22 mijë dosjet/ Strasburgu godet ish-pronarët, pro skemës së qeverisë për kompensimin


Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka rrëzuar kërkesën e trashëgimtarëve Beshiri kundër qeverisë shqiptare, duke e cilësuar si të drejtë skemën e miratuar së fundmi me ligj për kompensimin e ish-pronarëve.

Në njoftimin e kësaj Gjykate, “Çështja Beshiri k. Shqipërisë (nr. 29026/06) dhe 11 kërkesa të tjera trajton ankesat në lidhje me mosekzekutimin e tejzgjatur të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit për pronat e shpronësuara gjatë periudhës komuniste.

“Gjykata arriti në përfundimin se skema e ofruar me Ligjin për Trajtimin e Pronës ishte një mjet ligjor efektiv i cili duhej shteruar nga kërkuesit, edhe pse kërkesat e tyre ishin regjistruar shumë kohë përpara hyrjes në fuqi të ligjit. Kërkesat u deklaruan të papranueshme për mos shterim të mjeteve të brendshme, ose si të parakohshme, ose sepse kërkuesit nuk gëzonin më cilësinë e viktimës për shkelje të të drejtave të tyre”, thuhet në njoftim për shtyp të Këshillit të Europës.

22 mijë dosje vlerësim me çmimin e ri
Vendimi i marrë nga kjo gjykatë mund të cilësohet si një goditje për ish-pronarët, pasi ata shpresonin që Strasburgu të detyronte qeverinë shqiptare për t”i detyruar për t’i kompensuar me vlerën e çmimit të tregut.

“Gjykata shtoi një kusht kyç: ajo çmoi se, në disa raste, vlerësimi i pronave sipas Ligjit për Trajtimin e Pronës mund të rezultonte në nivele shumë më të ulëta të kompensimit (për disa ish-pronarë) në krahasim me legjislacionin e mëparshëm. Për të shmangur një barrë ekstreme mbi këtë kategori të ish-pronarëve, kompensimi sipas skemës së re duhet të jetë jo më pak se 10% e vlerës së pronës që ish-pronarët do të përfitonin nëse vlerësimi financiar do të llogaritej mbi bazën e zërit kadastral aktual të pronës së shpronësuar”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Europës.

Mbi bazën e kësaj ka 22 mijë dosje të tokave që janë sekuestruar nga regjimi komunist pritet të kthehen për rishqyrtim. Gjykata e Strasburgut ka njohur formulën e qeverisë për skemën e vlerësimit të çmimit, por duke shtuar se vlera nuk duhet të jetë më e ulët se 10 për qind nga tregu aktual. Po ashtu trupa e të drejtave të njeriut kërkon dhënien fund të zvarritjes së 7 mijë dosjeve të patrajtuara.

Lexo te plotë Vendimi Strasburgu per pronat

Pra sipas vendimit të gjykatës, vlera e pronës nuk duhet të jetë asnjëherë më pak se 10 për qind nga çmimi aktual. Me këtë ndërhyrje gjykata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut detyron shtetin shqiptar të kthejë për rishqyrtim të gjithë vendimet. Vendim që merret në kohën kur ATP ka pushuar funksionet.

Vendimi i Gjykatës u përshendet nga ana e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. “Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut konfirmon skemën e re të kompensimit të ish-pronarëve në Shqipëri si një mjet ligjor efektiv. Ky vendim është një konfirmim shterues dhe përfundimtar se legjislacioni i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë mbi çështjen e kompensimit të pronave është tërësisht në respekt të parimeve të të drejtave të njeriut”, deklaroi Balla.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.