Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Ekskluzive/ Rritet disiplina në ushtri: Shkeljet e reja dhe për çfarë ulesh në gradë

Ministria e Mbrotjes ka propozuar disa ndryshime në ligjin “Për disiplinën në Forcat e Armatosura” duke plotësuar kështu disa mangësi që janë evidentuar ndër vite dhe duke ashpërsuar masat ndëshkuese për shkeljet e ushtarakëve.

Ndryshimet e reja synojnë rritjen e disiplinës në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe forcimin e disiplinës ushtarake dhe rendit ushtarak.

Në draftin të cilin Gazeta SHQIP e ka siguruar të plotë përcaktohen shkeljet disiplinore si dhe janë shtuar llojet e masave disiplinore për secilën shkelje, duke i mundësuar vendimmarrësit dhënien e një mase disiplinore në proporcion të drejtë me rëndësinë e shkeljes.

Problematikat kryesore të cilat janë evidentuar nga zbatimi në praktikë i ligjit aktual, janë raste shkeljesh të cilat nuk janë të përcaktuara si të tilla, por që në vetvete përbëjnë sjellje të cilat cenojnë etikën dhe disiplinën. Për këtë arsye, është vlerësuar e nevojshme të përditësohet lista me shkelje për secilën kategori duke shtuar shkelje të reja apo duke rikategorizuar disa prej tyre. Gjithashtu, ka pasur ndryshime sa i përket llojit të masave disiplinore, si dhe autoriteteve kompetente për dhënien e tyre.

Çfarë parashikon pr.ligji për shkeljet shumë të rënda?

Në nenin 6, ku përcaktohen shtesa dhe ndryshimet e bëra në nenin 13, renditen shkeljet disiplinore shumë të rënda. Lista është përditësuar, duke shtuar shkelje të reja, duke ndryshuar shkeljet aktuale.Ngacmimet seksuale, organizimi i lojërave të bixhozit, ushtrimi i dhunës apo refuzimi i urdhrave i janë shtuar listës së re të shkeljeve shumë të rënda.

Shkelje të reja:

  1. ngacmimet seksuale, në formën e orvatjes së padëshiruar seksuale, kërkesë për favore seksuale dhe sjellje të tjera verbale apo fizike të një natyre seksuale, të kryera nga eprori ndaj vartësit ose ndaj ushtarakut me gradë më të ulët, gjatë ose jashtë orarit të punës, kur nuk përbën vepër penale;
  2. organizimi i lojërave të bixhozit në ambientet ushtarake, me qëllim përfitimin e vlerave monetare ose materiale;
  3. ushtrimi i dhunës fizike të paligjshme ose tentativa për ushtrim dhune, sjellja fyese apo kërcënuese ndaj një personi tjetër, kur kjo ushtrohet nga oficerët aktivë me grada të larta ose madhore të FA-së ose kur kryhet ndaj eprorit të drejtpërdrejtë, në rastet kur nuk bëhet kallëzim nga i dëmtuari;
  4. refuzimi i zbatimit të urdhrit apo një vendimi të ligjshëm të dhënë nga eprori;
  5. mosmarrja e masave të duhura të organizimit dhe sigurisë nga drejtuesit e njësive dhe reparteve të FA-së, kur kjo ka sjellë pasoja të rënda materiale.

Nëpërmjet nenit 7, ku përcaktohen ndryshimet e bëra në nenin 14, është shtuar një masë disiplinore për shkeljet e lehta “Stërvitje disiplinuese”, e cila është masa që i jepet verbalisht nga autoriteti përgjegjës ushtarakut të Forcave të Armatosura brenda natyrës së elementeve të stërvitjes, të tilla si; vrapim, pompa, palosje, apo ndonjë stërvitje tjetër të përshtatshme gjatë orarit të punës. Gjithashtu, janë shtuar disa masa disiplinore për shkeljet shumë të rënda.

Ndëshkimët për shkeljet

Sipas nenit 8, ku përcaktohen ndryshimet e nenit 18 të ligjit aktual, në rastet e kryerjes së një shkeljeje të lehtë disiplinore, në kushtet e rrethanave lehtësuese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me masat “Qortimi” ose “Detyra shtesë”, thuhet në draftin e siguruar nga Gazeta SHQIP. Në rastet e kryerjes së një shkeljeje të rëndë disiplinore, në kushtet e rrethanave lehtësuese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me masën “Vërejtje me shkrim” ose “Kufizimi i lëvizjes në kufij të përcaktuar” dhe në rastet e kryerjes së një shkeljeje shumë të rëndë disiplinore, në kushtet e rrethanave lehtësuese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me masën “Vërejtje me paralajmërim” ose “Ulje në detyrë”.

Ndërsa në nenin 9 bëhen shtesa dhe ndryshime në listën e rrethanave rënduese, si dhe përcaktohen mundësitë e zgjedhjes midis masave disiplinore për shkelje disiplinore të kryera në kushtet e rrethanave rënduese.

Në rastet e kryerjes së një shkeljeje të lehtë disiplinore, në kushtet e rrethanave rënduese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me masën “Punë jashtë orarit” ose “Stërvitje disiplinuese”; Në rastet e kryerjes së një shkeljeje të rëndë disiplinore, në kushtet e rrethanave rënduese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me masën “Ndalim disiplinor” ose “Gjobitje në pagë”; Në rastet e kryerjes së një shkeljeje shumë të rëndë disiplinore, në kushtet e rrethanave rënduese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me masën “Ulje e pagës”, “Ndalimi për gradim”, “Ulje në gradë” ose “Shkarkimi dhe lirimi nga Forcat e Armatosura”.

“Masat disiplinore, që jepen nga autoriteti përgjegjës për shkelje shumë të rënda, janë:

  1. a) “Vërejtje me paralajmërim”, e cila është masa me shkrim, e motivuar, drejtuar ushtarakut të Forcave të Armatosura, për lirim nga Forcat e Armatosura;
  2. b) “Ulje në detyrë”, e cila është një masë nëpërmjet së cilës, ushtaraku emërohet në një detyrë të përcaktuar për t’u ushtruar nga një ushtarak me gradë më të ulët, për jo më shumë se një vit.
  3. c) Ulje e pagës”, e cila është masë,nëpërmjet së cilës ushtaraku do të trajtohet me pagën e deri një grade më të ulët për jo më shumë se një vit;

ç) “Ndalimi për gradim”, e cila është masa që ndalon ushtarakun për të konkurruar për marrjen e gradës së radhës, vetëm 1 herë.

  1. d) “Ulje në gradë” e cila është një masë nëpërmjet së cilës, ushtaraku ulet deri në një gradë, por jo më shumë se 1 vit. Në fund të vitit, ushtaraku rimerr gradën e mëparshme.
  2. dh) “Shkarkimi dhe lirimi nga Forcat e Armatosura”, e cila është masë ekstreme e dhënë për shkelje shumë të rënda disiplinore”.

Tre shkelje të lehta brenda vitit konsiderohet si shkelje e rëndë

Gjithashtu, në nenin 11 të ligjit është shtuar një paragraf, i cili përcakton se:

“Kryerja e shkeljes së tretë të lehtë disiplinore brenda një periudhe njëvjeçare, konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore dhe masa e dhënë për këtë shkelje do të jetë në përputhje me masat për shkeljet e rënda, sipas pikës 2 të nenit 14 të këtij ligji.”

Ndryshimet e reja në shkeljet e lehta dhe të rënda disiplinore

Në nenin 4, ku përcaktohen shtesat dhe ndryshimet e nenit 11 të ligjit, renditen shkeljet disiplinore të lehta. Lista është përditësuar, duke shtuar shkelje të reja, duke ndryshuar shkeljet aktuale dhe duke zhvendosur shkelje nga të lehta në të rënda dhe anasjelltas. Përkatësisht:

Shkelje të reja:

  1. shkrepja e armës nga pakujdesia, e cila nuk shkakton dëme materiale apo lëndime njerëzore;
  2. mosmirëmbajtja dhe/ose dëmtimi i armës, municionit, teknikës, pajisjeve ushtarake të Forcave të Armatosura nga pakujdesia, që shkakton humbjen e përkohshme të gatishmërisë teknike të tyre.

Shkelje të cilat ishin pjesë e listës, por kanë pësuar ndryshime:

  1. publikimi i paautorizuar në rrjetet sociale të pamjeve personale apo të çdo efektivi të Forcave të Armatosura me armatim ushtarak, simbole dhe mjete teknike ushtarake;
  2. pranimi i dhuratave ose ndonjë përfitimi nga vartësit apo personave të tjerë në lidhje me shërbimin ushtarak, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Shkelje të cilat, pas rikategorizimit, kanë kaluar nga shkelje të lehta në shkelje të rënda:

  1. mosraportimi i përdorimit të armës së zjarrit;
  2. moszbatimi i detyrave të dhëna nga eprori i drejtpërdrejtë ose jo;
  3. prishja e qetësisë në njësi ose reparte ushtarake, kur nuk përbën vepër penale.
  4. veprime me dashje, të cilat çojnë në paaftësi fizike të vetë ushtarakut, me qëllim shmangien nga detyrat e ngarkuara.

Shkelje të cilat, pas rikategorizimit, kanë kaluar nga shkelje të rënda në shkelje të lehta:

  1. lëvizja e gabuar nga pakujdesia e teknikës ose mjetit tokësor, detar, ajror nga ushtaraku, kur nuk përbën vepër penale;
  2. përdorimi i lojërave të bixhozit në ambientet ushtarake, me qëllim përfitimin e vlerave monetare ose materiale.

Në nenin 5, ku përcaktohen shtesa dhe ndryshimet e bëra në nenin 12, renditen shkeljet disiplinore të rënda. Lista është përditësuar, duke shtuar shkelje të reja dhe duke zhvendosur shkelje nga të rënda në shumë të rënda. Përkatësisht:

Shkelje të reja:

  1. mosrespektimi i orarit të punës më shumë se një herë brenda një periudhe njëmujore;
  2. ushtrimi i presionit ndaj vartësve për përfitime personale, kur nuk përbën vepër penale;
  3. “Ngacmim” në çdo formë sjelljeje të padëshiruar, që lidhet me gjininë e një personi dhe ka për qëllim dhe/ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit personal ose krijimin e një mjedisi kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues apo fyes për atë person, si dhe në rastin e një trajtimi më pak të favorshëm, i kryer si rezultat i kundërshtimit ose i mosnënshtrimit nga ana e personit të cenuar ndaj një sjellje të tillë.

Shkelje të cilat ishin pjesë e listës, por kanë pësuar ndryshime:

  1. shkelja me qëllim e rregullave të mbajtjes, mirëmbajtjes, ruajtjes dhe përdorimit të armatimit, municionit, teknikës, pajisjeve ushtarake të Forcave të Armatosura.

Shkelje të cilat, pas rikategorizimit, kanë kaluar në shkelje shumë të rënda:

  1. dhënia ose mundësimi i dhënies së informacioneve me karakter ushtarak, për të cilat ka marrë dijeni gjatë kryerjes së detyrës ose edhe jashtë saj në mënyrë të rastësishme, personave të paautorizuar ose medias, kur nuk përbën vepër penale.
  2. përdorimi i pajisjeve elektronike për regjistrimin dhe/ose filmimin e bisedës me eprorët, vartësit dhe kolegët, për çfarëdolloj arsyeje, pa dijeninë e tyre, kur nuk përbën vepër penale dhe përveç rasteve të parashikuara me ligj.

Gjithashtu, janë shtuar dy paragrafë, duke përcaktuar, si më poshtë:

Së pari, shkeljet disiplinore: “shprehja e kritikave publike ndaj FA-së, në formë shkresore, elektronike apo verbale, që cenojnë imazhin e institucionit apo personalitetin e ushtarakëve të tjerë të FA-së”; “fshehja, ndryshimi ose asgjësimi i dokumenteve zyrtare në formë shkresore ose elektronike”; “dhënia me dashje e informacionit të gabuar, përveç rasteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi”; “ushtrimi i dhunës fizike të paligjshme ose tentativa për ushtrim dhune ndaj një personi tjetër, në rastet kur nuk bëhet kallëzim nga i dëmtuari”; “ngacmimet seksuale, në formën e orvatjes së padëshiruar seksuale, kërkesë për favore seksuale dhe sjellje të tjera verbale apo fizike të një natyre seksuale, të kryera gjatë ose jashtë orarit të punës, kur nuk përbëjnë vepër penale”, të kryera gjatë trajnimeve, kualifikimeve, arsimimit, shërbimit, stërvitjes, misionit jashtë vendit apo të kryera nga oficerë me grada madhore, kategorizohen si shkelje shumë të rënda disiplinore dhe masa e dhënë për to do të jetë sipas masave disiplinore për shkelje shumë të rënda.

Së dyti, kryerja e shkeljes së tretë të rëndë disiplinore, brenda një periudhe njëvjeçare, konsiderohet shkelje shumë e rëndë disiplinore dhe masa e dhënë për këtë shkelje do të jetë në përputhje me masat për shkeljet shumë të rënda.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore