Ekskluzive Top Story/ Flet komandant Malisheva nga burgu: Ahmeti dhe Gruevski orkestruan Kumanovën!

Për herë të parë, në këtë dokumentar Top Story ka mundur të depërtojë në burgun e Idrizovës në Shkup duke siguruar një intervistë ekskluzive me një prej drejtuesve kryesorë të grupit që i mbijetoi betejës.

Muhamet Krasniqi, i njohur si komandant Malisheva, arriti të dalë i gjallë nga luftimet, ndryshe nga dy drejtuesit kryesorë të grupit, Mirsad Ndreca dhe Beg Rizaj. Ai është dënuar me burg përjetë.

Komandant Malisheva, është një veteran i luftës në Kosovës në vitin 1999 në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai njihet edhe si një prej luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni që u mbyll me Marrëveshjen e Ohrit. Pas luftërave, Malisheva i ishte futur me sukses rrugës së biznesit deri në vitin 2015, kur u arrestua pas përleshjes së Kumanovës.

“Unë i kam shërbyer UÇK edhe më herët, me Mirsadin, Begin e shumicën e tyre jam njohur e më herët.Drejtuesit ka qenë Mirsadi dhe Begi. Qëllimi jonë ishte i pastër, ka qenë vetëm kombëtar e atdhedashës tjetër qëllim s’kemi pas”, tregon për Top Story Muhamet Krasniqi, Pjestarë i grupit të Kumanovës.

Ai konflikt me karakteristikat e një lufte të re, nuk erdhi nga hiçi. Kishte organizatorë, një plan, njerëz në terren dhe sigurisht disa shkaqe që çuan deri aty.

Në një audio-përgjim racist dhe antishqiptar, ish-Ministrja e Brendshme maqedonase Gordana Jankullovska zihet ngushtë teksa bisedon me Martin Protugjer, në atë kohë shef i kabinetit të kryeministrit Nikola Gruevski.

Kjo ishte një ndër të ashtuquajturat “bombat”, që lideri i LSDM-së Zoran Zaev publikonte prej muajsh, dhe që kishin zhytur në krizë qeverinë. Ajo që ndodhi në terren në Kumanovë, vlonte prej kohësh në prapaskenat e politikës dhe shërbimeve sekrete. Gruevski ishte zhytur thellë në zullumet e tij dhe i duhej një incident ndëretnik për tu shfaqur si hero.

“Pse nuk dol dikush me thënë janë marrë kaq pare, filani i ka dhënë fisteku i ka marrë, pse nuk dolën? S’ka. Nuk është marrë asnjë pare, nuk është punë paresh këtu. Aq sa u fol 2 mln euro pasuri unë e kam lënë në Kosovë  vetëm”, tregon për Top Story Muhamet Krasniqi, Pjestarë i grupit të Kumanovës

Deklarata e fortë e ish-gjeneralit Angelov në një miting afër Kumanovës, parapriu betejën e 9 Majit të vitit 2015. Në një intervistë të dhënë një vit pas ngjarjes, ai ka deklaruar se informacionet i ka pasur nga një zyrtar i forcave maqedone të sigurisë dhe disa shqiptarë.

“Këtu është bërë tmerr, masakër ndaj shqiptarëve, Ali Ahmeti ka qenë në pushtet në atë kohë. Nëse i merrni deklaratat e tyre, Thaçit, Ahmetit, Gruevskit lëvizjet e tyre, qartë del se e kanë organizu me na fut në kurth, e shfrytëzuar patriotizmin tonë”, tregon për Top Story Muhamet Krasniqi, Pjestarë i grupit të Kumanovës

Në media maqedonase të kontrolluara nga Gruevski u hodh teza se ky grup shqiptarësh kishin ardhur në Kumanovë për të krijuar incident kundrejt pagesës. Por kjo tezë nuk qëndron, pasi lagja ku ata ishin dislokuar ishte një vendkurth, pa mundësi tërheqje.

“Nëse mendojnë, se këta e dinë shumë mirë, nëse mendojnë se dikush ka marrë pare ta thonë, por s’ka, asnjë fakt, as dëshmi, as në gjykatë kurrë pare s’u përmend. Me pas dashtë pare ne kishim shkuar 40 veta, cilën dash bankë ta kishim marrë. Për atë jam i bindur që nuk ka, jemi bashkëvuajtje, tradhtinë e di nga ka ardhur e kush i ka shërbyer tradhtisë, do vie koha që do nxjerrim emrat”, tregon për Top Story Muhamet Krasniqi, Pjestarë i grupit të Kumanovës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.