Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

Dëshmia e kolonelit, me vëllanë 'agjent të CIA-s': Si e eliminoi Sigurimi xhaxhanë tim, shefin e kundërzbulimit dhe alibia që përdori Kadri Hazbiu

Publikohet historia e panjohur e Xhemal Imerit me origjinë nga Tragjasi i Vlorës, i cili që në moshën 13 vjeçare u inkuadrua në rradhët partizane, ndërsa babai i tij, Seferi, që kishte qenë adjutant i Hysni Lepenicës, komandantit të forcave ushtarake të Ballit Kombëtar për Jugun e Shqipërisë, mbeti i vrarë në Grehot të Gjirokastrës, në shtatorin e vitit 1943, së bashku me 32 nacionalistë të tjerë me në krye Lepenicën, që kishin shkuar aty për të marrë në dorzim armatimet e divizionit italian.

Dërgimi i Xhemalit në shkollën ushtarake “Skënderbej” dhe më pas në Bashkimin Sovjetik në degën e Ndërlidhjes, ku ai nuk arriti ta mbaronte, për shkak se e lajmëruan të kthehej me urgjencë në Shqipëri, pas ngjarjes së vrasjes së dajës së tij, kolonel, Sali Ormënit, deputet i Kuvendit Popullor dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili u eliminua nga Sigurimi i Shtetit, pas ngjarjes së “incidentit të bombës në ambasadën sovjetike”. Pranimi i Xhemalit në rradhët e Ushtrisë pas ndërhyrjes së Beqir Ballukut dhe ngjarja e eliminimit të xhaxhajt të tij, Elmaz Imerit, ish-Shef i Kundërzbulimit të Kufirit Verior pas një “aksident automobilistik” dhe alibia që përdori Kadri Hazbiu për të kamufluar vrasjen e tij. Përjashtimi i Xhemalit nga Partia dhe çmobilizimi nga Ushtria në vitin 1975, pas goditjes së të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut” dhe dërgimi si punëtor në fermën “Gjergj Dimitrov” në Tiranë, pasi më parë e kishin demaskuar në disa mbledhje, duke i kujtuar dhe vëllanë e arratisur në SHBA-ës, për të cilin i thonin se ishte “agjent i CIA”-s.

“Ka tradhëtuar Beqir Balluku’. Këto fjalë më ranë si bombë dhe më tronditën thellë atë pasdite vere të vitit 1974, teksa isha duke kaluar pushimet në Kovaleshencën e Ushtrisë në plazhin e Durrësit, bashkë me disa shokë të tjerë ushtarakë. Unë isha një nga ata oficerë që kisha pasur përkrahjen dhe ndihmën e ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku që nga viti 1951, kur u ktheva nga Bashkimi Sovjetik, pasi m’i ndërprenë studimet tre muajt e fundit të shkollës para se të merrja diplomën, për arsye se më kishin zbuluar të dhënat e biografisë sime”. Kështu e kujton atë kohë kur u hap lajmi se “kishte tradhëtuar Beqir Balluku”, koloneli në pension Xhemal Imeri, ish partizan në Çetën e Vlorës, i diplomuar si oficer në Bashkimin Sovjetik për degën e Ndërlidhjes e në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, dhe më pas në Universitetin e Tiranës për Histori-Gjeografi, i cili dëshmon për Memorie.al të gjithë peripecitë e jetës së tij, që nga dalja partizan në një kohë që babanë e kishte me çetën e “Ballit Kombëtar” të Hysni Lepenicës, kthimin e papritur nga studimet në Bashkimin Sovjetik për shkak të ekzekutimit të dajës së tij, kolonel Sali Ormënit, (deputetit, anëtarit të Komitetit Qendror dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që denoncoi inskenimin e bombës në Ambasadën Sovjetike), si dhe goditjet e herëpashershme gjatë gjithë karrierës ushtarake, prej “hijes” së vëllait të arratisur nga radhët partizane për në SHBA-së, për të cilin thuhej se ishte agjent i CIA-s, ashtu dhe të xhaxhait të tij, kapitenit të Sigurimit, Elmaz Imerit i cili u “aksidentua” me motorr duke ardhur nga Shkodra në Tiranë.

Xhemali partizan, babai me Ballin

Xhemal Imeri u lind në vitin 1930 në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorës, prej nga është dhe origina e familjes së tij. Babai i tij, Sefer Imeri, i cili kishte lindur në 15 mars të vitit 1909, kishte mbaruar dy klasë fillore në fshatin e tij të lindjes dhe asokohe punonte si Bekçi qeverie (korier për komunën) punë me të cilën mezi siguronte bukën e fëmijëve, ngaqë si familje ishin tepër të varfër. Sipas dëshmive të Xhemalit, në në prillin e vitit 1939, i atij i tij, Sefer Imeri, së bashku me 35 burra nga fshati, morën armët dhe shkuan në Bestrovë për të bërë rezistencë kundra agresionit fashist italian ndaj Shqipërisë. Seferi njihej në të gjithë atë krahinë si një djal i zgjuar dhe trim i madh. Nisur nga nami i mirë që ai gëzonte, Hysni Lepenica një nga ish ushtarakët dhe nacionalistët më të dëgjuar të asaj kohe në Qarkun e Vlorës, i cili kishte formuar çetën e tij për të luftuar kundra italianëve, e kërkoi Seferin që të vinte në çetën e tij. Seferi e pranoi atë gjë dhe u bashku me Lepenicën duke u bërë krahu i djathë i tij aty nga viti 1943, pak kohë pasi i vdiq gruaja e tij (nëna e Xhemalit). Nisur nga aktiviteti antifashist i Seferit, sidomos me aksionin e Ramecit ku ai së bashku me disa shokë të tij, i zuri pritë autokolonës italiane me autoblinda të cilat vinin nga Vlora, në vitin 1943, italianët i dogjën shtëpinë.

Po kështu Seferi u shqua dhe në luftimet e zhvilluar në Tragjas, ku mbeti i vrarë koloneli italian Klementi. Kjo ishte dhe beteja e fundit që Seferi zhvilloi me çetën e Lepenicës që ishte në bërbërje të Frontit Nacionalçlirimtar, sepse pas ardhjes në krahinat e Vlorës të Dushan Mugoshës e Miladin Popoviçit, nacionalisti Hysni Lepenica e shkëputi çetën që komandonte nga Fronti dhe e kaloi atë në përbërje të forcave të Ballit Kombëtar. Në atë kohë që Sefer Imeri luftonte me çetën e Ballit Kombëtar të Lepenicës, duke u bërë adjutant dhe krahu i djathtë i tij, i biri Xhemali në moshën 13-14 vjeçare, u bashku me forcat partitane të asaj krahine. Lidhur me këtë, Xhemali kujton: “Në ditët e para të qershorit të vitit 1943, ndodhesha në vendin e quajtur Përroi i Xhamet, duke pritur të zhvillohej një mbledhje me Hysni Kapon, për përgatitjen e krijimit të çetës “Hodo Zeqiri”, e cila u formua në 10 qershor 1943. Në lartësitë dominuese mbi fshat që quhej Maja e Savroit, doli silueta e një njeriu të armatosur. Hysni Kapo pyeti se kush ishte ai.

Kur i thanë se dukej si Sefer Imeri, ai u përgjigj: ‘Nga Seferi nuk na gjen asgjë e keqe, prandaj vazhdojmë’. Hysni Kapo ndonëse e dinte se Seferi ishte njeriu më i afërt i Hysni Lepenicës, ai e vlersonte jashtë mase atë. Babai im Seferi u vra në Gërhot të Gjirokastrës, në shtatorin e vitit 1943, së bashku me Hysni Lepenicën dhe 33 shokë të tjerë të çetës së tij, nga një grackë që i’u ngrit atyre prej krerëve partizanë të Qarkut të Gjirokastrës, teksa këta kishin shkuar për të marrë në dorzim Divizionin e italianëve pas kapitullimit të tyre. Sipas shumë dëshmitarëve që asokohe u ndodhën në murin rrethues të divizionit italian, thuhet se ne çastin kur tek porta mbërriti makina me Hysni Lepenicën, shoferin, Seferin, e Nano Gjonin, nga hyrja e pasme e komandës, janë parë të dalin Bedri Spahiu, Shemsi Totozani dhe një tjetër që disa e identifikojnë me një oficer englez”, kujton Xhemal Imeri, mbi misterin e vrasjes së babait Seferit, që në atë kohë ishte në “kampin tjetër politik”, kundërshtarë me partizanët, ku ishte vetë Xhemali.

Arratisja e vëllait

Përveç babait, Seferit, që mori pjesë aktive në Luftë, bashkë me Xhemalin asokohe luftonte në rradhët partizane dhe vëllai i tij, dy vjet më i madh, Bilbili, i cili nuk kishte bërë asnjë klasë shkollë, për shkak të gjendjes së keqe ekonomike të familjes.

Lidhur me këtë, Xhemali kujton: “Pas vdekjes së nënës, për të ndihmuar sadopak familjen tonë, asokohe Bilbilin e tërhoqi në Vlorë, dajua i babait tone, Belul Bufi, duke i dhënë që të ruante disa lopë të tijat. Gjatë asaj kohe që qëndroi në Vlorë, Bilbili ra në kontakt me idetë komuniste, duke u lidhur me krerët e rinisë të qytetit, të cilët i dhanë dhe disa detyra për ti realizuar. Më 14 shtator 1943 kur na u vra babai, Bilbili erdhi në fshat për të qarë babain sipas zakonit dhe më pas ai doli partizan në çetën “Hodo Zeqiri”, e më vonë në Brigadën e V-të, Sulmuese, duke u caktua korrier i batalionit të dytë, ku komandant ishte dajua ynë Sali Ormëni.

Gjatë luftimeve në Operacionin gjerman të Dimrit, Bilbili u ftoh keq dhe ilegalisht u shtrua në spitalin e qytetit në Vlorë. Kur ishte i shtruar aty, Blbilin e takoi komandanti i Ballit Kombëtar, Mehmet Alemi, i cili nga respekti që kishte për babanë tonë, e mori me vete Bilbilin në Batalionin e tij të Ballit. Në shtatorin e vitit 1944, kur u çlirua Vlora, Mehmet Alemi erdhi në Tiranë duke marrë dhe Bilbilin me vete. Më pas Mehmeti u largua nga Shqipëria për në Itali bashkë me krerët e tjerë të “Ballit Kombëtar”, Mit’hat Frashërin, Hasan Dostin, etj., ku mori me vete dhe vëllanë tonë Bilbilin. Që nga ajo kohë ne i humbëm të gjitha lidhjet me Bilbilin dhe nuk dinim gjë për fatin e tij, të cilin do ta mësonim vetëm pas 45 vjetësh”, kujton Xhemal Imeri, arratisjen e vëllait Bilbilit, i cili nga partizan u bashkua me forcat nacionaliste të “Ballit” dhe në vjeshtën e vitit 1944, u largua përgjithmonë nga Shqipëria

Student në shkollën ushtarake në Bashkimin Sovjetik

Pas mbarimit të Luftës, duke qenë se Xhemali kishte marrë pjesë aktive me armë në dorë në rradhët e ushtrisë partizane, ai përfitoi nga urdhëri që u dha nga Komonadanti i Përgjithshëm i Ushtrisë, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, që të gjithë pionerët e Luftës, do të vazhdonin shkollën ushtarake “Skënderbej”. Pasi vazhdoi për tre vjet shkollën ushtarake “Skënderbej”, Xhemali u caktua që të shkonte më studime në Bashkimin Sovjetik, për degën e Ndërlidhjes. Lidhur me këtë, Xhemali kujton: “Në vitin 1951 tre muaj para se të përfundoja studimet dhe të merrja diplomën, më lajmëruan që të kthehesha në Tiranë, pasi ‘reparti ku isha caktuar unë, kishte nevojë nevojë për kuadro’. Ato ditë kur unë po prisja që të kthehesha, ndodhi një ngjarje, nga e cila e kuptova të vërtetën sepse më ndërprenë studimet.

Teksa isha duke parë albumin e fotografive me një shokun tim, një toger i quajtur Muhedin Bakiri, i ra me çok fotografisë së dajos tim, Sali Ormënit, duke më thënë: ‘Çe mban këtë armik të popullit dhe partisë këtu’? Unë desha të zihesha me të, por ndërhyrja e kolonelëve Muharrem Kokomani, Halim Ramohito dhe Ndreko Rino, bëri që të mbyllej ai sherr.

Ata më thirrën dhe më thanë se e njihnin mirë dajën tim, Sali Ormënin, sepse kishin luftuar e punuar me të dhe u çuditën që unë nuk e dija se ai s’jetonte më. Kur u ktheva në Tiranë, e mora vesh të vërtetën e kthimit tim nga studimet. Dajua im, kolonel Sali Ormëni, deputet, antar i Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, ishte ekzekutuar nga Sigurimi i Shtetit, pasi kishte denoncuar ‘incidentin e bombës’ së ambasadës Sovjetike në Tiranë, kurse njoftimi zyrtar për të, u dha sikur ai ‘kishte vrarë veten në një moment krize nervore duke dashur të arratisej’.

Duke parë situatën në të cilën ndodhesha, u detyrova dhe takova Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Beqir Ballukun, i cili më priti shumë mirë dhe duke vlerësuar edhe të kaluarën time si partizan, më emëroi në detyrë, duke më dhënë dhe gradën nëntoger dhe njohjen e diplomës pas rezultateve shumë të mira që unë kisha pasur në shkollën sovjetike. Po kështu me urdhërin e Beqirit, u bë e mundur dhe rregullimi i vëllait tim Prenjos, të cilin njëlloj si unë ja kishin ndërprerë studimet në Gjermaninë Lindore, duke e sjellë në Tiranë, me preteksin se ‘nuk i shkonte klima’. Pas kësaj, tepër i gëzuar, unë shkova në fshatin tim Tragjas, për të takuar njerzit e familjes. Gjatë atyre ditëve që qëndrova atje, unë ndesha me disa Forca të Ndjekjes që i komandonte Petrit Hakani, ku siç mora vesh më vonë, kishin ardhur me urdhër nga Tirana, pas një sinjalizimi se në pyjet e atyre anëve endej agjenti i CIA-s, vëllai im Bilbili, që ishte i arratisur në SHBA”, kujton Xhemal Imeri kthimin nga Bashkimi Sovjetik dhe ndihmën që i dha Beqir Balluku për t’u rifutur në Ushtri.

Eleminimi i xhaxhait

Mbas rifillimit të karrierës ushtarake, sipas urdhërit të Beqir Ballukut, për Xhemal Imerin nuk ishte e thënë që të mbaronin peripecitë. Një goditje tjetër për të ishte “vdekja” e xhaxhait Elmaz Imeri, i cili kishte marrë pjesë aktive në Luftë, si kuadër partizan. Lidhur me këtë, Xhemali kujton: “Më 2 tetor 1952, më njoftuan se kishte vdekur xhaxhai im, Elmaz Imeri.

Sapo mbërrita në Spitalin Ushtarak, pashë që të dilte andej Kadri Hazbiu, me disa oficerë madhorë. Hazbiu tha: ‘O Elmaz, nga motorri kishe frikë dhe nga ai e gjete vdekjen’. Të nesërmen, në qytetin e Vlorës u bë varrimi i xhaxhait në Varrezat e Dëshmorëve, me një ceremoni madhështore ku mori pjesë e gjithë Vlora, që e la punën me urdhër nga lart.

Pas 15 vitesh, në 1967-ën, eshtrat e xhaxhait i hoqën nga Varrezat e Dëshmorëve të Vlorës dhe i çuan në varrezat publike në Qafën e Koçiut. Kjo gjë donte të thoshte se: Elmazi nuk ishte më dëshmorë. Të vërtetën e vrasjes së xhaxhait, unë e mësova disa kohë pas vdekjes së tij. Atë natë që u vra, atë e kishin lajmëruar që të kthehej urgjent nga Shkodra (ishte kapiten, Shef i Sigurimit në Kufi) për në Tiranë dhe të mos merrte “Gaz}-in se ‘ja njihnin diversantët’, por të vinte me motorr. Sipas njoftimit zyrtar, u tha se: ‘ai vdiq në Fushë-Krujë, pas përplasjes me një kamion’.

Por e vërteta është se atë e qëlluan me armë automatike, sepse personi që ngiste motorrin, nuk pësoi gjë fare. Elmazin e vranë për shkak se në detyrën që kishte ai, (ishte me gradën kapiten, Shef i Sigurimit në Kufi), nuk mund të qëndronte më me atë biografi që kishte, me vëllanë ballist (babanë tim) të pushkatuar nga partizanët, dhe nipin e tij, Bilbilin (vëllanë tim), të arratisur në Amerikë, pasi kishte dezertuar nga rradhët partizane, ku thuhej se ishte vënë në shërbim si agjent i CIA-s. Të gjitha këto mjaftonin që Seferi të zhdukej fizikisht, duke thënë se “u vra aksidentalisht në krye të detyrës”. Kjo gjë u vërtetua edhe me heqjen e eshtrave të tija nga Varrezat e Dëshmorëve të Vlorës”, kujton Xhemali eleminimin e xhaxhait të tij, Elmaz Imerit, Shefit të Kundërzbulimit të Kufirit Verior

Goditja në ’74-ën

Megjithë peripecitë e shumta që Xhemali pësoi gjatë viteve të karrierës ushtarake, ai mundi që të qëndrojë në Ushtri, vetëm me ndihmën e ministrit Beqir Balluku, për të cilin Xhemali shpreh mirnjohjen më të thellë, duke e kujtuar atë si njeri babaxhan dhe me zemër të madhe, që i ndihmonte gjithmonë njerzit që nuk kishin asnjë mbështetje. Por qëndrimi i Xhemalit në Ushtri, zgjati deri në vitin 1974, kur u godit dhe vetë Beqir Balluku. Pas kësaj, për të filluan peripecitë e pafundme. Lidhur me këtë ai kujton: “Në verën e vitit 1974, teksa isha duke kaluar pushimet në ‘Kovaleshencën e Ushtrisë’ në plazhin e Durrësit, na thanë: ‘Ka tradhëtuar Beqir Balluku’.

Këto fjalë mua më ranë si bombë, sepse unë isha një nga oficerë me gradë të lartë, që kisha mundur që të qëndroja në Ushtri, vetëm me insistimin e Ballukut. Pasi kisha gjithë ato probleme biografie, me baba, xhaxha e dajo, të pushkatuar nga Partia dhe vëllanë në SHBA-së, për të cilin shpesh më thonin se ishte vënë në shërbim të CIA-s si agjent. Shqetësimi imi pas marrjes së lajmit se ‘kishte tradhëtuar Beqir Balluku’ ishte me vend, sepse vetëm disa muaj më pas, më 11 prill 1975, mua më përjashtuan nga Partia dhe më nxorrën në lirim, me motivacionin se ‘isha përkrahur nga Beqir Balluku’, mbas gjithë atyre problemeve që kisha në biografi, duke më thënë: ‘vëllai yt Bilbili, është agjent i CIA-s në Amerikë’.

Gjatë mbledhjeve që u bënë në atë kohë për të demaskuar Ballukun, u tha se ai ‘kishte mbajtur në Ushtri oficerë që kishin njerëz të arratisur në Perëndim, me të cilët do të organizonte puçin ushtarak ndaj udhëheqjes së Partisë’. Mbas tetë muajsh që më liruan mua nga Ushtria, më hoqën dhe gruan nga puna dhe e përjashtuan nga Partia, me motivacionin: ‘Mungesë vigjëlence, se ka marrë burrin me baba ballist”, kujton koloneli në pension, Xhemal Imeri, goditjen që ai pësoi familjarisht në vitin 1975, pas rënies së Beqir Ballukut, i cili e kishte mbajtur atë në Ushtri.

Punëtor në Fermë

Si rrodhën ngjarjet më pas me Xhemal Imerin, i cili kishte shërbyer për shumë vite si ushtarak i lartë? Lidhur me këtë ai kujton: “Pas përjashtimit nga Partia dhe lirimit nga Ushtria në ’75-ën, edhe pse kisha mbaruar dhe Universitetin e Tiranës në degën Histori-Gjeografi, më çuan në Ndërrmarjen Bujqësore “Gjergj Dimitrov”, ku punova si punëtor deri në vitin 1985, kur dola në pension. Megjithëse kisha dy shkolla ushtarake, në ato vite kur më merrnin në zbor, më kishin caktuar komandant toge në xhenjo, pa të drejte armatimi luftarak.

Po kështu lufta e klasva vazhdoi dhe ndaj dy fëmijëve të mij, dhe të vëllait Prenjos, të cilëve nuk u dhanë të drejta studimi për të vazhduar shkollat e larta”, kujton kolonel Xhemal Imeri, goditjen dhe peripecitë që pësoi ai pas vitit 1974, për shkak të babait, dajos, xhaxhait, dajos dhe vëllait Bilbilit, që thuhej si ishte agjent i CIA-s në SHBA, në gjurmët e të cilit ai mundi që të binte vetëm në vitin 1991, kur mësoi se ai ishte gjallë dhe kishte punuar për shumë vjet, jo si ‘agjent i CIA-s’, por si punëtor në Uzinën e “Ford”-it në Detroit. Por atëhere ishte tepër vonë. Gjithshka tashmë kishte kaluar./Memorie.al

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore