Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

"Më ktheni drogën, ndryshe iu hoqa qafe vëllain"/ ‘Daily Mail’ zbërthen vrasjen e Jan Prengës, telefonatat e 'baronit' për 260 kg kokainë

"Më ktheni drogën, ndryshe iu hoqa qafe vëllain"/

Pas nënshkrimit të një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe për dëbimin e shqiptarëve ilegalë apo të dënuar, mediat britanike vijojnë t'i kushtojnë vëmendje këtij fenomeni.

Prestigjiozja Daily Mail, i ka kushtuar një shkrim të gjatë dhe ekskluziv, rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës. Kujtojmë se Prenga u rrëmbye në Kamëz dhe dyshohet se u vra në zonën e Shijakut, edhe pse trupi i tij nuk është gjetur ende. E gjitha lidhet me pazaret e drogës së vëllezërve të tij, për një sasi rekord kokaine, 260 kg.

“Një ditë, në janarin e vitit të shkuar, një sipërmarrës shqiptar me shtëpi në periferitë e Surrey, mori një telefonatë të papritur biznesi. Një telefonatë shumë të pazakontë biznesi,” shkruan Mail. Personi që po telefononte Ndrek Prengën ishte një baron droge, drejtuesi i një karteli famëkeq shqiptar, i quajtur Dritan Rexhepi.

Ai po e merrte nga 6000 milje larg, nga një burg në Ekuador. Rexhepi i tha Prengës se duhej të kthenin kokainën që i kishte vjedhur vëllai i tij, përndryshe vëllai tjetër që kishin rrëmbyer në rrugët e Shqipërisë, do vritej. Prenga nuk e dinte që i kishin rrëmbyer vëllain, Janin, i cili ishte krejt i pafajshëm në këtë histori.

Gjithçka nisi kur vëllezërit Prenga morën rrugët e botës për të siguruar një jetë më të mirë. Katër prej tyre shkuan në Britani dhe fituan edhe nënshtetësi.

Por teksa Antoni nisi një biznes të ndershëm, Ndreka dhe ‘Veri’ u përfshinë në rrjetet kriminale.

Ndreka u njoh edhe me famëkeqin Dritan Rexhepi. Pas një serie krimesh në Shqipëri dhe Itali, ai u arratis për në Amerikën e Jugut ku ngriti një kartel të sofistikuar droge, të quajtur Kompania Bello.

Karteli përbëhej nga 14 organizata kriminale shqiptare dhe drejtohej nga Rexhepi.

Por përse nisi përplasja?

Në dhjetor të vitit 2019, një ngarkesë mbërriti në Britani nga portet e Ekuadorit. Anija u ankorua në Portsmouth.

Brenda saj kishte një sasi prej 260 kg kokainë me një vlerë prej 20 milionë sterlina.

Sipas dokumenteve të para nga Daily Mail, Veri Prenga dhe dy bashkëpunëtorë të tij u punësuan nga ndërmjetës britanikë dhe iranianë për të marrë drogën në port. Ata e morën drogën, por këtu ndodhi kthesa katastrofike.

Korrierët shqiptarë ndoshta u bënë lakmitarë kur panë ngarkesën në kontenier. Cilido të ishte motivi, Veri Prenga dhe bashkëpunëtorët e tij nuk e dorëzuan drogën dhe e morën për vete. Burimet shqiptare thonë se ai mund të mos e ketë ditur se droga ishte e famëkeqit Dritan Rexhepi.

Një javë pasi morën drogën, një trafikant shqiptar e mori Verin në telefon. Ai i tha se duhej të sillte kokainën. “Mos bëj gabim. Droga është e jona”.

Menjëherë më pas, Rexhepi, i arrestuar dhe dënuar në një burg në Ekuador, mori në telefon Ndrek Prengën, edhe ky i fundit në një burg në Britani.

Mos luaj me këto gjëra sepse janë gjërat tona,” e kërcënoi.

Negociatat vazhduan për disa ditë, derisa një trafikant shqiptar i tha Veri Prengës se nuk do kishte më komunikim.

Rrëmbimi i Jan Prengës

Mëngjesin e 17 janarit, Jan Prenga kishte pirë kafe me gruan, kur doli në rrugë. Sipas dëshmitarëve, ai u rrëmbye dhunshëm nga katër persona të maskuar.

Dritan Rexhepi telefonoi Ndrek Prengën: “Ke fjalën time, vëllai do lirohet nëse më ktheni kokainën”.

Anton Prenga u takua me vëllain, Verin në një kafene në Londër. Veri i tha se kishte shitur një pjesë të kokainës. Më 22 janar, Veri dhe njerëzit e tij dorëzuan 106 kg kokainë dhe 700 mijë sterlina për pjesën që kishin shitur.

Sërish nga burgu, Rexhepi telefonoi vëllezërit Prenga dhe u tha se tani që mori drogën, do lironte vëllain për dy orë.

Por nuk ndodhi kështu. Rexhepi telefonoi Ndrek Prengën dhe i tha se personat që kishin rrëmbyer Janin nuk e kishin mbajtur fjalën. Kështu që ai u dha emrat e personave të përfshirë në këtë rrëmbim.

Policia mendon se Jan Prenga vdiq për shkak se u godit fort. Ai humbi shumë gjak.

Disa persona u arrestuan për ngjarjen, por ata u liruan më pas.

Për momentin, Dritan Rexhepi po vuan dënimin në Ekuador dhe mund të ekstradohet në Shqipëri. Por ekziston frika se "Mbreti i Arratisjeve" të përdorë ndonjë nga hilet e tij.

Edhe Ndrek Prenga është liruar nga burgu dhe ndodhet në Britani. Autoritetet britanike thonë se janë në dijeni të përplasjes për drogën dhe po hetojnë.

“Ne nuk mund të konfirmojmë apo mohojmë arrestimin e Veri Prengës”, tha policia.

Shkatërrimi i kompanisë "Bello"

Vitin e kaluar Europol njoftoi se pas një operacioni policor  pesë-vjeçar të udhëhequr nga Italia, Kompania Bello e Rexhepit është  “shkatërruar”.

U arrestuan më shumë se 100 persona në të gjithë Europën, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet shqiptare besojnë se ishte Rexhepi, ai që urdhëroi rrëmbimin nga qelia e tij e burgut në Ekuador.

Ai ka mohuar çdo akuzë.. "Unë i bëj thirrje kujtdo që e di se ku është fshehur trupi i viktimës të njoftojë autoritetet“, tha ai në intervistën e tij për Encrochat.

Pasi të vuajë dënimin në Amerikën e Jugut, ka të ngjarë të ekstradohet në Shqipëri për të vuajtur dënimin e tij./DailyMail

"Më ktheni drogën, ndryshe iu hoqa qafe vëllain"/

 

 

 

 

 

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore