Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Maturantët e "eksperimentit 2020", tezat dhe sistemi që po i shtyjnë të lënë atdheun

Nuk ka asnjë dyshim tashmë qe maturantët e vitit 2020 nuk po llastohen, madje me revolten e tyre nxorrën ne pah probleme të cilat prej dekadash i ka patur sistemi arsimor shqiptar, por i ra atyre për pjesë të bëheshin brezi eksperimental i 2020, ku të rikthyer në banka për konsultime pas 3 muajsh izolim, u duhej të përballeshin jo vetëm me një presion të madh kohe dhe njohurish, por edhe me presionin psikologjik që ushtrojnë situata të tilla.

Logjika demokratike na thotë se, kur qëndrojnë përballë 32 mijë maturantë të cilët njëzëri pohojnë se standartet e aplikuara në testim, nuk përputhen as më njohuritë e tyre, as më sistemin që është aplikuar brenda gjithë periudhës së tyre dhe nga ana tjetër qëndron Ministria e Arsimit, që mesa duket ka në plan të aplikojë një sistem të ri mësimdhënieje, të drejtë kanë të parët. Janë shumë, dhe flasin njëzëri.

Pse kanë të drejtë maturantët?

Së pari, rastet e denoncimeve të shumta, si nga maturantët, edhe nga mësuesit, na bëjnë të besojmë me fakte se diçka nuk shkon. A është problemi thjesht i  trajtimit të gjuhës shqipe( për këtë flasin ekspertet) apo është aplikimi i  sistemit të testimeve të 2020,  i papërputhshem me mesimdhënien që është kryer, deri në atë çast.

Denoncimeve do u shtoja gjithashtu një denoncim të mbërritur pak më parë nga maturantë të një shkolle jopublike në Tiranë, pas publikimit të çelësit të përgjigjeve.

“PYETJA 5

Kjo pyetje e cila na mundoi aq shumë. ..Përse Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati përmbysi barkën? Përse mos të përqëndrohej dhe të kërkonte procedurën e saktë për tu kthyer ne pozicion të sigurtë? Apo kështu keni dëshirë ju ta përmbysni atë siç doni të përmbysni ëndrrat tona? Nuk e di se cili është shpjegimi logjik i kësaj pyetjeje dhe me padurim po pres një të tillë prej jush!

PYETJA 8

Me sa kam mësuar këto vite në shkollë gjithashtu në tekstin e gjuhës shqipe 11 funksioni i reklamës është që “të bindin marrësin që të përdorë produktin dhe shërbimin e reklamuar”. Tani për ëfarë janë reklamuar imazhet në park? Që të tregohet shumëllojshmëri veprimtarish??? Nuk më duket se është ky funksioni i reklamës. Edhe nësë e quani përgjigjen D të saktë, kurresesi nuk  mund që A-ja të jetë e gabuar.

PYETJA 18

Nuk e kuptoj se si mund ta rritësh interesin e një lexuesi duke thënë “Besoj se ka ardhur koha për një vizitë në qytetin e Sarandës”. Po me anë te kësaj fjalie ti mund ta nxitësh atë po kurrësesi nuk i ngjall dot interes. Duke thënë se ‘’Mrekullitë e Sarandës kapërcejnë cdo përfytyrim” atëherë lexuesi nis të kërkojë thellë në imagjinatë dhe i zgjohet kureshtje për këtë gjë të cilën as nuk mundet ta përfytyrojë.”

Së dyti, edhe sikur në rastin më të keq, e drejta të mos qëndronte në anën e tyre (megjithëse jam e prirur te besoj te parën) maturantët, sapo kanë dalë nga një periudhë e gjatë izolimi, për shkak të koronavirusit, që dëmton jo vetëm memorien, por edhe logjikën.

Ja përsëri si shprehet një maturante:

“Zonja Shahini i vetmi lehtësim që kërkonim ne maturantët nga ju ishte një tezë e hartuar saktë. Një tezë në të cilën e kuptoje kërkesën dhe nuk e rilexoje atë me dhjetra herë për ti marrë thelbin … nuk kërkuam shume… Edhe pse menduam se për shkak të situatës së vështirë provimet nuk do të mbaheshin si në shumë vende të Evropës, përsëri kur na thatë se do të mbaheshin nuk kundërshtuam aspak por u përpoqëm me të gjitha mundësitë që t’ia dilnim dhe të conim ëndrrat tona para. U përpoqëm me ndihmën e familjes, të mësuesve tane dhe me punen tonë deri në orët e vona të natës… por në datë 11.6.2020 cdo shpresë u hodh poshtë dhe më besoni ajo ështe vetëm një notë e cila nuk ka për ti matur kurrë dijet e mija, po flas për shpresen e vrare se këtu në këtë vend falë jush mësova se i duruari dhe punëtori nuk dalin kurre te fituar.

Së treti, maturantët me të drejtë thonë se ne nuk jemi brez eksperimental (megjithëse do shtoja që i gjithë brezi i tranzicionit është brez eksperimental). Kjo për shkak se në periudhë shumë të shkurtër kanë kaluar nga marrja e njohurive në mënyrë fizike, në marrjen e njohurive online. Ndërkohë, Ministrja e Arsimit pretendon se ky është sistemi që do të aplikohet sot e tutje.

Së fundmi dhe pretendoj se është më e rëndësishmja, shpeshherë nga Ministria pretendohet se pyetjet e vendosura kanë qene të natyrës “logjike”. Dakord, edhe nëse do t’i jepnim të drejtë Ministres për një pretendim të tillë, a ishte ky momenti i duhur për ta aplikuar, ndërkohë që i gjithë ky brez, është rritur pa kultivim të mendimit kritik dhe pa ushtrime qe vënë në punë logjikën.

Ja përsëri një argument që përdoret nga maturantja:

“Ne si maturantë nuk kemi pretenduar në asnjë moment se teza ishte jashtë temave të përcaktuara në programin e maturës , ne po themi se përpilimi i tezës ishte në një mënyrë të atillë sa edhe ata nxënës të cilët e kishin studiuar më së miri gjuhën dhe letërsinë do tju duhej më shumë se 30 minuta vetëm për të kuptuar se çfarë kërkonte kërkesa.  Pra mendoj se përveç paqartësisë në hartimin e pyetjeve kishte edhe shume subjektivitet te përfshire (dhe këtu nuk po them për letërsinë por po flas për gjuhën). Turi ishte vetëm njëra prej pyetjeve që u bë simbol i protestës por e them me bindjen e plotë se si puna e Turit ishin shumë të tjera për mos të thëne më keq se aq.

Jam gjithashtu shumë e revoltuar me komentet e tipit “Ju jeni brezi që nuk keni hapur një libër” apo “Prisnit ta kishit një tezë llokume me arra prej virusit”. Dua ti siguroj të gjithë këta individë që pa marrë mundimin ta shohin tezën dalin në këto përfundijme , se kjo ishte një tezë e cila maste: shpejtësinë e mendimit të maturantit, logjikën dhe imagjinatën e tij po kurrësesi nivelin e tij akademik në letërsi e sidomos në gjuhën shqipe.”

Që këto janë probleme të sistemit arsimor, kjo është e qartë, por që edhe maturantët janë më të drejtën e tyre, kjo është mëse e qartë. Ndërsa që ka ardhur momenti i aplikimit të një sistemi, krejtësisht të ri, kjo është e padiskutueshme.

Analizën dua ta përmbyll me fundin e letrës që maturantes që ka mbërritur pak më parë, por duke qenë se mu kërkua të ruaj privatësinë, patjetër do e respektoj.

“Zonja ministre, une vete jam pranuar ne një nga universitetet elitare ne botë dhe kjo notë nuk më hyn aspak në punë e megjithatë doja rezultate te larta per te reflektuar punen time te palodhur, edhe pse kjo nuk ndodhi, perseri jam me koken larte sepse e di se ai provim ishte nje tallje qe ju be punes time dhe te shume maturanteve te tjere. Zonja ministre e ndjej detyrim tju them se me keto teza dhe kete sistem qe keni krijuar po na shtyni çdo dite e me shume që ta leme atdheun tonë dhe të nisemi drejt botës aty ku shpresojmë se do te gjejmë suksesin e merituar… po ne fund kush do tju mbetet juve ketu??? Apo njerëzit e ditur dhe “specialistë” si ata që hartuan tezën tone?  Dua ta mbyll këtë letër duke ju uruar fat të gjithë maturantëve dhe duke shpresuar që të bëhet një ndryshim dhe të paktën të ulet pragu i pikëve nga nota në note.”

Fati i keq, por ndoshta dhe i mirë i këtyre maturantëve, që u ra për pjesë të ishin Maturantët e Eksperimentit 2020. Them edhe i mirë sepse pa dyshim që mendoj se ky është vetëm fillimi i ndryshimeve thelbësore në shoqërinë tonë dhe kur ky ndryshim kërkohet nga individe që sapo kanë mbushur 18 vjeç, është urgjent dhe i domosdoshëm.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore