Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Arti

Të jetosh edhe përtej vdekjes...!

 

(Përsiatje mbi librin e ri me kujtime: "Ky është Dritëroi im")

Ditët e fundit, Shtëpia Botuese "Dritëro", nxorri në qarkullim librin me mbresa dhe kujtime kushtuar njërit prej personaliteteve më të shquara dhe qëndrore të Letrave Shqipe, DRITËRO AGOLLI. Në këtë botim janë përfshirë plot 120 autorë. Mes tyre, ka emra mjaft të njohur dhe shumë të respektuar të shkrimtarisë dhe publicistikës, artit dhe kulturës, politikës dhe shkencës, botës akademike e personalitete nga fusha të ndryshme të jetës e veprimtarisë shoqërore.Janë autorë brenda dhe jashtë vendit, të ndodhur kudo nëpër botë, në tërë hapësirën mbarëshqiptare, të cilët kanë rrëfyer lirshëm dhe pa doreza, në mënyrën më të sinqertë dhe të dëlirë gjithçka dinë, kanë parë e përjetuar për shkrimtarin dhe poetin tonë të madh.

Në veçanti, ata rrëfejnë me zemër të hapur shumë të pa thëna për NJERIUN Dritëro, ashtu siç e kanë njohur, duke sjell para lexuesve një libër të rrallë, me mbi 1000 faqe, për të cilin, Elona, e bija e shkrimtarit, është përkujdesur me merak e zell të admirueshëm për të nxjerrë në dritë një botim dinjitoz në përvjetorët e largimit nga jeta të dy prindërve të saj të mrekullueshëm, Dritëro dhe Sadije Agolli. Por, me një peng të madh, ashtu siç shprehet në parathënien e librit, kur ajo shkruan: "Një libër i vështirë dhe një "ëndërr e prerë", për nënën time të jashtëzakonshme, paska qenë ky libër; përmbledhje kujtimesh të miqve dhe jo miqve, të dashamirësve, por edhe ata më pak dashamirës, të të njohurve zemërgjerë dhe largpamës, por edhe atyre më individualistë e pragmatistë. Dritëroi i vëzhguar nga shumë sy, zemra dhe mendje, në epoka thuajse të ndryshme, në etapa të ndryshme të jetës së tij?"Në fakt, libri befason dhe zgjon një kërshëri të skajshme tek lexuesi përmes narracionit, përjetimeve, mbresave, emocioneve dhe kujtimeve që autorët i ruajnë ende të freskëta nga takimet dhe lidhjet e shpeshta që kanë patur me shkrimtarin dhe poetin e madh, që në gjallje të Tij. Të gjitha këto rrëfenja, vijnë si dëshmi të jetuara, dhe rreken gjallërisht e në mënyrë harmonike të sendërtojnë jo vetëm profilin, por edhe institucionin e shejntë e të pa cënueshëm të një individi jo të zakonshëm, me kaq shumë impakt në qarqet intelektuale dhe ato krijuese, me një ndikim të pa diskutueshëm edhe në jetën shoqërore e politike midis dy kohëve, duke zbuluar çdo skutë të shpirtit njerëzor të patriarkut të mençur e zemërbardhë, me një pamje e shpirt të praruar, ashtu siç edhe mbeti deri në fund të jetës së tij. Ato, pasurojnë në mënyrë natyrale duke ndriçuar anë të tëra të personalitetit të Tij; kryesisht, synojnë  të skalitin dhe të paraqesin më qartë duke e latuar edhe më bukur profilin human të Dritëroit si NJERI, përpos asaj që të gjithë e njohim si personalitet me shumë peshë, jo vetëm në Trashëgiminë e Kulturës sonë Kombëtare që tashmë ka zënë një vend mjaft të rëndësishëm në gjysmën e dytë të shekullit të ?20 - të dhe në dy dekadat e para të shekullit ?21.

"KY ËSHTË DRITËROI IM", është titulli i librit më të ri kushtuar këtij rilindasit të fundit të kohës tonë... Personalisht, ndjehem i privilegjuar që jam përfshirë në këtë botim special si bashkëautor modest, por, edhe si dëshmitar i shumë çasteve mbresëlënëse dhe bashkëkohës me shkrimtarin dhe Poetin tonë të madh. Jam i bindur se, lexuesit e shumtë që e kanë njohur Dritëroin në tërë kompleksitetin dhe dimensionin e Tij real, që e duan dhe e çmojnë shumë letërsinë e Tij, do të mrekullohen, e, patjetër do të impresionohen kurnë këtë libër do të gjejnë mjaft referenca si pikëtakime të përbashkëta, ashtu siç ata e kanë njohur dhe perceptuar përmes jetës dhe veprës së Tij! Në vitet e fundit të jetës, Dritëroi shkroi për vete, pse jo edhe për skeptikët apo të keqkuptuarit e Tij, një epitaf mjaft domethënës e filozofik. Në këtë epitaf, i cili duket si amanet testamentar i Dritëroit dhe që është vendosur dukshëm mbi pllakën e varrit të Tij, qartësisht Ai shprehet në mënyrë të sinqertë dheme shumë përulësi e dhimbje për një nga pengjet e Tij, kur thotë: "....Përjetësisht këtu fle Dritëroi/, Me etërit, gjyshërit dhe shokët pranë/. Të mira bëri pak gjersa jetoi/, Më tepër mund të bënte, por s?e lanë....".

