Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Investigim

Manovrat e Ballukut për të fshehur përgjegjësinë e bllokimit të rrugës Kardhiq-Delvinë

Tre segmentet e aksit Kardhiq-Delvinë nisën ndërtimin në vitin 2018 dhe janë pothuajse drejt përfundimit të punimeve. I vetmi segment gara e të cilit nuk mund të kryhej brenda vitit 2018, ishte ai i fundit për ndërtimin e tunelit që shmang qafën e Muzinës dhe afron dukshëm distancën me Sarandën.

Ndonëse jemi në mesin e vitit 2020, procedurat për tunelin kanë stopuar. Për një vit e gjysmë gjithçka është bllokuar dhe në konflikt janë dy operatorë ekonomikë: “Vëllezërit Hysa” dhe “Gjoka Konstruksion”. Kjo e fundit ofroi disa milionë euro më pak në këtë tender, por nuk u shpall fituese, pasi ish-drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku kryen veprime të dyshimta gjatë kësaj procedure para lidhjes së kontratës me fituesin.

Qato urdhëroi një inspektim në kantierin e Rrugës së Arbrit, ku përpiloi një dokument me pretendimin se kompania Gjoka nuk kishte kryer punimet në tunele dhe kishte mashtruar për punë të pakryera në aplikimin e bërë për garën e tunelit të Kardhiqit.

Qato dhe Balluku tentuan që të shpallnin fituese kompaninë “Vëllezërit Hysa”, pavarësisht faktit se kontrata me këtë kompani do të rezultonte me vlerë shumë më të lartë se me kompanitë e tjera.

Për këtë skandal dha dorëheqjen Sonila Qato si drejtore e ARRSH-së. Megjithatë brenda pak javëve u rehabilitua si këshilltare pranë Ministrisë së Infrastrukturës, që drejtohet nga Balluku.

Ndërsa beteja në Komisionin e Prokurimit Publik vazhdon, Sonila Qato u kallëzua në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) nga shoqëria Gjoka. Burimet pranë këtij institucioni sqarojnë se Qato është marrë në pyetje mbi dyshimet se ka shpërdoruar detyrën, shkelur barazinë në tendera dhe ka kryer korrupsion.

Një kallëzim i dytë për Sonila Qaton do të depozitohej nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH kërkon hetim të thelluar penal, pasi në tenderin e lotit 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë, kanë marrë pjesë gjashtë subjekte, ku fituese është nxjerrë kompania me vlerën më të lartë të ofruar me rreth 19 milionë euro, ndërsa 5 të tjerat janë skualifikuar.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, për katër kompani, skualifikimi ka qenë i drejtë pasi nuk përbushnin kriteret, ndërsa operatori tjeter është skualifikuar në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik. Dëmi sipas KLSH vlerësohet plot 5 milion euro me TVSH.

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar disa herë kantierin e Rrugës së Arbrit duke konfirmuar edhe vetë përfundimin e punimeve ne tunelet që vuri në pikëpyetje ish drejtoresha Sonila Qato. Këtë konstatim duket se e ka kryer edhe Komisioni i Prokurimit Publik, ndërsa akoma nuk ka shpallur fituese kompaninë Gjoka Konstruksion.

Arsyeja? Zyrtarizimi i vendimit të KPP dhe shpallja fituese e kompanisë Gjoka Konstruksion është njëkohësisht konfirmimi se Sonila Qato ka kryer shkelje ligjore me dëm ndaj interesave të shtetit. Konfirmim që do duhet të pasohej me lëvizjen e SPAK dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të Sonila Qatos.

Duket se deri më tani, qeveria Rama ka preferuar të ruajë kokën e Sonila Qatos në kurriz të tunelit të Kardhiqit ç'ka e lë këtë aks të papërfunduar.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore