen, për të garantuar me shume shanse të barabarta në promovim, sipas kontributit, meritës dhe potencialit në interes të FA.

Përzgjedhja e ushtarakëve për përfaqësim apo dislokim në operacione, do të realizohet me procedura standarde transparente, vlerësim dhe certifikim për aftësinë profesionale dhe detyrat sipas misionit.

Në përputhje me nevojat që shtron koha dhe situata do të rishikohen dhe harmonizohen nivelet e gatishmërisë së FA me normat e standardet e aplikuara të NATO-s. Njësitë dhe repartet do duhet të arrijnë nivelet e kërkuara për personelin, pajisjet, stërvitjen dhe mbështetjen.

Fokusi do të jetë në njësitë e deklaruara në NATO, duke nisur me grup-batalionin e këmbësorisë së lehtë dhe elementët e tij mbështetës, si kontributi kryesor dhe më i qenësishëm i RSH në përmbushje të detyrimeve ndaj Aleancës.

Stërvitjet dypalëshe me partnerët strategjikë, (SHBA), do të përgatitin forcat e deklaruara në NRF, duke rritur aftësitë luftarake dhe ndërveprimin në funksion të vlerësimit dhe certifikimit të njësive dhe trupave pjesëmarrëse në operacione. Fokusi do të jetë në stërvitjet “Defender” duke nisur me “Defender 21”.

Parashikimi dhe vlerësimi real i kërcënimeve dhe rreziqeve, do të arrihet duke thelluar ekspertizën dhe zhvilluar sistemet për grumbullimin, përpunimin, prodhimin dhe menaxhimin e produkteve për suksesin e operacioneve brenda dhe jashtë vendit. Për të ndërtuar Forcat e Armatosura mbi dijen, profesionalizmin dhe informacionin, do të modernizohen sistemet e menaxhimit të informacionit për ti bërë të sigurta e ndërvepruese, që të ofrojnë shërbime edhe në teatrin e operacioneve. Në këtë kuadër do të ngrihet kapaciteti i mbrojtjes kibernetike për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e informacionit në sistemet e komunikimit.

Bazuar në dokumentet strategjike dhe doktrinat e Aleancës, do të përditësohen doktrinat e Forcave (FT, FD dhe Faj) dhe shërbimeve, për të orientuar rrugët se si do të arrihen objektivat, synimet dhe përmbushen interesat kombëtare duke vepruar përkrah forcave Aleate.

Në vitet 2020-2023, do të intensifikohet modernizimi i FA duke investuar në sisteme, pajisje dhe infrastrukturë. Prioritet do të jetë forca tokësore, me fokus grup-batalionin e këmbësorisë së lehtë, elementët e tij mbështetës dhe njësitë e tjera të deklaruara në NATO.

Nisur nga parimi i një seti të vetëm forcash, batalioni i dytë i këmbësorisë, si elementi kyç i grup-batalionit, krahas plotësimit me personel dhe intensifikimit të stërvitjes, do të kompletohet me pajisje, armatim dhe teknikë, për rritjen e fuqisë së zjarrit, lëvizshmërisë dhe mbrojtjes së trupave, për të qenë i gatshëm për pjesëmarrjen në operacionet e Aleancës.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore