Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

E plotë/ Nis reforma në SHISH, kush del në pension dhe kush pranohet si spiun

Nis reforma në Shërbimin Informativ të Shtetit. Qeveria ka miratuar vendimin për disa ndryshime në ligjin “PËR STATUSIN E PUNONJËSIT TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT”.

Ndryshimet konsistojnë në "kursin bazë për formimin profesional të punonjësve" si dhe për trajtimin financiar të punonjësve në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.

Qëllimi i këtij ligji është t’u garantojë trajtim financiar punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.

Vjetërsia në Shërbim

Për efekt të përfitimit të trajtimit financiar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, njihet si vjetërsi shërbimi koha si punonjës në Shërbimin Informativ të Shtetit; Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, strukturat e ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, me status policor, si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm dhe në struktura të tjera shtetërore, me gradë policore ose ushtarake.

Kriteret e përfitimit të trajtimit financiar

1. Punonjësi i Shërbimit Informativ të Shtetit përfiton trajtimin financiar, sipas këtij ligji, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, kur:

a) ka mbushur moshën 57 vjeç;

b) plotëson 25 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e përmendura në nenin 3, të këtij ligji.

2. Trajtimi financiar i punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me Shërbimin Informativ të Shtetit.

3. Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, masa e trajtimit financiar, sipas këtij ligji, nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.

4. Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose kërkesë të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë.

5. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Posaçëm përcaktohen me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Detyrimet e përfituesit, sipas këtij ligji

1. Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilët përfitojnë trajtimin financiar sipas këtij ligji, kanë detyrimin të aktivizohen, deri në 700 orë në vit dhe, gjatë kësaj periudhe, kanë të njëjtat të drejta e detyrime si punonjësit e tjerë të shërbimit përkatës, me përjashtim të trajtimit financiar.

2. Mosplotësimi i detyrimit të këtij neni është shkak për ndërprerjen e trajtimit financiar sipas këtij ligji. Ndërprerja e përfitimit të trajtimit financiar bëhet me propozim të titullarit të institucionit përkatës dhe miratim të Komisionit të Posaçëm.

3. Rregullat dhe procedura për aktivizimin në shërbim, sipas pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Reforma parashikon edhe rastet kur punonjësit e SHISH përfitojnë mbrojtje të veçantë ligjore.

1. Punonjësi i Shërbimit Informativ të Shtetit ose individi që merr pjesë në operacione të fshehta të këtij shërbimi mund të përdorë identitet të dyfishtë, në mënyrë të përkohshme, me qëllim garantimin e sigurisë së operacionit.

2. Procedurat për pajisjen, mbajtjen dhe përdorimin e identitetit të dyfishtë përcaktohen me udhëzim të përbashkët të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.

3. Kur individit ose punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit, që merr pjesë në operacione të fshehta dhe përdor identitet të dyfishtë, për shkak të detyrës ose bashkëpunimit, i kërcënohet jeta, shëndeti, familja apo prona, i garantohet mbrojtje e veçantë ligjore, me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.”.

E plotë

***

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9357, DATË 17.3.2005, “PËR STATUSIN E PUNONJËSIT TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9357, datë 17.3.2005, “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa

Neni 1

Pika 2, e nenit 3, shfuqizohet.

Neni 2

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në fund të shkronjës “b” shtohen fjalët “… brenda dhe jashtë vendit”;

2. Në shkronjën “f”, fjalët “ … i Shërbimit Informativ Ushtarak” zëvendësohen me “… në strukturat e inteligjencës së mbrojtjes”.

3. Pas shkronjës “f” shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:

“g) koha si punonjës në struktura të veçanta në SHISH. Procedura përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 3

Në pikën 4, të nenit 5, fjalët “… botohet në dy gazeta kombëtare me tirazh të madh …” zëvendësohen me “… publikohet në faqen zyrtare të SHISH-it …”.

Neni 4

Neni 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 6

Kursi bazë

1. Në Shërbimin Informativ të Shtetit organizohet kursi bazë për formimin profesional të punonjësve.

2. Shtetasi, i cili pranohet në Shërbimin Informativ të Shtetit për t’u trajnuar në kursin bazë, ndërpret marrëdhëniet me Shërbimin, nëse gjatë periudhës së trajnimit vlerësohet se nuk ka aftësitë e nevojshme për kryerjen e detyrave.

3. Marrëdhëniet ndërpriten me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, pas propozimit të drejtorit të njësisë përgjegjëse për zhvillimin e kursit bazë apo të njësisë së ngarkuar me shqyrtimin e rastit.

4. Kursanti, që nuk paraqitet në detyrë pas emërimit dhe bën kërkesë për lirim nga shërbimi pa shkaqe të justifikuara, brenda periudhës së provës, paguan të plota pagën dhe shpenzimet e bëra për trajnimin e tij. Mënyra e përllogaritjes së shpenzimeve përcaktohet me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.”.

Neni 5

Në nenin 7 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Titulli i nenit ndryshohet dhe bëhet “Emërimi dhe periudha e provës”.

2. Në fillim të pikës 1 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Emërimi në detyrë është momenti i fillimit të marrëdhënies së punës për punonjësit e SHISH-it.”.

3. Në fjalinë e fundit, të pikës 1, pas fjalëve “… periudhës së provës …” shtohen fjalët “… si dhe trajtimi financiar i mentorit …”.

4. Në pikën 2, fjalët “… e eprorit direkt …” zëvendësohen me “… e njësisë strukturore përkatëse …”.

5. Në shkronjën “c”, të pikës 2, pas fjalës “… kur …” shtohen fjalët “… sipas procedurave përkatëse, …” dhe fjalia “Paaftësia duhet të konfirmohet nga njësia e ngarkuar me funksionet e inspektimit” shfuqizohet.

Neni 6

Në nenin 9 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në fund të pikës 1 shtohet fjalia “Vlerësimi i punës bëhet edhe me kërkesën e punonjësit.”.

2. Në pikën 2 fjalët “… të cilësisë dhe shpejtësisë …” shfuqizohen.

Neni 7

Në fund të pikës 1, të nenit 10, shtohen fjalët “… për nivelin e lartë drejtues dhe “mirë” ose “shumë mirë” për nivelet e tjera.”.

Neni 8

Në nenin 11 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 1, pas fjalës “… punonjësit …” shtohen fjalët “… jashtë vendbanimit …”.

2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Punonjësi, i cili transferohet jashtë vendbanimit, përfiton:

a) rimbursimin e plotë të shpenzimeve të transferimit të tij dhe/ose të familjes;

b) kompensimin për qira banese të akomodimit të tij dhe/ose të familjes, kur ai ose ndonjë pjesëtar i familjes nuk ka banesë në pronësi në vendin e ri të punës;

c) kompensimin për udhëtim.

Emërimi jashtë vendbanimit do të konsiderohet transferim, për efekt të kësaj pike.

Masa dhe mënyrat e kompensimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 9

Në nenin 12 bëhen këto ndryshime:

1. Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) për një periudhë nga 3 (tre) deri në 9 (nëntë muaj në vit, për mbarëvajtjen e punës, për përfundimin e procesit të një çështjeje të veçantë ose në raste të mbingarkesës së krijuar në një njësi strukturore;”.

2. Shkronja “b” shfuqizohet.

Neni 10

Në fund të shkronjës “e”, të pikës 1, të nenit 13, shtohen fjalitë, me këtë përmbajtje:

“Në rastet e trajnimit afatgjatë nga shërbimi për një periudhë mbi gjashtë muaj, brenda dhe jashtë vendit, punonjësi është i detyruar të qëndrojë në SHISH 2 (dy) vjet pas kryerjes, në të kundërt kthen pagën dhe shpenzimet e trajnimit. Mënyra e përllogaritjes së shpenzimeve përcaktohet me urdhër të drejtorit të SHISH-it.”.

Neni 11

Në fund të pikës 1, të nenit 22, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Shtesën mbi pagë e përfitojnë edhe drejtori e zëvendësdrejtori i SHISH-it, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 12

Pika 5, e nenit 23, shfuqizohet.

Neni 13

Në fund të pikës 1, të nenit 29, shtohet fjalia “Shpërblimi përballohet nga fondi i pagave.”.

Neni 14

Neni 35 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 35

Mbrojtja e veçantë ligjore

1. Punonjësi i Shërbimit Informativ të Shtetit ose individi që merr pjesë në operacione të fshehta të këtij shërbimi mund të përdorë identitet të dyfishtë, në mënyrë të përkohshme, me qëllim garantimin e sigurisë së operacionit.

2. Procedurat për pajisjen, mbajtjen dhe përdorimin e identitetit të dyfishtë përcaktohen me udhëzim të përbashkët të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.

3. Kur individit ose punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit, që merr pjesë në operacione të fshehta dhe përdor identitet të dyfishtë, për shkak të detyrës ose bashkëpunimit, i kërcënohet jeta, shëndeti, familja apo prona, i garantohet mbrojtje e veçantë ligjore, me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.”.

Neni 15

Në fund të nenit 39 shtohen fjalët “… bazuar në marrëveshjen ndërmjet titullarëve.”.

Neni 16

Në nenin 45 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) përmbush kriteret për pension të parakohshëm dhe kërkon të largohet nga ky shërbim;”.

2. Në shkronjën “dh”, fjalët “… të mbështetura edhe nga njësia e ngarkuar me funksionet e inspektimit” hiqen.

3. Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “f” dhe “g”, me këtë përmbajtje:

“f) cenohet kushti i sigurisë;

g) mosparaqitja ne detyrë pa shkaqe të arsyeshme për 7 (shtatë) ditë pune.”.

Neni 17

Në nenin 50, fjalët “… 10 ditë …” zëvendësohen me “… 5 ditë …”.

Neni 18

Në nenin 54 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në fund të pikës 1 shtohen fjalët “… dhe kur ndaj tij merret masa disiplinore e përjashtimit nga shërbimi.”.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Punonjësi i SHISH-it, në rastet kur ndaj tij merret masa disiplinore e përjashtimit nga shërbimi, ka të drejtë të ankohet, pranë Komisionit të Disiplinës, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.”.

Neni 19

Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të dispozitave të ndryshuara, përkatësisht, të neneve 4, shkronja “g”, 11, pika 3, dhe 22, pika 3.

2. Ngarkohen drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin udhëzimin e përbashkët, në zbatim të pikës 2, të nenit 35, të ndryshuar me këtë ligj.

3. Ngarkohet drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 3, të nenit 35, të ndryshuar me këtë ligj.

Neni 20

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9357, DATË 17.3.2005, “PËR STATUSIN E PUNONJËSIT TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9357, datë 17.3.2005, “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

P R O J E K T L I G J

PËR

TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, PAS NDËRPRERJES SË MARRËDHËNIEVE TË PUNËS

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është t’u garantojë trajtim financiar punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.

Neni 2

Subjektet përfituese

Subjekte të përfitimit të trajtimit financiar, sipas këtij ligji, janë punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë ligj.

Neni 3

Vjetërsia në shërbim

Për efekt të përfitimit të trajtimit financiar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, njihet si vjetërsi shërbimi koha si punonjës në Shërbimin Informativ të Shtetit; Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, strukturat e ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, me status policor, si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm dhe në struktura të tjera shtetërore, me gradë policore ose ushtarake.

Neni 4

Kriteret e përfitimit të trajtimit financiar

1. Punonjësi i Shërbimit Informativ të Shtetit përfiton trajtimin financiar, sipas këtij ligji, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, kur:

a) ka mbushur moshën 57 vjeç;

b) plotëson 25 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e përmendura në nenin 3, të këtij ligji.

2. Trajtimi financiar i punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me Shërbimin Informativ të Shtetit.

3. Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, masa e trajtimit financiar, sipas këtij ligji, nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.

4. Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose kërkesë të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë.

5. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Posaçëm përcaktohen me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Neni 5

Financimi

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij ligji, mbulohen nga buxheti vjetor përkatës i miratuar për Shërbimin Informativ të Shtetit.

Neni 6

Indeksimi

Trajtimi financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit indeksohet sa herë bëhet indeksimi i pensioneve, me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 7

Detyrimet e përfituesit, sipas këtij ligji

1. Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilët përfitojnë trajtimin financiar sipas këtij ligji, kanë detyrimin të aktivizohen, deri në 700 orë në vit dhe, gjatë kësaj periudhe, kanë të njëjtat të drejta e detyrime si punonjësit e tjerë të shërbimit përkatës, me përjashtim të trajtimit financiar.

2. Mosplotësimi i detyrimit të këtij neni është shkak për ndërprerjen e trajtimit financiar sipas këtij ligji. Ndërprerja e përfitimit të trajtimit financiar bëhet me propozim të titullarit të institucionit përkatës dhe miratim të Komisionit të Posaçëm.

3. Rregullat dhe procedura për aktivizimin në shërbim, sipas pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8

Dispozita kalimtare dhe të fundit

1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen vetëm për punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji, dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pas hyrjes në fuqi të tij.

2. Trajtimi financiar ndërpritet kur përfituesi rikthehet në Shërbimin Informativ të Shtetit si dhe në rastet kur punësohet në sektorin publik.

3. Trajtimi financiar, i përfituar sipas këtij ligji, nuk prek përfitimet që i lindin punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit nga legjislacioni në fuqi.

Neni 9

Nxjerrja e akteve nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktin nënligjor, në zbatim të pikës 3, të nenit 7, të tij.

Neni 10

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, PAS NDËRPRERJES SË MARRËDHËNIEVE TË PUNËS”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për trajtimin financiar të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore