Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Balla sulmon Çuçin për situatën e krimit

Balla sulmon Çuçin për situatën e krimit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka folur me doza kritike ndaj Policisë së Shtetit duke thënë se kjo organizatë duhet të ngrihet në pritshmëritë që kanë qytetarët për të luftuar krimin.

Gjatë fjalës së tij në Parlament për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Balla mori për referencë vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan pak ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, duke thënë se policia kishte informacion për grupet e PD-së të quajtur Struktura për Mbrojtjen e Votës, që me furgone të loguara të Partisë Demokratike qarkullonin persona të armatosur dhe nuk parandaloi krimin.

“Atë ditë Ilir Meta vetëm 3-4 orë përpara ngjarjes deklarojnte dhe bënte thirrje të mprehim thikat, kosoret, lopatat. Dhe pak orë më pas një organizatë kriminale e ngritur, e mbështetur, e pranuar publikisht nga PD, ekzekutoi në qendër të qytetit të Elbasanit një qytetar autokton të Elbasanit, familja e nderuar Xhuvani, dhe që për fat të keq ende PD nuk është distancuar nga ky akt kriminal që mban tërësisht përgjegjësinë e tyre dhe të Ilir Metës në bashkëpunim si nxitës të dhunës dhe njerëit e reduktuar mercenarë të PD si vrasës me pagesë.

E kam thënë se ajo që ndodhi në Elbasan ishte dhe një përgjegjësi e Policisë së Shtetit e cila nuk i mori masat në kohë, nuk parandaloi një akt kriminal teksa ishte njoftuar se në makinat e loguara të PD udhëtonin persona të armatosur dhe që për fat të keq Policia e Shtetit duhet të ngrihet në përgjegjësinë dhe pritshmërinë  e qytetarëve shqiptarë në këtë mandat tonë të tretin sepse ende nuk është aty ku unë do të kisha dëshirë ta shikoja Policinë tonë të Shtetit. Shpresoj që Policia e Shtetit të bëjë ringritje më të fortë në përballje me krimin”, u shpreh Taulant Balla nga foltorja e Parlamentit.

Kohët e fundit vendi është tronditur nga ngjarjet kriminale, ku çdo ditë ka pasur nga një të vdekur nga vrasjet. Disa vrasje ishin të stilit mafioz ku policia nuk ka mundur të arrestojë autorët, ndërkohë janë shënuar edhe vrasje brenda familjes.

Disa qytete u tronditën nga vrasjet ku mund të përmendim Vlorën, Shkodrën, Librazhdin, Tepelenën e Lushnjën. Vetëm në 8 ditët e para të qershorit janë raportuar 8 vrasje.

Kohët e fundit, numri i viktimave që vijnë nga vrasjet është më i lartë sesa numri i viktimave të shkaktuar nga pandemia e Covid-19. Kjo situatë e rëndë kriminale që ka përshirë vendin ka shkaktuar panik te qytetarët.

Vrasjet e ndodhura vetëm në muajin qershor:

1 QERSHOR - vritet Çajup Selimi në Tepelenë

2 QERSHOR - vritet Shkëlzen Velaj në Vlorë

2 QERSHOR - vritet Hirakli Qorri në Lushnje

4 QERSHOR - vritet Kudret Saliaj në Tiranë

6 QERSHOR - vritet Diana Vukaj në Shkodër

6 QERSHOR - vritet Gramoz Memaj në Sarandë

7 QERSHOR - vritet Lumturie Bici në Librazhd

8 QERSHOR - vritet Ylber Xhahysa në Peqin

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore