Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

SPAK bind Ilir Metën, presidenti dekreton qeverinë "Rama 3" pa asnjë kundërshtim

SPAK bind Ilir Metën, presidenti dekreton qeverinë "Rama 3"

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar qeverinë "Rama 3" dhe ia ka dërguar dekretin Kuvendit të Shqipërisë.

Vendimi i kreut të shtetit vjen një ditë pasi Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK i ktheu përgjigje Presidentit në lidhje me verifikimin e ministrave të rinj të kabinetit, të cilët rezultuan të pastër.

Edi Rama do jetë kryeministri i Shqipërisë në mandatin e tretë radhazi, ndërsa dekreti i presidentit do të shkojë për t’u votuar në parlamentin e ri me 140 deputetët e betuar më 10 shtator.

Pritet tashmë vetëm miratimi nga Parlamenti dhe më pas betimi i secilit prej anëtarëve të kabinetit qeveritar po tek Presidenti Meta.

Bashkë me Ramën dhe Ahmetajn, qeveria e re e Shqipërisë do të ketë 17 anëtarë, ku prej të cilëve mbi 70% janë gra.

Presidenti Ilir Meta duket se është bindur nga SPAK duke miratuar menjëherë qeverinë e re, pa asnjë kundërshtim, duke shmangur kështu rastin e paprecedentë, ku në qeverinë e kaluar refuzoi të dekretonte Gent Cakajn.

DEKRETI NGA ILIR META

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI

D E K R E T

PËR EMËRIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të neneve 93, 95 pika 1, 96, 97, 98, dhe 99 të Kushtetutës, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, me propozim të Kryeministrit nr. 4281 prot., datë 11.09.2021, si dhe pas administrimit të informacionit prej organeve ligjzbatuese për verifikimin e kandidatëve të propozuar si anëtarë të Këshillit të Ministrave,

D e k r e t o j:

Neni 1

Emërimin e Këshillit të Ministrave me këtë përbërje:

1) Zoti Edi Rama- Kryeministër;
2) Zoti Arben Ahmetaj – Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave;

3) Zonja Olta Xhaçka – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
4) Zoti Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes;

5) Zoti Bledar Çuçi – Ministër i Brendshëm;
6) Zonja Delina Ibrahimaj- Ministër i Financave dhe Ekonomisë;
7) Zonja Belinda Balluku – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
8) Zonja Evis Kushi – Ministër i Arsimit dhe Sportit;
9) Zoti Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë;
10) Zonja Elva Margariti – Ministër i Kulturës;
11) Zonja Frida Krifca – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
12) Zonja Ogerta Manastirliu – Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
13) Zonja Mirela Kumbaro Furxhi – Ministër i Turizmit dhe Mjedisit;
14) Zonja Elisa Spiropali – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
15) Zonja Edona Bilali – Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
16) Zonja Bora Muzhaqi – Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët;
17) Zonja Milva Ekonomi – Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 13213
Tiranë, më 14.09.2021

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

Çfarë parashikon ligji, procedurat për qeverinë e re?

Sipas nenit 96, presidenti i republikës në fillim të legjislaturës emëron kryeministrin me prozim të partisë ose koalicionit që ka shumicën në parlament. Duke qenë se PS i ka votat e vetme, pikat e tjera të këtij neni nuk aplikohen në këtë rast.

Më pas, sipas nenit 97, brenda 10 ditëve kryeministri i mandatuar i paraqet Kuvendit programin qeverisës dhe emrat e kabinetit të ri.

Neni 98 parashikon se pas miratimit nga parlamenti qeveria e re shkon për dekretim brenda 7 ditëve tek presidenti i republikës , në këtë rast, tek Ilir Meta.

Ndërsa neni 99 detyron kryeministrin, zv.kryeministrin dhe ministrat të betohen tek presidenti, para se të marrin zyrtarisht detyrën.

Betimi tek presidenti i shkarkuar

Si kurrë më parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një qeveri të dekretuar nga një president i shkarkuar, si dhe një kabinet qeverisës që betohet para një presidenti që nuk e njeh, pasi e ka shkarkuar disa muaj më parë.

Sigurisht, vendimi nuk është përfundimtar, pasi do jetë Gjykata Kushtetuese, ajo që do vendosë mbi fatin politik të Ilir Metës. Vendimi gjithashtu do tregojë nëse kemi një shkarkim të drejtë nga maxhoranca, apo një “akt qesharak” për arsye të luftës politike.

Gjithsesi, palët duket se kanë vendosur të zbatojnë Kushtetutën. Ishte fillimisht kreu i shtetit që dekretoi Edi Ramën si kryeministër, ndërsa edhe ky i fundit ka deklaruar që do paraqitet për t’u betuar tek presidenti që shkarkoi me votë dhe që e quan “turpi më i madh i vendit”./

/Gazeta SHQIP

 

SPAK bind Ilir Metën, presidenti dekreton qeverinë "Rama 3"

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore