Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Komisioni Rregullator vulos me shumicë votash rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit

Komisioni Rregullator vulos me shumicë votash rezultatin e zgjedhjeve

Komisioni Rregullator u nda 3 me 2 në miratimin e projektvendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prilli.

Rregullatori është hallka e fundit nëpër të cilin kalon rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Ky komision u mblodh këtë të martë me në rend dite shqyrtimin e projektvendimit të Komisionerit Ilirjan Celibashi.

Dy anëtarët e propozuar nga PD në këtë Komision shprehën votën kundër projektvendimin duke cituar disa parregullsi, sipas tyre që u vunë re para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve të 25 prilli.

Anëtarja Helga Vukaj citoi patronazhistët dhe marrjen e grumbullimin, sipas saj, të paligjshëm të të dhënave të shqiptarëve, ndërsa anëtari tjetër, Muharrem Çakaj citoi edhe tre pika të tjera.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi që të marrë si prova dhe të hetojë mungesën e votës të emigrantëve shqiptarë nga Greqia, që kanë votuar si gjithmonë duke u rikthyer në vendlindje. Së dyti, shpërndarja e parave të rindërtimit vetëm një javë para zgjedhjeve, propaganda e Qeverisë me vaksinat duke thënë na votoni ne se ju sigurojmë vaksinat dhe përdorimi i të dhënave personale të zgjedhësve shqiptarë në kundërshtim me legjislacionin dhe shantazhimin e kryeministrit që mos harroni se kryeministri deklaronte se mos harroni se po ju shikojnë patronazhistët”, tha Çakaj.

Çakaj tha se për të gjitha këto arsye gara më 25 prill ishte e padrejtë dhe e pabarabartë dhe njoftoi votën kundër projektvendimit.

Anëtari Dritan Çaka dhe Ilirjana Nano thanë se të gjitha pretendimet dhe denoncimet janë shqyrtuar nga organet e tjera, që nga Komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi deri te Kolegji Zgjedhor. Nano e konsideroi mbledhjen e Rregullatorit thjesht si formalitet dhe me vendimmarrje të kushtëzuar, që vetëm të miratojë projektvendimin.

“Ka përfunduar i gjithë procesi i ankimimeve administrative dhe zgjedhore. kodi zgjedhor kërkon nga ne shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Është një vullnet i kushtëzuar nga i gjithë procesi i mësipërm dhe rrjedhojë logjike dhe matematike e të gjitha proceseve vendimmarrëse dhe ankimore”, u shpreh ajo.

Përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso tha se beteja nuk mbyllet me këtë vendim dhe se ajo do ta vazhdojë me vlerësimet që do të nxjerrin në raportet e përfundimtare vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë dhe nënkuptoi se ankimimet do të vazhdojnë nga opozita në Gjykatën Kushtetuese.

Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Eridian Salianji tha se rezultati i zgjedhjeve dihet tashmë dhe për çdo ankesë tjetër jashtë institucioneve të KQZ-së le të kërkohet drejtësia dhe ndëshkimi i atyre që kanë shkelur Kodin Zgjedhor. / Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore