Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Ligji jugosllav i Edi Ramës për bregdetin

Projektligji i qeverisë, që synon që t’i japë një agjencie qeveritare menaxhimin e trojeve apo tokave në bregdet apo pranë bregdetit, përveҫ se pritet që të sjellë një trazirë institucionale, pasi sigurisht do të kontestohet qoftë edhe nga Gjykata Kushtetuese, qoftë edhe nga Gjykata e Strasburgut, është një vendim që e vendos shtetin edhe më keq sesa koha e Enver Hoxhës.

Sistemi komunist, megjithëse shtetëzoi, apo i hoqi pronësinë zotëruesve reale, nuk bëri tjetërsimin ligjor, madje ruajti kadastrat.

Ligji i ri për “Menaxhimin e Integruar të Zonës Bregdetare”, është në thelb një ligj diskriminues, pra shkelës të drejtash, thelbësorja e drejta e pronës, por edhe një akt që nuk do të prodhojë një kapërcim apo zhvillim të integruar të bregdetit, ashtu siҫ pretendon drafti.

Për këtë ka një mijë e një precedent. Në këtë draft, qeveria i heq të drejtën pushtetit vendor, pra bashkive që të administrojnë territoret ku ata votohen, por e merr përsipër një ent publik, i cili ushqen klientelizmin, trajtimin preferencial, e më tej monopolin.

Për të përmendur dy precedentë, një jashtë vendit dhe një brenda vendit.

Qeveria jugosllave, e më pas edhe ajo e Malit të Zi, në trojet bregdetare që zotëroheshin nga shqiptarët nuk ka lejuar kthimin e pronave, megjithëse ekzistojnë dokumente autentike, pra tapi, apo menaxhim nga pushteti vendor, siҫ për shembull komuna e Ulqinit.

Thuajse të gjitha të drejtat bregdetare të zonës nga derdhja e Bunës e deri në Tivar, e administron qeveria e Podgoricës, dhe kjo është bërë me qëllim që të mos lejojë një fuqizim të faktorit shqiptar. Është një “aparteid” në miniaturë. Një zonë perlë e bregdetit të Ulqinit, siҫ njihet Gjiri i Valdanosit, nuk u kthehet pronarëve të ligjshëm, pasi mbahet peng nga qeveria qëndrore dhe ajo zonë, megjithëse një perlë natyrore, ullishte mijëra-vjeҫare që ka furnizuar Romën, sot është e pazhvilluar.

Precedenti shqiptar është Kakomeja, ku Fatos Nano, donte të ndërtonte një resort turistik që ja dha një kompanie të madhe franceze shumë serioze, si Clubmed, pa u konsultuar me banorët e zonës që kishin tituj pronësie në territore të caktuara të truallit në fjal. Prej vitit 2005, Kakomeja, një perlë e bregdetit shqiptar ka mbetur e pazhvilluar.

Në të gjitha rastet, centralizimi, nëpërmjet heqjes së kompetencës mbi territor të pushtetit vendor ka prodhuar vetëm konflikt.

Në mandatin e parë të Ramës, kur ishte në koalicion me LSI, ministria e Bujqësisë e Panaritit, dha me qira territore të mëdha trojesh bujqësore në Myzeqe për njerëz klientelistë dhe asnjë nga këto territore nuk sollën zhvillim apo një projekt zhvillimi.

Qëllimi i këtij drafti është thjeshtë që qeveria të ndajë licenca për oligarkët e klientelës, por nuk mundet dot që të eliminojë pushtetin vendor dhe pronarin real të trojeve, qoftë edhe duke bërë dekualifikimin e truallit, si për shembull kullote apo tokë bujqësore, siҫ ka ndodhur në Himarë, pasi edhe pse kooperativë në kohën e Enver Hoxhës, ҫdo terren tashmë është një aset që i shërben turizmit.

Kushdo që do të marrë një leje për zhvillim do të bllokohet, madje mund të shkojë në faliment siҫ ka ndodhur edhe më zhvilluesin e projektit të Kakomesë por edhe më të tjerë. Madje në Strazburg, vendimet kundër qeverisë shqiptare mund të kenë vlerë ndoshta edhe dhjetëra herë më të larta se ҫmimi i kripur për prishjen e pallatit të Lulit në Ujin e Ftohtë…

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore