Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Aktualiteti

Kriza në PD po jep dy zhvillime, Zogaj pro Bashës e mesazh Berishës: I jep fund dualizmit dhe heq pengesën amerikane

Kriza në PD po jep dy zhvillime, Zogaj pro Bashës e mesazh

Preç Zogaj ka ndërmarrë një vendim sa i përket përplasjeve mes Berishës dhe Bashës, duke mbajtur anën e kryedemokratit në konfliktin e nisur brenda PD-së.

Ai ishte i ftuar në takimin e organizuar nga PD-ja në Art Turbina për 8 Dhjetorin ai u shpreh se PD do të gjejë forcën për të dalë më e fortë nga kjo stuhi. Ndërsa theksoi se kjo krizë brenda demokratëve ka dhuruar dy ndryshime të rëndësishme.

“Jemi të shqetësuar për ato që shajnë ne se nuk kemi përmbajtje tjetër si formacion politik. Ka mbi 8 vjet që nga pozita ime si publicist në PD, kam shprehur shqetësim për dy gjera PD-ja nuk mund të shkojë në fitore pa zgjidhur dualizmin, nuk ka dy kryetarë, dualizmi nuk çon në fitore dhe nëse i ke të gjitha në rregull. Unë kam vënë re se prej disa vitesh ka pasur një pengim nga SHBA për PD dhe arsyet janë bërë të qarta për arsyet që janë bërë publike dhe mund të publikohen më vonë, ne nuk mund të bëjmë gjë në lidhje me këtë. Kjo krizë që ndodhi ka zgjidhur dualizmin, dhe ka hequr pengesën amerikane, pas 30 vitesh për herë të parë unë konstatoj se SHBA që përfaqësojnë kornizën e sigurisë në vend dhe në Kosovë dhe kthehen përkrah partisë Demokratike. Rivendosja me SHBA dhe heqja e dualizmit janë dy premisa të fuqishme pa të cilat dhe nëse i ke në rregull të tjerat nuk fiton dot, dhe kërkojnë një parti që modernizohet dhe hapet për të dhënë një strategji për të gjitha, kjo është rruga ndaj duhet që përtej shumë dallimeve dhe ndryshimeve që ekzistojnë në PD duhet të bashkohemi, duhet të bashkohemi te euroatlantizmi”, ka thënë Zogaj.

Ai theksoi se demokratët duhet të bashkojnë se kanë vetëm një qëllim rrëzimin e qeverisë Rama.

Fjala e Preç Zogajt për “8 Dhjetorin”:

Me të parin Azem Hajdari, me Sali Berishën, e me disa të tjerë që u gjendën aty në një moment historik për të marrë një vendim, që rezultoi të ishte historik. Të them të drejtën unë kam shkruar gjer e gjatë edhe për lëvizjen e dhjetorit dhe për gjithë tranzicionin.

Kam 10 libra për tranzicionin, por libri im më i dashur për mua është libri “Fillimet”, që e kam shkruar nga një distancë 25 vjeçare dhe ka në fokus zhvillimet shqiptare më 1990-1992. Faqet që më emocionojnë edhe mua, kur i hedh sytë librit tim, janë ato faqe ku unë kam përshkruar orët e një ngjarjeje, ku nuk kam marrë pjesë, siç janë ato të mbrëmjes së 8 dhjetorit 1990 deri pas mesnatën e asaj nate. Ajo është ngjarja ekskluzive e një grupi studentësh, e një pararoje të studentëve, të cilët me Azem Hajdarin në krye i dhanë betejën më ballore që i ishte dhënë ndonjëherë regjimit për 50 vjet. Ata u nisën natën nga një qytet pa drita drejt të panjohurës, drejt shkopinjve të gomës, drejt një përballjeje që nuk kishte ndodhur.

Aty fillon historia e re e Shqipërisë, aty është ora, aty është moment, që një grup studentësh, që unë i krahasoj me ushtarët e Salaminos, treguan drejtimin e ri të historisë së re të Shqipërisë. Unë atë ngjarje e kam ndërtuar duke konsultuar shënime, por edhe folur me Azemin, shumë herë. Besoj se ajo është ngjarja më madhe e Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë, në historinë e Shqipërisë.

Në atë ngjarje na bashkon pikëpamja se demokracia në Shqipëri është vepër e rinisë. E dyta, lidhet sërish me rininë, kthimi i Shqipërisë për herë të parë me fytyrë nga Perëndimi, nga SHBA, nga Evropa, është po vepër e rinisë. Kjo ndodhi atë ditë të lëvizjes së dhjetorit. Gjithçka që erdhi më pas, edhe PD, që u krijua 3-4 ditë më pas, sigurisht që vjen për t’i dhënë shprehje politike asaj që studentët vendosën, kthimin e Shqipërisë me fytyrë nga Perëndimi.

Nuk është asnjëherë e tepërt që të përkulemi para studentëve, që u ballafaquan me Ramiz Alinë, u përballën me të dhe ja morën pluralizmin. Shqipëria demokratike është identiteti i rinisë. Pushteti nuk është pronë, lidershipi nuk është pronë, janë stafetë, trashëgohen nga të gjithë. Shqipëria ka rininë si lokomotivë të ndryshimeve.

Unë e nënvizoj me forcë që fillimet tona kanë fytyrën e rinisë dhe vazhdimet duhet t’i ngjajnë fillimit. Rinia duhet të jetë gjithmonë ajo që prin. Kjo duhet të ishte esenca e demokracisë në Shqipëri, në kuptimin e qarkullimit të elitave, që duhet të ishte bërë një zakon në Shqipëri. Por, çfarë ka ndodhur? Për fat të keq, megjithëse historia fillon kështu dhe studentët e dhjetorit, shumica prej tyre, kanë ikur nga Shqipëria, sepse nuk janë pajtuar me asnjë aspekt të puhisë që shoqëria PD dhe janë distancuar prej saj, kemi më shumë kasta, se qarkullim elitash.

Kastash solidare, që shpeshherë kanë bërë e bëjnë teatër, vënë monopolin mbi partinë, ato janë shkaku i prapambetjes. Turpi nuk mbaron këtu, sepse njerëzit e kastave, që duan të vendosin përjetësinë në parti, kanë guximin shpeshherë, që në këtë përpjekje të tyre, ta ftojnë rininë për mbushje, që të jetë rinia një mbushje, një dekor. Kjo do të ishte një gjë e llahtarshme. Të rinjtë nuk duhet të jenë kurrë si dekor. Është e shëmtuar. Rinia ka tjetër mision, sjell freskinë, këndvështrimin e ri.

Unë kam jetuar shumë 8 dhjetorë, por nuk janë festuar në këtë format si kësaj radhe. Të gjithë e dimë se jemi në një zhvillim të panjohur të Shqipërisë dhe të PD. Jemi para disa rrethanave që nuk kanë ndodhur ndonjëherë. PD është përfshirë në një krizë, në një turbullirë, dhe jemi të shqetësuar të gjithë për këtë gjë. Jemi të shqetësuar për njëri-tjetrin, për ata që nuk janë këtu, për bashkimin e PD, për ata që na shajnë, që nuk mendojnë si ne. Jemi të shqetësuar vërtet.

Unë jam pranë PD, kam shprehur shqetësim për dy gjëra, së pari PD nuk mund të shkojë në fitore, duke mos zgjidhur problemin e dualizmit në drejtimin e saj. Nuk ka parti të djathtë që s’dihet kush është kryetari, nuk mund të ndodhë. As kryetari që s’bëhet kryetar dhe as ish-kryetari që nuk ikën nga kryetar, nuk ka. Dualizmi nuk çon në fitore dhe po t’i kesh të tëra letrat në rregull.

E dyta, prej disa vitesh ka pasur një pengim nga SHBA për PD. Arsyet janë bërë të qarta në zhvillimet që kanë ndodhur, do ndodhin të tjera më vonë. Ajo është fuqi e madhe, ne nuk bëjmë dot asgjë. Nuk ka të ardhme PD, që të rithemelohet si oksidentale dhe të fitojë zgjedhjet.

Kjo krizë që ndodhi ka zgjidhur dualizmin dhe ka hequr pengesën amerikane. Pas 30 vitesh, unë konstatoj se për herë të parë SHBA kthehen dhe deklarohen për një bashkëpunim të ngushtë me PD dhe shprehin dëshirën të festojnë pranë saj fitoren, sic ka ndodhur më 1992. Heqja e dualizmit dhe rivendosja e marrëdhënieve të ngushta me SHBA janë dy premisa të fuqishme, pa të cilat nuk fiton, edhe po t’i kesh të tjerat në rregull.

Prandaj them se duhet që, së paku, përtej shumë dallimeve e ndryshmeve, që ekzistojnë në PD, në 2-3 gjëra duhet të bashkohemi, së pari të bashkohemi tek euroatlantizmi, tek ai euroatlantizëm që e njohin dhe ata si të tillë, jo të themi jam pro amerikan, po kur ata s’më njohin për të tillë, s’jam; të bashkohemi rreth vetëdijes se përballë PD ka vetëm një kundërshtar, që është qeveria e Edi Ramës.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore