Koronavirusi rrënon buxhetin e shtetit, mblidhen 132 milionë euro më pak për 4 muaj

Masat e marra kundër Covid-19, duke mbyllur aktivitetin e një pjese të konsiderueshme të bizneseve, kanë dëmtuar rëndë arkën e shtetit. Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave, për në 4 mujor, janë mbledhur rreth 16.3 miliardë lekë  apo 132 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, dhe total i i të ardhurave arrin në 133 miliardë lekë.

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë pësuar goditjen më të madhe me 12.2 miliardë lekë minus krahasuar me Prillin 2019.

Kështu, me rënie drastike paraqiten të ardhurat nga TVSH-ja, me afro 4.3 miliardë lekë, ku janë mbledhur në total 39.2 miliardë lekë, çka është pasojë e rënies së importeve si dhe të konsumit. Po ashtu edhe nga tatimi mbi fitimi janë mbledhur 4.5 miliardë lekë më pak, për shkak se qeveria mori masa lehtësuese për shtyrjen e afateve të pagesave për bizneset e mëdha si dhe faljen për bizneset e vogla, ndërkohë që afati i përcaktuar ishte muaji Prill.

Nga ky zë u mblodhën 10.8 miliardë lekë në muajin Prill 2020.   Ndërkaq, 1,6 miliardë lekë më pak janë mbledhur nga tatimi mbi të ardhurat personale, pasi edhe në këtë rast u shty afati për të paguar detyrimet.

Administrata tatimore, sipas SCAN TV, ka siguruar 1.1 miliardë lekë më pak edhe nga taksat nacionale dhe 600 milionë lekë më pak nga akcizat, duke bërë që të gjithë treguesit e të ardhurave në buxhet të kenë marrë goditje. Ndërsa, shpenzimet kapitale janë rritur me vetëm 300 milionë lekë në raport me vitin e kaluar, ku janë regjistruar në 16.5 miliardë lekë.

Të ardhurat në buxhet

Prill 2019  149.3 miliardë lekë

Prill 2020 133 miliardë lekë

Të ardhurat nga TVSH

Prill 2019   43.5 miliardë lekë

Prill 2020  39.2 miliardë lekë

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin

Prill 2019  15.3 miliardë lekë

Prill 2020  10.8 miliardë lekë

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.