Përshëndetje për 1 MAJ…

Me rastin e 1 Majit, ditës ndërkombëtare për të drejtat e punëtorëve, dikur demonstroheshe me parada e manifestime fuqia e shtetit, klasës punëtore dhe diktaturës së proletariatit.

Dilnin në tribuna gjithë drejtuesit më të mëdhenj dhe më të pushtetshëm të partisë dhe shtetit. Përshëndesnin buzagaz nxënës, studentë e punëtorë manifestues, me lule në dorë dhe më këngë e valle. Piknikë, tavolina festive (ku më të varfra e ku më të pasura) do të zinin ekranin e televizionit dhe të nesërmen gazetat e kohës do të pasqyronin festimet e gëzueshme, jo për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Punëtorëve, por Festën e Madhe të Punëtorëve.

Nga bota, me tone të ashpra kundër kapitalizmit, revizionizmit dhe shovinizmit, pasqyroheshin, protestat e punëtorëve të mjeruar anembanë botës, demaskohej depersonalizimi njerëzor dhe qytetar i të drejtave të mohuara dhe, i kushteve çnjerëzore të trajtimit të puntorëve të regjimeve përkatëse.

Sot 1 Maj 2020. Jo vetëm sot në 2020-ën, por edhe çdo vit tjetër, në Shqipëri, me rastin e 1Majit, shumë rralë, spontanisht dhe pa një organizim dinjitoz, ka ndodhur që të protestohet në emër të të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimit të këtyre të drejtave, kushteve të tjera në punë (për përmirësimin e shpërblimit sipas meritës së gjithsekujt as nuk është folur ndonjëherë).

Ish Bashkimet Profesionale, ashtu si dikur që dilnin dhe përfaqësoheshin në tribuna dhe në mesin e manifestimeve dhe festimeve, sot as nuk gjenden kurrkund në Shqipëri për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e punëtorëve. Asnjë organizim sindikal apo i ngjashëm – sindikal, nuk gjendet sot prezent. Nuk ka sot një media që vetëm të mbrojë dhe propagandojë interesat e punëtorëve. Nuk ka sot në Shqipëri, asnjë kryetar, qoftë të zgjedhur apo të vetëzgjedhur të ngrejë zërin, të organizojë punëtorët, të përballet me institucionet për të justifikuar postin përfaqësues dhe drejtues të organizimit sindikal si i vetmi instrument që mendon për punëtorët.

Çdo vit, në Shqipëri dalin me rradhë, duke ruajtur apo duke prishur kronologjinë protokollare të rradhës (varet edhe nga marrëdhënia mes institucioneve respektimi i protokollit), dhe urojnë në emër të së nesërmes më të mirë për çdo shqiptar, për rroga më të mira, të drejta më të konsoliduara dhe më të respektuara, trajtim më dinjitoz njerëzor dhe qytetar.

Edhe sot, 1 Maj 2020, doli Presidenti I Republikës dhe foli për dhe në emër të punëtorëve. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave doli dhe foli e përshëndeti për dhe në emër të punëtorëve. Shumë të tjerë, madje edhe opozitarë (dikur pushtetarë) dolën e floën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Punëtorëve dhe, te të gjithë gjeje entuziazëm, shpresë dhe gëzim për një të ardhme më të mirë. Po sikur e ardhmja më e mirë të mos mjaftojë për të shuar të tashmen e mundimshme? A duhet që të sakrifikohet çdo ditë vetëm se na thuhet se një e ardhme më e mirë do të vijë?

I madhi Naim Frashëri, ka rreth 2 shekuj që ka thënë “… dhe paskëtaj, ditë më të bukura do të vijnë…”. Pa ju drejtuar fare rilindasit të vërtetë Naim Frashëri (në kohën e tij çështje shumë të mëdha e të vërteta kombëtare shqetësonin), kur do të vijnë ditë më të bukura?, kur do të jetë paskëtaj?, kur do të ketë një zë të fortë dhe të vërtetë punëtor që të ulërijë me të madhe aq sa të trondisë dhe shembë këtë që është para “… paskëtaj…”?

Të gjithë punonjësit e administratës dhe të gjithë buxhetorët, gjithashtu janë të rëndësishëm dhe pjesëtarë të atyre që kanë të drejtë të kërkojnë çdo ditë dhe shumë fort në Ditën ndërkombëtare të të Drejtave të Punëtorëve.

Të gjithë sot dhe në çdo 1 Maj kanë të drejtë të drejtohen për në çdo kamp e shtëpi pushimi punëtorësh e të marrë tullat që i takojnë, çdo punonjës, punëtor, zyrtar apo çfarëdo emërtese sipas punësimit që ka, kanë të gjithë të drejtën të kërkojnë më shumë të drejta në punë, pagë më të mirë dhe shërbime më të mira në emër të dinjitetit njerëzor dhe qytetar.

Organizimet dhe organizmat përfaqësuese të biznesit, i ndjekim çdo ditë në televizione, të kërkojnë në emër të krizës lehtësira dhe mbështetje. Po në emër të gjithë pjesës tjetër pse duhet të dalë një zyrtar i lartë (presupozohet që protestat organizohen kundër politikave jombështetëse dhe kushteve të papërshtatshme dhe të papërmirësuara) I cili apo e cila është vetëm një kundërshtar i çdo 1 Maj-si që ka të drejtë të kërkojë.

Edhe sot 1 Maj 2020, në media u transmetuan urimet e politikës dhe autoriteteve shtetërore, nuk u pasqyrua asnjë aspekt i depersonalizimit njerëzor, qytetar dhe punëtor., gjithashtu, për habi ose …, u transmetua dhe u pasqyrua një protestë e organizimeve sindikale përfaqësuese, me pjesëmarrjen e 2000 protestuesve (duke respektuar masat kundër covid-19), në Athinë…

Mos jemi kthyer kaq mbrapa?!…

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.