Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Investigim

Skandal/ Rruga Kardhiq-Delvinë bllokohet nga 2 përfaqësues të lartë të PS

Rreth një vit më parë, Sonila Qato do të jepte dorëheqjen nga posti i Drejtoreshës së Autoritetit Rrugor. Me anë të një postimi në Facebook, ajo e cilësoi largimin për arsye personale, por shkaku ishte pikërisht mënyra se si veproi drejtoresha për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Në statusin e saj, Qato, ndonëse nuk e përmendte direkt, për këtë largim do të akuzonte kompaninë Gjoka Konstruksion. Pavarësisht ?shfajësimeve?, Qato do të ishte zyrtarja kryesore që shkaktoi rrëmujën e cila u pasua me bllokimin e tenderit, për shkak të vendimeve absurde, duke kundërshtuar edhe urdhrat e Komisionit të Prokurimit Publik. Ka kaluar një vit nga ky konflikt dhe ende sot e kësaj dite rruga nuk ka nisur, pasi tenderi nuk u zhvillua dhe çështja po mbahet pezull në KPP.

Historia e konfliktit dhe hetimi i SPAK

Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli më 20 maj të vitit të kaluar tenderin për rrugën. Pas paraqitjes së disa ofertave, Autoriteti papritur njoftoi shtyrjen e shqyrtimit të ofertave me dy javë, për në 17 qershor, duke paraqitur njëherësh dhe kërkesa shtesë për kompanitë. Pas kalimit të këtyre procedurave penguese, Gjoka Konstruksion, së bashku me bashkimin e 5 operatorëve (Gjoka&Cobial), rezultoi se kishte paraqitur ofertën më të ulët.

Pas tre ditësh, më 20 qershor të vitit 2019, Qato e ARRSH-së merr vendimin e çuditshëm dhe skualifikon të gjithë operatorët, përfshirë edhe bashkimin e operatorëve Gjoka&Cobial. Qato, me veprimet e saj nuk ndalet me kaq, por vendos të shpallë fitues kompaninë me çmimin më të lartë në diferencë mbi 4 milionë euro.

Gjoka&Cobial, ndaj këtij vendimi, paraqet zyrtarisht ankesë në Komisionin e Prokurimeve Publike dhe ky institucion u jep të drejtë atyre. KPP urdhëron ARRSH-në që t?i kualifikojë. Në limitet e afatit, ARRSH rikualifikon Gjoka&Cobial dhe i shpall fitues.

Por sërish ndërhyn ?strumbullari? Qato, një ditë më pas drejtoresha zhbën vendimin, duke skualifikuar sërish Gjoka&Cobial. Në argumentin e ARRSH-së firma nuk përmbushte parametrat, e kjo u vendos duke u bazuar në ankesën e paraqitur nga firma rivale, operatori Sulova ndërtim (Vëllezërit Hysa), që kishte nxjerrë pretendimin se Gjoka&Cobial kanë paraqitur të dhëna të rreme në punët e ngjashme, gjë e cila nuk bazohej në asnjë fakt. Për këtë, çështja kalon tek Agjencia e Prokurimit Publik dhe Komisioni i Prokurimit Publik, ku nisin hetimin administrativ pas kërkesës së paraqitur nga ARRSH.

Menjëherë pas këtij vendimi, kompania Gjoka Konstruksion bën kallëzim penal pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndaj ish-drejtoreshës Sonila Qato, regjistrohet procedimi dhe nis hetimi që aktualisht është pjesë e dosjeve të SPAK. Gjithashtu operatori Gjoka&Cobial bën ankesën e radhës në KPP (më datë 23/9/19) për skualifikim të padrejtë dhe më datë 27 shtator, KPP pezullon procedurën për të bërë shqyrtimin e ankesës në themel. Deri më sot nuk ka marrë asnjë vendim, gjë që është jashtë çdo afati ligjor!

Konflikti për këtë rrugë është mes dy kompanive: Vëllezërit Hysa dhe Gjoka Konstruksion dhe për këtë, ka ndërhyrë vetë Qato. Edhe pse kishte udhëzim për të shpallur fitues firmën me ofertën më të ulët, pra kompaninë Gjoka, ajo e refuzoi. Ndaj, nisën hetimet, ndërsa Komisioni i Prokurimit Publik nuk po merr ende vendim për ankesën e bërë ndaj anulimit të këtij tenderi.

Sipas burimeve të Gazeta ?Shqip?, KPK po heziton dhe po pret më parë hetimin e SPAK ndaj Qatos për të dhënë vendimin për këtë ankesë, edhe pse ligji nuk e ndalon këtë institucion të japë qëndrimin përfundimtar ndaj tenderit që shkaktoi përplasje të forta. KPK është një institucion që mund të cilësohet mbi prokurorinë dhe mosshpallja e vendimit për këtë vendim shton më tepër enigmat, duke treguar se dikush nga lart ka urdhëruar që kërkesa të pluhuroset nëpër sirtarë.

Gjithashtu, zëra të sigurt pranë SPAK pohuan që akt-ekspertimi i kryer nga ?grupi i ekspertëve të licencuar? të ngritur nga kjo prokurori ka provuar se kompania Gjoka nuk ka paraqitur të dhëna të rreme për procedurën e tenderit të tunelit Kardhiq-Delvinë. Ndërkohë hetimi po vazhdon mbi shkeljet që ish-drejtoresha e ARRSH dhe disa nga punonjësit e këtij institucioni kanë kryer gjatë gjithë kësaj procedure tenderimi, pas kallëzimit të bërë nga kompania Gjoka dhe më pas edhe nga KLSH-ja.

Dy zyrtarë të mazhorancës bëhen barrikadë kundër rrugës

Burime të Gazeta ?Shqip? kanë pohuar se dy njerëz të fuqishëm, politikanë brenda mazhorancës, të cilët kanë lidhje të forta me një nga kompanitë po bëhen shkaku i mosdhënies së vendimit të KPK-së. Pikërisht, dy politikanë brenda mazhorancës po mbajnë pezull çështjen e bujshme që tronditi dhe qeverinë, duke ndikuar që KPK të mos japë vendimin për ankimimin e depozituar prej muajsh.

Janë pikërisht këto përplasje të forta dhe presionet brenda mazhorancës që duke përdorur edhe Qato, tashmë këshilltare e ministres së Infrastrukturës, me vendimet absurde dhe mbase dhe klienteliste, ndikuan që tenderi i rrugës të mos zhvillohet. Për shkak të këtyre përplasjeve, Ministria e Infrastrukturës mori vendimin për anulimin e projektit me vlerë 2.3 miliardë lekë, duke deklaruar se procedura do të kryhet nga e para.

 

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore