Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Moda e re e veshjeve, po kërkohen xhinse Anti-Covid

Prodhuesit shqiptarë të veshjeve kanë përshtatur linjat e tyre sipas kërkesave të reja të imponuara nga partnerët ndërkombëtarë, për shkak të situatës së koronavirusit. Elementet shtesë janë rezistenca e veshjeve ndaj dezinfektuesve dhe detergjentëve të fortë dhe mosdepërtimi i lagështirës.

Sa u takon shitjeve, njësitë e tregtimit raportojnë se në karantinë, shqiptarët zgjodhën që të plotësonin gardërobën e tyre me pizhame e të linjta, duke eliminuar blerjet në kategori të tjera. Kthimi në normalitet nuk është shoqëruar me rigjallërim në të gjithë kategoritë. Veshjet për raste dhe ato të mbrëmjeve kanë mbetur stok, me një përqendrim vetëm tek përditshmëria dhe pjesa e komoditetit. Në finale, COVID-19 po rimodelon gjithë industrinë e veshjeve si për sa i përket prodhimit, ashtu edhe sjelljes së konsumatorëve.

Kthimi në normalitet është shoqëruar me një tjetër valë blerjesh nga konsumatorët dhe shitjet më të mëdha, sipas kërkesës, janë për grupin e fëmijëve. Qëndrimi për tre muaj në izolim (praktikisht thuajse një stinë) ka bërë që nga dimri të kalohet në verë dhe nënat kanë nxituar që të plotësojnë së pari gardërobën e fëmijëve e më pas të kalojnë te plotësimi i gardërobës së tyre kryesisht me veshje të përditshme dhe të rehatshme.

Brandet e veshjeve për fëmijë si ‘Prenatal’ dhe ‘Okaidi’ kanë pasur kërkesat dhe shitjet më të larta, grupmosha që këto brande mbulojnë është ajo nga 0-14 vjeç. Mungesa e blerjeve gjatë karantinës, bëri që të gjitha blerjet të përqendroheshin në periudhën pas COVID-19, për të përmbushur nevojat për veshje, ndërkohë që fëmijët rriten. Këto shitje ishin 50% e shitjeve totale të kompanisë” pohon Elda Hysenbelli, Drejtore Ekzekutive e “Fashion Group Albania”.

Tendencat që kanë shfaqur blerësit në këtë kohë post-karantinë për veshje variojnë, por diçka mbetet e qartë. Veshjet e rasteve të veçanta apo ato të mbrëmjeve nuk po i kërkon kush, për aq kohë sa mbrëmjet e maturave, dasmat apo gëzime të tjera familjare mbeten të ndaluara dhe jeta e natës ende mbetet shumë më pak aktive se dikur.

Prodhuesit përshtatin veshjet me standarde dhe masa anti-COVID-19

COVID-19 nuk ka rimodeluar vetëm psikologjinë e blerjeve te konsumatorët por edhe kërkesat e kompanive për veshjet që ofrojnë në dyqanet e tyre. Krienko Memo, administrator i “Krienko Jeans”, që prej vitesh bashkëpunon me marka ndërkombëtare për të prodhuar për llogari të tyre veshje me gamë të gjerë nga xhinset te bluzat e këmishët, shprehet se së fundi i janë kërkuar të aplikojë standarde të reja.

“Ne kemi filluar të prodhojmë xhinse me disa solucione që rezistojnë 50 larje shtëpie me detergjentë të fuqishëm, që kanë të përfshirë edhe pjesën kundër koronavirusit. Janë xhinse që po i prodhojmë këtu, por edhe ato që janë porositur nga jashtë. Kjo është një kërkesë e tyre që të jenë të certifikuara edhe ndaj lagështirës, domethënë që të mos depërtojë dhe të prekë trupin, por të qëndrojë si bulëz mbi veshjen. Kriteri që po flasim është kërkuar për xhinset, bluzat, këmishët. Në përgjithësi për veshjet. Koronavirusi po ndryshon mënyrën sesi ne po prodhojmë” – tregon Memo.

Ai thotë se ky vit është i vështirë për të gjithë sektorin fason dhe më të vegjlit do ta kenë të vështirë mbijetesën dhe se porositë nga partnerët ndërkombëtarë pritet të jenë në tkurrje. Se cili skenar do të materializohet lidhur me këtë tkurrje, ai shprehet se nuk mund të ketë saktësi, por në rastin më optimist pritet një ulje me 30%. Markat ndërkombëtare do të shohin ecurinë e shitjeve në dyqanet e tyre deri në shtator, kohë që do të shërbejë si test për të vendosur lidhur me porositë e radhës.

Nga Hirushe në atlete, blerjet tek këpucët dominohen nga stili komod

Një fjalë e urtë thotë “sipas vendit dhe kuvendi” dhe e aplikuar kjo tek veshja, do të thotë respektim korrekt i kodeve sipas ambienteve.

Viteve të fundit, të paktën tek pjesa e këpucëve është vënë re një tendencë gjithmonë e më shumë drejt komodes, duke eliminuar takat e larta apo stiletto-t në maksimum dhe duke lulëzuar trendi i atleteve që, tani, edhe me një kostum serioz nuk po duken dhe aq të çuditshme, përkundrazi quhet trendy.

Kompanitë e prodhimit dhe shitjes së këpucëve raportojnë se në periudhën e karantinës pati një rënie të blerjeve. Tek e fundit, kujt i nevojiten këpucë, stiletto apo atlete për të lëvizur nga kuzhina në ballkon. Emanuela nga kompania “Mito by Caterina Firenze”, që prodhon për një sërë markash të huaja, por edhe për tregun shqiptar, tregon se shitjet kanë qenë në ulëta dhe mbeten të tilla, teksa pritet një lloj rigjallërimi në vazhdim.

Sipas saj, këpucët që po parapëlqehen gjithmonë e më shumë janë atletet, teksa bilanci i gardërobës ka bërë që të ketë një lloj kërkese për këpucët me taka. Gjithsesi, sot më shumë sesa Hirushe për evente dhe dasma, femrat po kthehen tek atletet, duke kërkuar stil më praktik dhe komod. /Marrë me shkurtime nga Monitor

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore