Aktet terroriste të grupit “Death Squad” dhe sa rrezikohet Shqipëria

Nga Florion Metohu

Pikërisht kur mendohej se pandemia e COVID-19 do të pezullonte aktivitetin ekstraterritorial të inteligjencës së jashtme të Kremlinit, raportimet nga Praga-Çeki na rikujtojnë se asgjë nuk është më e rëndësishme për një regjim autoritar sesa eliminimi i çdo zëri kundër që vë në dyshim pushtetin dhe interesat e tij. Nuk mjaftojnë raportimet e ndryshme për një fushatë të gjerë propagandistike dizinformuese nga ana e Rusisë, të bëra publike nga agjensitë informative europiane, që ka si qëllim rritjen e mosbesimit të qytetarëve dhe shteteve të ndryshme (edhe atyre shteteve që synojnë integrimin) ndaj organeve të BE-s dhe mënyrës se si po përballon emergjencën globale shëndetësore.

Akoma dhe më shqetësuese, sipas ekspertëve ndërkombëtar të sigurisë, është një trend në rritje e përdorimit nga ana e Kremlinit të ashtu quajturave “Death Squad”, grupe të vogla individësh që eliminojnë edhe jashtë territorit të Rusisë, në shkelje të çdo norme ndërkombëtare, cilindo që konsiderohet i rrezikshëm nga Moska.

Është akoma i freskët lajmi i marrjes nën mbrojtjen e policisë të kryetarit të Bashkisë së Pragës, pasi autoritetet vendase zbuluan një komplot për vrasjen e tij dhe familjes. Të dielën, më 26 prill 2020, website investigativ çek “Respekt”, duke cituar burime të inteligjencës, raportoi se një individ, i cili udhëtonte me dokumente diplomatike ruse dhe ishte i pajisur me helmin vdekjeprurës “ricin”, kishte hyrë në Pragë që prej 3 javësh. Në aeroportin e Pragës ai ishte pritur dhe më pas shoqëruar në ambasadën ruse, me një automjet me targa diplomatike të kësaj ambasade. Sipas raportimeve, ky person kishte punuar për agjencitë e inteligjencës ruse.

Përse një individ do të transportonte helmin vdekjeprurës “ricin”? Cili ishte qëllimi i tij? Vrasja e kryebashkiakut të Pragës Zdenek Hrib! Hrib konfirmoi në një intervistë që ai dha ditën e hënë, më 27 prill 2020, në stacionin e radios së pavarur “Ekho Moskvy”, se është vendosur nën mbrojtje të forcave special çeke. Ai tha në “Ekho Moskvy” se zyrtarët e zbatimit të ligjit e kanë vënë në mbrojtje të veçantë që prej më shumë se 2 javësh pasi zbuluan një kërcënim që vinte në rrezik jetën e tij.

Gjatë muajve të fundit, Hrib ishte shprehur kundër qeverisë së Putin. Në fillim të muajit prill, ai pati disa përplasje me Moskën pasi mbështeti heqjen e një statuje të diskutueshme të epokës së Luftës së Ftohtë, kushtuar gjeneralit sovjetik Ivan Konev. Ky veprim u cilësua nga diplomacia ruse si “akt armiqësor vandalizmi nga përfaqësuesit e padëshiruar të Bashkisë”.

Konev konsiderohet si hero në Rusi, ndërkohë që shihet nga shumë çekë si simbol i shtypjes së epokës sovjetike. Gjenerali Konev udhëhoqi trupat e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike që çliruan Pragën nga nazistët në 1945, por ishte gjithashtu në krye të Operacionit WhirlWind, që shtypi kryengritjen hungareze anti-sovjetike të vitit 1956. Ekspertët e sigurisë së Çekisë kanë paralajmëruar për agresion të shtuar të strukturave të fshehta ruse dhe përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Republikës Çeke.

Përse pas çdo atentati, grushti shteti, vrasjeve të mirorganizuara hidhen dyshime për përfshirje të agjensive të lidhura me Kremlinin?

Disa nga ngjarjet e ndodhura në mbarë Europën dhe në Ballkan tregojnë se, ky ishte komploti rus më i fundit në vazhdën e një serie vrasjesh dhe tentativash për vrasje të profilit të lartë në territorin e shteteve të ndryshme europiane, të drejtuara ndaj kundërshtarëve apo disidentëve që  Moska i konsideron të rrezikshëm për legjitimitetin e pushtetit dhe interesave të saj.

Faktet provojnë se:

– Në prill 2020, shërbimet ukrainase të inteligjencës (SBU), deklaruan se kishin parandaluar një komplot që përfshinte një nga oficerët e saj më të vjetër dhe shërbimin e inteligjencës ruse FSB, për të vrarë Adam Osmayev – një çeçen i cili dikur dyshohej se kishte planifikuar të vriste presidentin rus Putin. SBU arrestoi gjeneralmajor Valery Shaytanov me akuzën e tradhtisë dhe planifikimin e sulmeve terroriste. Ai kishte vepruar si ndërmjetës në komplotin për të vrarë Osmayev, i cili i ka shpëtuar edhe dy herë të tjera atentateve gjatë vitit 2019, njëherë në qershor dhe herën tjetër në tetor ku mbeti i plagosur ndërsa bashkëshortja e tij humbi jetën.

– Në 30 janar 2020, u ekzekutua në një hotel në Lilë të Francës, me 135 goditje thike, 44 vjeçari Imran Aliev, një bloger dissident çeçen dhe kundërshtar i Ramzan Kadyrov, i mbrojturi dhe aleat i Putin që drejton me grusht të hekurt rajonin gjysmë autonon të Çeçenisë.

– Në dhjetor të vitit 2019, sipas një raporti nga Der Spiegel, kryeprokurori publik i Gjermanisë dyshonte se agjensitë ruse të inteligjencës qëndronin pas vrasjes së 40-vjeçarit Zelimkhan Khangoshvil, ish-kryengritës çeçen, të realizuar në mes të ditës në një park të Berlinit në 23 gusht 2019, duke akuzuar zyrtarisht Kremlinin për kryerjen e një atentati politik në tokën gjermane dhe duke tensionuar marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

– Në një situatë të ngjashme u ndodh edhe Britania në mars të vitit 2018, kur një komando prej 3 personash, të identifikuar si operativë të shërbimeve sekrete të ushtrisë ruse GRU, gjeneralmajor Denis Sergeyev dhe kolonelët Alexander Mishkin dhe Anatoly Chepiga, organizuan veprime me qëllim eliminimin me  gaz sarin të Sergei Skripal dhe vajzës së tij, një ish-agjent rus që jetonte në Salisbury të Anglisë.

A është Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor i rrezikuar nga këto aktivitete me profil të lartë rrezikshmërie???

Dikush mund të mendoj se faktet e renditura më sipër janë shumë larg interesit të rajonit. Por Ballkani është një nga zonat të cilën Rusia e ka konsideruar gjithmonë si pjesë të sferës së saj të influencës, duke bërë çmos që të pengoj integrimin e këtij rajoni në organizatat euroatlantike.

Nëse dikush ka dyshime për aktivitetin destabilizues që Rusia ushtron në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rikujtoj që  është akoma i freskët grushti i dështuar i shtetit i organizuar nga dy agjentët rus, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, në Mal të Zi në vitin 2016, qëllimi kryesor i të cilëve ishte vrasja e kryeministrit Milo Djukanoviç dhe pengimi i anëtarësimit të këtij shteti në NATO. Gjykatat malazeze dënuan në munges me burgim Shishmakov dhe Popov, pasi u arratisën nëpërmjet Serbisë drejt Rusisë.

Këto veprime dhe akte tregojnë se sa larg është në gjendje të shkojë Moska me aktet e saj destabilizuese e terroriste, për të arritur qëllimet e saj politike, duke shkelur çdo normë ndërkombëtare. Pandemia e COVID-19 nuk e ka zbehur aspak aktivitetin e saj ekstraterritorial të destabilizimit të shoqërive perëndimore. Madje, i ka dhënë një shtysë akoma dhe më të madhe, duke parë shpërqendrimin e qeverive që janë të fokusuara në përballje me emergjencën shëndetësore që ka kapur gjithë botën.

Pandemia e COVID-19 mendohet se do të sjellë  ndryshime të mëdha gjeopolitike duke përfshirë dhe garën për influencë  të fuqive të mëdha në vendin tonë dhe Ballkanin Perëndimor. Rusia po mundohet të përfitojë sa më shumë nga kaosi i shkaktuar, me qëllim destabilizimit e shoqërive perëndimore.

Duke analizuar faktet dhe ngjarjet e mësipërme, vigjilenca nuk duhet të mungojë aspak edhe tek autoritet tona, pasi aktet e dhunshme ruse do të vazhdojnë…

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.