Në fakt, të gjithë ata që e kanë njohur nga afër Dritëroin,edhe ata që kanë bashkëpunuar dhe kanë ndjerë nga afër dashamirësinë, përkushtimin, këshillën e mençur dhe të urtë, ndihmën dhe përkujdesjen vëllazërore e atërore të Tij, (dhe të tillë janë të shumtë; mjafton të lexoni librin me kujtime), jam i bindur se, për herë të parë nuk do të ishin në një mendje me Njeriun - Dritëro. Ngase, pakkush si Ai, për aq sa e lejonin rrethanat e kohës, bëri aq shumë të mira sa mundipër bashkëkombasit, bashkëqytetarët e bashkëfshatarët e tij, për njerëzit e thjeshtë, të njohur dhe të panjohur, anembanë Shqipërisë, veçanërisht për ata që ishin në nevojë, aq sa, për të gjitha këto, do të duheshin të shkruheshin vëllime të tëra me libra si ky, që lexuesit fatmirësisht do ta kenë tashmë në dorë.

Kjo e vërtetë e pamohueshme, rikonfirmohet edhe njëherë përmes dëshmive në këtë libër të rrallë në llojin e vet nga emra mjaft të njohur, koleg, bashkëpunëtorë, bashkëkohës, dashamirës dhe adhurues të Dritëroit, si: Ismail dhe Helena Kadare, Rexhep Qosja, Moikom Zeqo, Zija Çela, Frrok Çupi, Teodor Keko, Ilir Meta, Pandeli Majko, Arben Malaj, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Sabit Brokaj, Bardhyl Londo, Muntaz Dhrami, Ali Aliu, Margarita Xhepa, Diana Çuli, Natasha Lako, Shaban Sinani, Pëllumb Kulla, Visar Zhiti, Bujar Kapexhiu, Ekrem Bardha, Skënder Buçpapaj, Timo Flloko, Mevlan Shanaj, Luan M. Rama, Aleksandër Frangaj, Ardit Gjebrea, Zhani Ciko, Piro Milkani, Mimoza Ahmeti, Mentor e Shpëtim Nazarko, Meri Lalaj, Thoma Gëllçi, Petrit Ruka, Justina Aliaj, Lazër Stani, Martin Leka, e shumë të tjerë, që janë rrëfyer me respekt dhe mirënjohje të thellë për shkrimtarin tonë të madh.Ka shumë e shumë të tjerë që nuk kanë mundur të rrëfehen, e, që padyshim, në çastin e duhur do ta bëjnë këtë, sepse, përtej bindjeve politike e ndasive krahinore, Dritëroi së pari  ishte një patriot e atdhetar i mirë, mik i çmuar i të gjithë shqiptarëve, nga jugu e deri në veri. Kudo ku shkeli këmba e Dritëroit, aty edhe u mbrujt vepra e tij e ndritur, në thelb të së cilës sintetizohen, materializohen dhe mishërohen luftrat, qëndresat dhe rezistenca e shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit, hallet dhe përpjekjet e vazhdueshme për mbijetesë, brengat dhe gëzimet, shqetësimet e dhimbjet proverbiale të popullit të cilit ai i përkiste.

Padyshim, atje është gdhendurçdo gjurmë e Dritëroit tonë, të cilat do ti gjesh gjithmonë si dëshmi të kohës, sot e në të ardhmen. Kjo lidhje e fortë dhe e natyrshme me njerëzit, me tokën, me vendlidjen dhe me Atdheun, e dallojnë Dritëroin veç të tjerash si pararendës e mesazhier të dhembshur universal të paqes, e bëjnë një humanist klasik e të pangjashëm në llojin e tij, me kontribute të çmuara për emancipimin dhe përparimin shoqëror. Dritëroin e bezdisnin deri në sëkëlldi mungesa e humanizmit dhe padrejtësitë shoqërore, mungesa e meritokracisë, inferioriteti, servilizmi, diletantizimi, mediokriteti dhe konformizmi që asokohe buronte nga klishetë e propagandës dhe mbanin gjallë stereotipin burokratik, pasojat e të cilave binin mbi popullin, mbi njerëzit e thjeshtë. I gjithë ky realitet i bjerrjes së sistemit të vlerave, u trajtua me forcë, plot elegancë e qësendi,por, edhe me kurajo të admirueshme e në mënyrë groteske në një nga kryeveprat e tij, në romanin satirik më të zëshëm të letërsisë shqiptare, "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo", i cili, edhe sotmbetet aktual dhe përcjell mesazhe universale për kohën që jetojmë. Në piramidën më të lartë të hierarkisë së Partisë ? Shtet, të rregjimit represiv që lamë pas, administrata e asaj kohe kishte edhe mjaft zyrtarë nopran, pushtetarë partiakë arrogant, injorantë e fanatikë të pashpirtë, që frerët e rregjimit i kishin mjaft të liruara, ku e ku me ato të Dritëroit.

Por, shumë prej tyre, në asnjë rast të vetëm nuk u vetëdijësuan, nuk patën asnjë moment reflektimi e pendese për faktin e thjeshtë ngase jetonin jashtë realitetit dhe ishin shkëputur tërësisht nga hallet dhe shqetësimet e popullit. Për këtë arsye, atyre u mungonte empatia humane dhe sentimenti njerëzor. Të ngujuar në ngrehinën e tyre militanteske të propagandës mediokre e dogmatike të kohës, ata i frikeshin novacionit intelektual, mendimit të lirë e të përparuar, ngase nuk deshën dhe nuk pranuan asesi të ecnin përpara me zhvillimet dhe konceptet e reja liberale që i diktonte koha. Për rrjedhojë, ata mohonin me çdo mjet progresin, refuzonin të bënin punë të mbara në dobi të shoqërisë e të përparimit të vendit, ngurronin të demonstronin një sjellje të mirë, të zgjatnin qoftë edhe një dorë për ndihmë, edhe atëherë kur rasti ua sillte në derë për ta bërë një gjest të tillë, ashtu siç dinte të bënte në mënyrë kaq origjinale dhe të vërtetë Njeriu i mirë Dritëro. Ishte koha e rrënimit shpirtëror, ku, dukshëm binte në sy mungesa e sitemit të vlerave. Jeta e vështirë dhe varfëria masive kishte prekur çdo qelizë të shoqërisë, kishte rrënuar dhe  pllakosur të gjithë vendin në kushtet e një tiranie të pashembullt ku sundonte censura dhe diktati absurd.

Ndërkohë, dinjiteti njerëzor nëpërkëmbej dhunshëm e pa shkak?(!!!) Skutave të errëta ku thurreshin intrigat e paimagjinueshme në ish aparatet e zyrave të Partisë së Punës, këta mercenarë të pashpirtë, shumë prej tyre, jo rrallë herë, djallëzisht e tinëzisht i ngrenin kurthe poetit dhe shkrimtarit popullor; përplaseshin pafytyrësisht me të dhe i hapnin punë liberalit Dritëro, pikërisht atëherë, kur ai sapo gjente një dritare shprese, apo sajonte një mundësi për të krijuar shanse dhe të ndihmonte sa më shumë të rinjtë e talentuar me "cene në biografi". Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ngase kjo specie konservatore, servile dhe e pandreqshme, ishte dhe mbeti deri në fund vegël e verbër represive e sistemit, ingranazhi kryesor dhe besnikja fanatike e diktaturës më të pashembullt që ia zgjati edhe më shumë jetën rregjimit, edhe atëherë kur ai po lëngonte në shtratin e vdekjes në agoninë e vet. Tashmë që kanë kaluar plot tre dekada e rrodhën shumë ujëra që nga ajo kohë, mendoj se është çasti të gjykojmë me objektivitet në vlerësimin e gjithçkaje ka ndodhur në të shkuarën. Pa pasione, pa mllefe, pa emocione të cilat na errësojnë shikimin dhe arsyen, ashtu siç shosha e ndan miellin nga krundet për të gatuar bukën e mirë....!

Dritëroi, gjithë jetën e Tij na gëzoi me të gjitha mënyrat që mundi, na inspiroj dhe na inkurajojë duke na frymëzuar, na mbajti gjallë shpresën dhe optimizmin, na ngrohu zemrat duke na dhuruar pafundësisht mirësi e dashuri pa kushte, na ushqeu në mënyrë të pamatë e të shëndetshme me "bukën" e mirë të letërsisë që rrallëkush e bëri si Ai. Dhe jo vetëm përmes prozës, publicistikës dhe poezisë së gatuar në magjen agolliane. Ashtu siç shprehet shkrimtari dhe poeti i njohur Preç Zogaj në mbyllje të kujtimeve të tij, se: "Dritëro Agolli është shembulli që ilustron të vërtetën e vjetër, se jo çdo njeri zemërbardhë është poet, por nuk mund të ketë poet të madh pa zemër të madhe?". E, nëse kjo sentencë i shkon për shtat NJERIUT Dritëro, kjo do të thotë se tashmë Ai jeton edhe përtej vdekjes i përjetësuar në zemrën e një populli që aq shumë e ka dashur dhe do ta dojë përgjithmonë. Sepse Dritëroi, jeton dhe do të jetoj në kujtesën kolektive të një kombi të tërë. Ky libër i ri, që vjen si homazh për nder të poetit tonë të madh, na e dëshmon këtë...!...

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore