Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Qeveria e re në Kosovë/ Isa Mustafa jep mesazhe të koduara për kohë me armiq

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i lumtur që Gjykata Kushtetuese ka konfirmoi kushtetutshmërinë e dekretit të Presidentit, për dhënien e mandatit Avdullah Hotit për krijimin e qeverisë së re.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur bindjen se LDK dhe partnerët e koalicionit me përgjegjësi do ta qeverisin Kosovën, "me respektim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjit, të interesave madhore të vendit dhe të çdo qytetari, pavarësisht bindjeve të tij partiake, fetare apo përkatësisë etnike".

"Marrja e përgjegjësive në këtë kohë të Pandemisë, të krizës ekonomike si pasojë e Covid-19, të krizës së marrëdhënieve me partnerët tanë strategjik, SHBA dhe BE, nuk është e lehtë për LDK-në dhe as për Qeverinë e ardhshme. Është një sakrificë për vendin. Një përpjekje legjitime për të stabilizuar rrjedhat politike dhe ekonomike me veprime demokratike", ka shkruar Mustafa.

Postimi i plotë i Mustafës:

"Të nderuar qytetarë

Po e presim Aktgjykimin e kompletuar të Gjykatës Kushtetuese, për ta aktivizuar kërkesën e deputetëve të koalicionit, në krye me LDK-në, për thirrjen e Seancës së Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re. Jo se nuk e kemi të qartë Aktgjykimin, por se jemi të interesuar të respektojmë Gjykatën Kushtetuese dhe të gjitha procedurat demokratike.

Që nga mocioni i votëbesimit ndaj qeverisë, LDK është deklaruar e gatshme ta krijojë një shumicë parlamentare për një qeveri të re, me kusht që të shterren të gjitha procedurat kushtetuese. Si parti e dytë, me një deputet më pak se VV, ia kemi propozuar për dekretim Presidentit të vendit kandidatin tonë, z. Hoti, të bindur se e gjithë procedura ka qenë kushtetuese dhe se zgjedhja e një qeverie të re është në interes të vendit.

Jam lumtur që Gjykata Kushtetuese me një aktgjykim të argumentuar mbi frymën dhe shkronjat e Kushtetutës tonë por edhe të zgjidhjeve komparative kushtetuese nga vendet e tjera, konfirmoi kushtetueshmërinë e dekretit të Presidentit, rrjedhimisht se veprimi i LDK-së, AAK-së, Nismës, AKR-së dhe subjekteve joshumicë parlamentare ishte në harmoni me hapësirën që ofron Kushtetuta. Pra, me hapësirën demokratike të një vendi me demokraci parlamentare.

Jam i bindur se me këtë përgjegjësi, LDK dhe partnerët e koalicionit do ta qeverisin Kosovën, me respektim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjit, të interesave madhore të vendit dhe të çdo qytetari, pavarësisht bindjeve të tij partiake, fetare apo përkatësisë etnike.

Marrja e përgjegjësive në këtë kohë të Pandemisë, të krizës ekonomike si pasojë e Covid-19, të krizës së marrëdhënieve me partnerët tanë strategjik, SHBA dhe BE, nuk është e lehtë për LDK-në dhe as për Qeverinë e ardhshme. Është një sakrificë për vendin. Një përpjekje legjitime për të stabilizuar rrjedhat politike dhe ekonomike me veprime demokratike.

Besoj fuqishëm se Gjykata Kushtetuese ia mbajti anën Kushtetutës, jo Presidentit dhe jo interesit të asnjë subjekti politik. Por interesit të popullit, të mbështetur në aktin më të lartë juridik.

Në ballafaqimin me sfidat që na presin, të gjithë ne do të fitojmë nëse i tejkalojmë mosdurimet dhe dallimet, gjithnjë duke e kultivuar dhe respektuar relacionin pozitë-opozitë. Duke respektuar ndarjen e pushtetit dhe institucionet e pavarura. Duhet të arrijmë përfundimin e marrëveshjes me Serbinë për njohje reciproke, me ndërmjetësim të fuqishëm të SHBA-së dhe BE-së, anëtarësimin në OKB dhe në NATO, njohjen nga vendet e BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, liberalizimin e vizave dhe ecjen drejt anëtarësimit në BE. Këto synime legjitime nuk duhet të jenë vetëm partiake, por të të gjithë neve, si qytetarë të Kosovës.

Kjo më shtyn të besoj se qeveria e ardhshme duhet të përkrahet gjerësisht dhe se kësaj qeverie duhet ti kërkohet në mënyrë të vazhdueshe përgjegjësi. Kjo duhet të jetë qeveri që kryen punë konkrete, që u ik veprimeve e kauzave populliste. Qeveri që nuk shpall dhe nuk krijon armiq, por që ndërton ura të brendshme dhe të jashtme bashkëpunimi", ka shkruar Mustafa.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore