Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Dënohet kompania Telemetrix, manipulonte matjen e audiencës së televizioneve

Dënohet kompania Telemetrix, manipulonte matjen e audiencës së

Top Channel ka fituar betejën ligjore gati dy vjeçare me "Telemetrix", kompaninë fantazmë të matjes së audiencës televizive në Shqipëri.

Sipas vendimit, gjykata e shkallës së parë ndalon kategorikisht këtë kompani të masë audiencën televizive të Top Channel dhe të Vizion Plus. Gjithashtu, gjykata ka vendosur që "Telemetrix" do të dëmshpërblejë me një shumë të konsiderueshme Top Channel për dëmin e shkaktuar si dhe do të paguajë të gjitha shpenzimet gjyqësore.

Vendimi i gjykatës i jep fund kështu një abuzimi të gjatë për audiencën televizive në Shqipëri që bëhej mbi të dhëna të paplota dhe të manipuluara nga "Telemetrix". Gjatë gjithë gjykimit "Telemetrix" nuk demonstroi dhe nuk tregoi në asnjë moment sesi realizonte matjen e audiencës televizive në vend.

Kjo kompani, në mënyrë të njëanshme, të paplotë, të pasaktë dhe pa logjistikën e duhur, nxirrte raporte me të dhëna rreth audiencës televizive të Top Channel. Kompania “Telemetrix”, një nga dy kompanitë që mat audiencën me aparatura të pa kontrolluara dhe akredituara nga organet shtetërore, vazhdonte të maste audiencën e Top Channel, megjithëse Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apelit urdhëroi pezullimin e matjes.

Kambanën e alarmit për pabesueshmërinë e kësaj kompanie e ka ngritur edhe një raporti i Këshillit të Europës që thotë se ka dyshime se Telemetrix mund të manipulojnë qëllimisht të dhënat kundrejt pagesave.

Studimi, i kryer nga një prej ekspertëve më të njohur në botë të kësaj fushe, ka dalë në përfundimin se kompanitë që masin audiencën televizive në Shqipëri, përdorin sisteme me kufizime të mëdha dhe nxjerrin të dhëna me besueshmëri të ulët.

Me kërkesë të AMA-s, Këshilli i Europës caktoi një ekspert që bëri verifikime në terren. Ivor Millman ishte te kompanitë që pretendojnë se masin audiencën në Shqipëri.

“Takimi im me ‘Telemetrix’ tregoi një sistem me kufizime të konsiderueshme, panel relativisht i vogël (rreth 375 shtëpi); i kufizuar në mbulim gjeografik, matje e televizorëve, por jo njerëzve; matje përgjithësisht e vetëm një televizori në çdo familje, si dhe pikëpyetje në lidhje me çështje teknike.”, thotë Ivor Millman në raport.

Për këtë arsye, raporti vëren se matjet e audiencës nga këto kompani janë tërësisht të pabesueshme.

Abuzimi prej vitesh

Matja e audiencës së televizioneve në Shqipëri është një problem i hershëm. Megjithëse kanë kaluar shumë vite, ende sot e kësaj dite, nuk kemi asnjë institucion shtetëror që të masë sa shihen televizionet shqiptare, kush është i pari, i dyti apo kështu me radhë.

Gjatë kësaj kohe, janë ngritur disa shoqëri private, të cilat pa asnjë bazë ligjore, por edhe të pa kontrolluara nga shteti, ashtu si edhe aparaturat e tyre nuk janë licencuara apo akredituar, kanë matur audiencën e televizioneve që xhirojnë miliona euro paga për punonjës, shpenzime të tjera, apo të ardhurat nga reklama. Askush prej institucioneve shtetërore, si AMA apo AKEP-i, nuk i kontrollon këto shoqëri private.

Pak kohë më parë “Fiks Fare” publikoi një hulumtim të plotë që tregoi se kjo kompani nuk ka asnjë investim në teknologji që mundëson matjen e audiencës, si dhe ka konflikte të drejtpërdrejta interesi, pasi drejtuesit punojnë në shoqëri marketingu.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore