Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Para cash, apartamente dhe automjete/ Pasuria e prokurorit që liroi vrasësit e Marvi Mihalit, përballet me vettingun

Para cash, apartamente dhe automjete/ Pasuria e prokurorit që liroi

Procesi i Vettingut pritet të pastrojë sistemin e drejtësisë, sytë e opinionit publik janë drejtuar nga ecuria e këtij proçesi. Tani radha për në sitën e vettingut i ka ardhur prokurorit të Tiranës Artan Lulaj.

Prokurori Lulaj u përball të martën në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me barrë prove në kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit. Trupa e vettingut kryesohej nga Lulzim Hamitaj, relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Alma Faskaj.

Ata pohuan se e kishin vlerësuar paraprakisht se Lulaj nuk kishte qenë plotësisht bashkëpunues, ndërsa nuk kishte kthyer disa përgjigje, nuk kishte vënë në dispozicion dokumente dhe kishte refuzuar të bënte transparencë mbi pasurinë e së bijës.

Birn shkruan se relatorja Genta Tafa Bungo replikoi disa herë me Lulajn dhe avokaten e tij, Romina Zano, sa i përket qëndrimeve të prokurorit mbi një kontratë sipërmarrje dhe refuzimin e shpjegimeve mbi pasuritë e së bijës dhe bashkëshortit të saj. Tafa këmbënguli se e bija, e përcaktuar në ligj si “fëmijë madhor” ishte person i lidhur.

Por Zano dhe më pas Lulaj pretenduan se kjo pasuri nuk mund të hetohej prej procesit të vetingut, ndërsa pretenduan se i kishin treguar KPK-së burimin e saj.

Si hyri Artan Lulaj në sistemin e drejtësisë

Artan Lulaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001. Ai ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe në Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, përpara se të transferohej në Prokurorinë e Rrethit Tiranë në vitin 2015.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga prokurori Artan Lulaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016.

Skeda e pasurisë së deklaruar nga prokurori i Tiranës, Artan Lulaj.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, prokurori Artan Lulaj zotëronte pasuri me vlerë 6.4 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria e tij familjare kap vlerën e 11.7 milionë lekëve.
Ai zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë 10.9 milionë lekë, kursime në cash prej 600 mijë lekësh, automjet me vlerë 200 mijë lekë si dhe likujditete bankare prej 900 lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 38.9 milionë lekë, nga të cilat gati 50% kanë si burim pagën e subjektit nga funksioni i prokurorit dhe 50% të tjera nga paga e bashkëshortes dhe një vendim gjyqësor për shkarkim të padrejtë nga puna.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 13 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave të pasurisë nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” transaksionet për blerjen e një apartamenti.

Në vitin 2006, subjekti Artan Lulaj deklaron shtesë aseti apartament banimi me vlerë 40,000 euro, ku si burim financimi shërbejnë kredi bankare 30,000 euro dhe detyrim i pashlyer ndaj firmës sipërmarrëse në vlerën 10,000 euro.

Gjatë vitit 2014 deklarohen të ardhura të bashkëshortes në vlerë 5,3 milionë lekë, nga të cilat
3.5 milionë lekë kanë si burim një vendim të gjykatës për largim të padrejtë nga puna nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve Tiranë.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Prokurori Artan Lulaj mbi supet e tij ka një nga aktet më të turpshme që ka ndodhur në sistemin e drejtësisë rasti "Mihali". Prokurori Artan Lulaj ndryshoi akuzat, nga vrasje në bashkëpunim, në moskallëzim krimi, nga ku u bë i mundur lirimi i 4 prej të arrestuarve për vrasjen e Marvi Mihalit i cili humbi jetën për një karikues.

Vrasja e dytë e Marvi Mihalit për shkak të prokurorit Artan Lulaj

Me 31 maj 2018 prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi procedim penal në ngarkim të prokurorit të Tiranës, Artan Lulaj, dhe dy gjyqtarëve të Tiranës, Sokol Pasho dhe Bedri Qori.

Procedimi është regjistruar pasi babai i Marvi Mihalit, të riut që u vra me thikë një vit më parë pas një sherri për një karikues, ka bërë kallëzim ndaj të treve për korrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Shkak për kallëzimin u bë lirimi i tre prej katër të arrestuarve për vrasjen e Marvi Mihalit, ku sipas babait të viktimës, prokurori Artan Lulaj i ndryshoi akuzat, nga vrasje në bashkëpunim, në moskallëzim krimi.

Prokuroria e Tiranës mori masa të menjëhershme, duke zëvendësuar prokurorin e çështjes Artan Lulaj me prokurorin Gjergj Tako. Në kallëzimin e dorëzuar më 25 maj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, babai i viktimës, Pavllo Mihali, akuzonte prokurorin Artan Lulaj për korrupsion.

Ai, madje, ka rrëfyer në kallëzim edhe takimin me prokurorin Lulaj, i cili, sipas tij, i ka thënë se “nuk pyet njeri” për punën e tij. Kallëzimi është dërguar edhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, Kryeprokurores Arta Marku. Kujtojmë se më 11 maj të këtij viti, u liruan nga qelitë e paraburgimit Eugen Bitraj, Kridens Alla dhe Marsel Alla, ndërsa i vetmi që mbeti në burg është Dejvi Bitraj, që ka marrë autorësinë e krimit.

Mirëpo, nga pamjet filmike duket që qartë se Dejvi Bitraj, pasi e godet me thikë në shpinë Marvi Mihalin, largohet nga vendngjarja më shpejtësi, ndërsa tre të tjerët vazhdojnë ta dhunojnë barbarisht derisa i riu jep shpirt.

Kallëzimi është bërë më datë 24 maj 2018 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndaj Artan Lulajt, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë; Bedri Qori, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; Sokol Pasho, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Kliton Zharrit, oficer i Policisë Gjyqësore.

“Ky person (Artan Lulaj), në kundërshtim të hapur me detyrën fisnike që i ka ngarkuar shtetit shqiptar, shkel të gjitha të drejtat tona dhe të djalit tonë, Marvi Mihali, duke lënë të lirë tre nga katër të pandehurit e procesit penal. Ky prokuror, në mënyrë abuzive gjatë 8 muajve të fundit, nuk na thërriti qoftë edhe një herë për të komunikuar dhe për të na dëgjuar në lidhje me ngjarjen makabre ku 4 persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vranë djalin tonë të vetëm, Marvi Mihali.

Ky prokuror, në këmbim të shumave të parave, këmbeu gjakun e derdhur të djalit tonë, me lirinë e tre kriminelëve, duke i liruar me akuzën e ‘moskallëzimit të krimit’, të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, edhe pse nuk ishin në asnjë nga kushtet dhe kriteret për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale. Ne, prindërit e Marvi Mihalit, viktimës së veprës penale, edhe pse i paraqitëm provat e pakundërshtueshme, ai me arrogancë u shpreh se ‘kam gabuar’ dhe ju “shkoni ku të doni, unë nuk pyes njeri”. Dhe jo vetëm; ky prokuror, në mënyrë të fshehtë, takohej me baballarët e kriminelëve Bitraj dhe avokatin e tyre”, shkruante Pavllo Mihali asokohe në kallëzimin drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Babai i Marvi Mihalit ka rrëfyer në kallëzim edhe takimin me prokurorin Lulaj, i cili, sipas tij, i ka thënë se “nuk pyet njeri” për punën e tij. Kallëzimi është dërguar edhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, Kryeprokurores Arta Marku. Kujtojmë se më 11 maj të këtij viti, u liruan nga qelitë e paraburgimit Eugen Bitraj, Kridens Alla dhe Marsel Alla, ndërsa i vetmi që mbeti në burg është Dejvi Bitraj, që ka marrë autorësinë e krimit.

 
 

Akuza për marrje parash

Ky nuk është skandali i vetëm i këtij prokurori më 26 maj 2018 në Top Chanell familjarët e një të arrestuar akuzonin prokurorin Artan Lulja se ju ka çuar sekserë për të liruar të ndaluarin.

Paditësi, Arian Çavo tregon se Mario Meshini u mbajt në burg nga prokurori në fjalë, ndërsa mes provave që tani janë në prokurorinë e Krimeve të Rënda ekziston një video që e shfajëson atë nga vrasja e Devi Kasmit.

Birn shkruan se prokurori Artan Lulaj, i cili bëri mbrojtjen sa i përket profesionalizmit, tha se në materialet që i ishin dërguar atij nga Komisioni kishte vënë në dukje se avokatja që kishte shërbyer si përfaqësuese e shitësit në këtë shit-blerje në vitin 2021 ishte po ajo që kishte bërë mbrojtjen e të pandehurve të akuzuar për vrasjen e Marvin Mihalit në vitin 2018. Lulaj tha se kjo ishte një insinuatë e papranueshme për të, ndërsa tha se ai nuk kishte qenë prokuror i çështjes kur avokatja në fjalë ishte përfshirë në proces.

Por relatorja dhe kryesuesi Hamitaj i thanë Lulajt se po replikonte bazuar në një shënim, për të cilin nuk ishte as barrë prove dhe për të cilin nuk i ishte kërkuar shpjegim. Megjithatë, Hamitaj këmbënguli se gjetjet e hetimit përmendeshin të gjitha pasi materiali shërbente edhe për palët e tjera në proces. “Ky është thjeshtë citim i një fakti,” tha Hamitaj.

Nga sa u kuptua nga relatimi, KPK i kishte kaluar barrë prove Lulajt në lidhje me hetimin e vrasjes së Marvin Mihalit. Relatorja vuri në dukje disa mungesa të hetimit, mosvlerësim të disa rrethanave, mungesën e hetimet në lidhje me rolin e tre personave veç autorit të dyshuar dhe të tjera.

Relatorja tha se Lulaj kishte bërë ndryshimin e akuzës ndaj tre të akuzuarve, nga bashkëpunëtorë në moskallëzim krimi dhe kishte pranuar zbutjen e masës së sigurisë ndaj tyre, edhe pse një ditë pas kësaj dha dorëheqjen nga çështja.

Lulaj kundërshtoi gjetjet e KPK-së në këtë çështje. Ai tha se hetimet kishin qenë të plota dhe përfundimet që ai kishte arritur ishin të sakta. Ai këmbënguli se ishte larguar nga çështja për shkak të akuzave në disa portale. Lulaj megjithatë nuk u fut në detaje, pasi tha se çështja ishte ende në gjykim në Gjykatën e Lartë dhe se ai nuk donte të dukej se po mbronte të akuzuarit.
Faskaj dhe relatorja thanë se prindërit e viktimës kishin kërkuar largimin e Lulajt nga çështja 12 ditë para se ky të pranonte zbutjen e masës së sigurisë për tre nga të akuzuarit. Ato pyetën prokurorin për konflikt interesi në këtë çështje dhe për vijimin e veprimeve prej tij, pavarësisht kërkesës për përjashtim.

Prokurori Lulaj këmbënguli se ai kishte qenë i detyruar të merrte pjesë në seancën e masave të sigurisë dhe se nuk kishte ndërmarrë veprime proceduriale, pasi zbutja e masës së sigurisë ishte bërë me kërkesë të mbrojtjes.

Artan Lulaj edhe pas këtyre megaskandaleve kërkon që të kthehet në detyrë, nesër me 13 janar, ora 9.30 do merret vendimi nëse do rikthehet në detyrë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore