Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Konflikti i Ballukut me BERZH, shkaku i bllokimit të hekurudhës Tiranë-Durrës

Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, e premtuar që prej 20 viteve në Shqipëri, sërish ka mbetur peng i menaxhimit të dyshimtë dhe ekskluziv i qeveritarëve shqiptar.

Edhe pse e lanҫuar në nëntorin e vitit të shkuar, kredia e dhënë nga BERZH për të financuar projektin, ende nuk ka nisur puna pasi Ministrja e Transportit Belinda Balluku ka kualifikuar për tenderin një kompani që nuk plotëson kriteret teknike dhe ligjore.

Ministrja Balluku është përplasur me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, siҫ ndodhi kohë më parë me Sekretariatin Europian të Energjisë. BERZH e ka cilësuar tentativën e ministres Balluku për të kualifikuar kompaninë italiane si klienteliste dhe të dyshimtë.

Që në fund të vitit 2018 është hapur rruga për të përfituar kredinë e BERZH, pasi ishte Bashkimi Europian që me një grant të tijin kreu studimin e fizibilitetit.

Në nëntorin e vitit të shkuar, zv.ministri i Transporteve Artan Shkreli deklaroi se në vitin 2020 do të nisnin punimet, kur u shpallën hapja e procedurave të tenderit. Në fillim garuan 25 kompani, pastaj ata u reduktuan në 10 e kjo ҫoi më pas në impasin që përplasi Ballukun me BERZH.

Projekti përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore nga stacioni qendror hekurudhor Durrës deri në vendndodhjen e ardhshme të Terminalit të Transportit Publik të Tiranës (PTT) me gjatësi 34.2 km dhe, gjithashtu, për të ndërtuar një linjë të re hekurudhore që lidh linjën kryesore me Aeroportin e Rinasit (gjatësi 4.7 km.)

Projekti parashikon edhe instalimin e një sistemi të ri sinjalizues dhe telekomunikacioni, të integruar në sistemin e linjës hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas.

Sipas amendimit të Marrëveshjes, asnjë pjesë e të ardhurave  të  financimit  me  grant nuk  përdoret,  në  mënyrë  të  drejtpërdrejtë  ose  të tërthortë,   për   të   paguar   blerjen   e   tokës ose ndërtesave, në territorin e Marrësit ose diku tjetër.

Kostoja totale e projektit llogaritet në 90.5 milionë euro, nga të cilat 36.9 milionë euro janë siguruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe një grant nga Bashkimi Europian me 35.4 milionë lekë. Vlera e TVSH dhe kostot lokale parashikohen që të mbulohen nga qeveria.

Sipas afateve të përcaktuara, kjo hekurudhë, e cila u fut në investimet e mëdha që premtoi Edi Rama në fushatën zgjedhore të vitit 2017, duhet të mbyllej në nëntorin e vitit 2020.

Por ne jemi në qershor dhe ende nuk ka nisur puna.

Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që nuk e ka modernizuar hekurudhën ndaj ajo përdoret nga një pjesë e vogël e popullsisë.

Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas ka qenë pjesë e një projekti për mallra kryesisht për të furnizuar kompanitë e zonës industriale, por edhe transportin në terminalet e Portit të Durrësit dhe atë të Rinasit.

Plani për këtë hekurudhë është shumë i vjetër. Madje qeveria e Fatos Nanos, ja dha ndërtimin e kësaj hekurudhe me koncension kompanisë së famshme shumëkombëshe General Electric, por që më pas ky koncension u hodh poshtë nga qeveria e Sali Berishës.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore