Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Pas takimit me Bashën/ Yuri Kim mesazh të prerë për PD: Partia mos të hajë bar për hatër të Berishës

Pas takimit me Bashën/ Yuri Kim mesazh të prerë për PD:

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka folur për mediat në dalje të selisë së PD pas takimit me Lulzim Bashën.

Kim theksoi rolin e Partisë Demokratike në marrëdhëniet e vendosura me SHBA si dhe në rrëzimin e diktaturës, por dha një mesazh të qartë të nënkuptuar kundër Sali Berishës.

“PD ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendosjen e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë dhe që vendi shqiptar të vazhdojë të qëndrojë në shtegun për rrugën drejt BE-së. Është një lajm shumë i mirë që opozita do të kthehet në parlament në shtator. E kuptoj se PD, ashtu si dhe partitë e tjera, nuk dolën të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, megjithatë lidhur me këtë morën raportin e OSBE-ODIHR. Këto shqetësime duhet të adresohen në mënyrën e duhur, dhe SHBA-të do vazhdojnë të mbështesin çdo përpjekje për demokraci në Shqipëri. Partia në qeveri duhet të dëshmojë se do ngrihet mbi interesat e saj partiake. Gjithashtu njoftoj rëndësinë që kur kryetarët e partisë të futen në parlament të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë karrigen e Shqipërisë. Edhe PD duhet të mendojë për këtë çështje. Dhe sikurse e kam përmendur PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë vendin nga diktatura, dhe do të jetë tragjike për vendin nëse partia do duhej të hante bar për hatër të një deputeti të saj. Partitë duhet të lëvizin përpara, e ardhmja na pret,” tha Kim.

"Dëshiroj të theksoj rëndësinë që ndërsa kryetarët e partive do të futen në Kuvend është e rëndësishme të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë përfaqësimin e Shqipërisë. Do të jetë e rëndësishme që PD të mendojë për këtë çështje. PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura komuniste. Do ishte një ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do të hante bar për hatër të një deputeti të saj".

Kjo është deklarata e fortë e diplomates amerikane, e cila edhe pse nuk përmendi emra, ajo kuptohet se shkon në mënyrë të drejtpërdrejt për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili është shpallur person "non-grata' nga ana e SHBA-ve. Ai së bashku me familjen e tij u shpall person "non grata", ndërsa aktualisht po kërkojnë që ish-kryeministri të mos jetë më deputet i Kuvendit.

Deklarata e plotë

Pata një diskutim shumë të mirë dhe të plotë me Kryetarin e PD Lulzim Basha sot. Ishte në vijim të takimit që ai pati kur Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit Phil Reeker ishte në Tiranë. Folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, rolin shumë të rëndësishëm që Partia Demokratike ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe rëndësinë që ka që Shqipëria të qëndrojë në rrugën e saj drejt Europës.

Nuk ka dyshim për rolin historik që Partia Demokratike ka luajtur, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm dhe, në këtë kuptim është lajm shumë i mirë që PD do të rikthehet në parlament në shtator. Kuptoj që PD dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit dhe të gjithë e dimë që ato shqetësime janë pasqyruar në raportin përfundimtar të nxjerrë nga ODIHR. Do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e nevojshme që institucionet përkatëse t’i trajtojnë ato shqetësime në mënyrë kuptimplotë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin këto përpjekje për të përmirësuar në mënyrë konstante zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri.

Teksa PD kthehet në parlament, do të jetë shumë e rëndësishme që partia në pushtet, PS, të tregojë se është serioze për t’u ngritur mbi interesat partiake për hir të vendit. Do të doja të theksoja gjithashtu përgjegjësinë që kanë kryertarët e partive për t’u siguruar që kur të hyjnë në atë parliament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje. Siç e përmenda më parë, Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura.

Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu. Shpresa jonë është që partitë do të ecin përpara, që ky vend do të ecë përpara, që bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të ecë përpara. E ardhmja po pret. Ka vendime të vështira përpara për të gjithë. Shpresoj që të gjithë të mund të pushojnë mirë gjatë gushtit, por shpresoj edhe që kur të kthehen të freskët dhe të ripërtërirë në vendosmërinë e tyre për të zgjedhur të ardhmen kundrejt të kaluarës. Faleminderit shumë.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore