Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Aktualiteti

"Hiqni favorizimet tek hotelet me 5 yje, taksoni pijet alkoolike..."/ Miratohet buxheti 2022, socialistët rrëzojnë Erion Braçen

"Hiqni favorizimet tek hotelet me 5 yje, taksoni pijet alkoolike..."/

TIRANË - Pas debateve mes deputetëve, Kuvendi ka miratuar me 77 vota pro buxhetin për vitin 2022, duke rrëzuar propozimet e bëra nga ish-zv.kryeministri Erion Braçe dhe LSI. Kundër buxhetit votuan 46 deputetë, ndërsa amendamentet e Braçes u mbështeten nga vetëm 8 deputetë.

Propozimet e bëra në amendamentet e Erion Braçes i referoheshin politikave që duhen ndërmarrë në Bujqësi për të bërë të mundur që bujqit të lehtësoheshin nga TVSH dhe të nxitej prodhimi. Ndërsa ndër amendamentet e tjera, LSI propozoi edhe rimbursimin e ilaçeve të përdorura gjatë pandemisë së Covid-19.

Në seancën plenare në Kuvend po ashtu është miratuar edhe amendamenti për 60 milionë lekë shtesë për institucionin e Vettingut, KPA.

Projektbuxheti i vitit 2022, parashikon mbledhjen e 536.8 miliardë lekëve dhe shpenzime në vlerën e 637.6 miliardë lekëve.

Projektbuxheti parashikon rritje të pagesës së papunësisë, dyfishimin e ndihmës ekonomike për 15 mijë familje në vend si dhe trefishimin e ndihmës për familjet në nevojë me 3 fëmijë. Po ashtu do të rriten pagat me 6% për bluzat e bardha dhe arsimtarët, rritje me 7% për pagat e Gardës së Republikës, si dhe rritje me 30% për personelin e forcave të armatosura. Sa i takon pagës minimale ajo do të arrijë në 32 mijë lekë brenda 2022, ndërkohë që për pensionet do të ketë vetëm indeksim sa vlera e inflacionit si dhe do të jepet bonus 5 mijë lekë në fundvit.

Çfarë propozoi Erion Braçe

Braçe prezantoi propozimet e tij lidhur me 10 amendamente, ku përfshihej përjashtimi i bizneseve të mëdha nga lista fiskale, të cilët paguajnë vetëm 6% TVSH, pasi sjellin të ardhura në bilancet e tyre.

Propozimi tjetër ishte për të hequr favorin e bërë në sektorin e ndërtimit për zonat rezidenciale dhe në bregdet. Braçe tha se duke vendosur TVSH për furnizimin me tokë dhe për shitjen e parë të ndërtesës ndalohet edhe zaptimi.

Më tej, ai lexoi relacionin e projektligjit për TVSH në vitin 2014, kur qeveria propozoi barazimin e TVSH për fermerët në shitje dhe blerje 20/20%, kur qeveria thoshte se do të ndihmonte sektorin. Në foltoren e Kuvendit, deputeti i PS-së tha se heqja e kompensimit 6% të TVSH-së dhe taksimi i inputeve do të shkaktoj humbje të mëdha për bujqit.

Braçe u ndal edhe te taksimi i pijeve alkoolike, dhe heqja e favorizimeve për sektorin e birrës, pasi sipas tij favorizimet nuk mund të jenë të përjetshme, ndërsa më tej bëri thirrje të taksohet vaji i palmës dhe të mos përjashtohen fabrikat nga taksimi i qumështit pluhur./Gazeta SHQIP

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore